“Infrastruktura po dëmton turizmin”

239

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kryetari i Qarkut Elbasan, Eugen Isaj: “Kemi projekte për njohjen e resurseve”

Qarku i Elbasanit, me thesare të çmuara kulturore, natyrore dhe historike, të mirëmbajtura dhe zhvilluara në mënyrë të qëndrueshme e të mirëpromovuara, mirëpret turistë vendas dhe të huaj, numri i të cilëve padyshim vjen në rritje nga viti në vit. Qarku i Elbasanit ka rreth 100 destinacione të natyrës historike apo të trashëgimisë kulturore. Por se cila është infrastruktura e tanishme pas investimeve në zonat me përparësi në evidentimin e vlerave turistike dhe se cilat janë projektet për njohjen e resurseve i shpjegon në një intervistë për “Telegraf”, kryetari i Qarkut Elbasan, Eugen Isaj.

Zoti Isaj, gjatë muajve të fundit Qarku i Elbasanit ka hyrë në axhendën turistike të agjencive më të njohura jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë. Si po arrini të implementoni këtë strategji ?

Një ndër prioritetet më të rëndësishme të Këshillit të Qarkut Elbasan për zhvillimin e rajonit është edhe zhvillimi i turizmit si një industri. Qarku Elbasan me rreth 100 destinacione të natyrës historike apo të trashëgimisë kulturore, me rreth 80 monumente të natyrës, 37 lloje të klasifikuara të kostumeve popullore, me llojshmërinë e pafund të elementëve të tjerë të folklorit, me zhvillimin agrikulturor tradicional, kulinarinë, shtrirjen e madhe dhe kombinimin shumë interesant gjeografik-natyror-klimaterik, me traditën mikpritëse, përbën një destinacion të rëndësishëm për turistët vendas dhe të huaj, duke ndikuar në zhvillimin e këtij sektori me rëndësi rajonale dhe kombëtare. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe përgatitja e dokumentave të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori siç është Plani i Veprimit të Turizmit për Qarkun Elbasan, si dhe identifikimi i zhvillimit të sektorit të turizmit në Strategjinë e re të sapo hartuar të Zhvillimit Rajonal si një ndër prioritetet më të rëndësishme për rajonin.

Nëse keni një plan, si do të konkretizohet ai?

Mund të përmendim disa prej tyre, të cilët janë një konkretizim në praktikë i këtij plani – veprimi:

•Mbrojtja, ruajtja dhe vleftësimi i monumenteve kulturore, historike, arkeologjike dhe natyrore.

•Përmirësimi dhe rehabilitimi i mjedisit

•Ngritja e sistemit të informacionit të turizmit

•Krijimi dhe përmirësimi i infrastrukturës të përshtatshme për zhvillimin e turizmit urban dhe rural.

•Shtimi i produkteve promocionale për promovimin e Qarkut të Elbasanit

•Zgjatja e kohës së qëndrimit të turisteve në rajonin e Elbasanit. (Dita e Verës, 4 Qershori- Dita e Shijonit (Shën Joan Vladimirit) e të tjera aktivitete.)

•Ndërgjegjësimi i komunitetit mbi rëndësinë e zhvillimit të turizmit dhe përfitimet prej tij.

•Institucionalizimi i bashkëpunimit në nivel lokal dhe rajonal në Qark.

•Lobim dhe koordinim për përmirësimin e shërbimeve publike në Qarkun e Elbasanit

•Ngritja dhe Promovimi i Turizmit Familjar (Ekoturizmi-Agroturizmi)

•Zhvillimi i një “brandy” të Elbasanit për të nxjerrë në pah origjinalitetin, etj.

Çfarë lloj turizmi mund të gjesh në Elbasan?

Në Qarkun e Elbasanit që ka rrethet  Librazhd, Peqin, Gramsh mund të shijoni turizmin malor, historik, kulturor, arkeologjik, agroturizmin dhe atë familjar.

Si paraqitet gjendja e këtyre destinacioneve. A ekziston infrastruktura e nevojshme dhe atje ku frekuentohet a janë të shëndetshme nga ana mjedisore?

Infrastruktura në zonat turistike ka qenë e rënduar, por duhet theksuar se vitet e fundit në të gjithë rajonin e Elbasanit janë kryer investime në infrastrukturën rrugore sidomos në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit si edhe në shumë rrugë të tjera rurale, duke rritur në këtë mënyre aksesin për të vizituar shumë më lehtë këto pika turistike. Një punë e vazhdueshme është bërë në drejtim të përmirësimit dhe rehabilitimit të mjedisit në këto zona turistike. Një rëndësi të veçantë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës në tërësi të këtyre zonave i është kushtuar dhe vendosjes së sinjalistikës orientuese turistike, që përbën një nga format më të mira për ekspozimin e vlerave turistike të Qarkut Elbasan, për të orientuar lëvizjen e vizitorëve vendas dhe të huaj drejt tyre dhe për të rritur aksesin për t’i vizituar ato sa me lehtë.

Çfarë po bëhet për njohjen e këtyre resurseve. Si do t’i joshni ju konkretisht turistët e huaj dhe ato vendas?

Siç dihet zhvillimi i një destinacioni turistik fillon me promovimin e tij si një rajon tërheqës. Këtij qëllimi i ka shërbyer përgatitja e shumë produkteve promovuese turistike, si guida turistike për Qarkun Elbasan, dokument që tashmë është në duart e turisteve vendas dhe të huaj, broshura, fletëpalosje, ngritja dhe funksionimi i zyrave të shërbimit turistik në nivel lokal dhe rajonal, një e tillë funksionon në Këshillin e Qarkut Elbasan, organizimi i shumë festave tipike për këto zona turistike.

Masat e marra për zonat turistike

Qarku Elbasan ka edhe shumë zona të tjera turistike, me të cilat mund të identifikohet turizmi rural në rajonin tonë. Në të gjitha këto destinacione janë bërë ndërhyrje. Janë kryer investime në akset rrugore me destinacion përfundimtar këto zona turistike. Përmendim këtu, rikonstruksion i plotë i rrugës Elbasan-Byshek-Shushicë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Stëblevë, rrugë e cila të çon në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Përveç kësaj, parashikohet mbështetje për zhvillimin e turizmit rural. Përsa i përket Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanice, zonë me prioritet për zhvillimin e turizmit malor, zonë e mbrojtur e kategorisë së parë, rezervë natyrore dhe shkencore, është në proces projekti, i cili ka të bëjë me hartimin e një plani menaxhimi për këtë zonë. Në përfundim, mund të themi që, Qarku i Elbasanit, me thesare të çmuara kulturore, natyrore dhe historike, të mirëmbajtura dhe zhvilluara në mënyrë të qëndrueshme e të mirë promovuara, mirëpret turistë vendas dhe të huaj, numri i të cilëve padyshim do të vijë në rritje nga viti ne vit.