Inflacioni nxjerr në pension Bankën e Shqipërisë

Prof. Alqi Naqellari

Pasi u mor me De-euroizimin, si një arritje, me synim rritjen e rolit të saj në tregun monetar, nxitjen e rritjes ekonomike dhe përgatitjen më mirë të ekonomisë shqiptare për futjen në BE, Banka e Shqipërisë po jep informacione mbi pasojat negative të zhvlerësimit drastik të euros në realizimin e fitimeve të saj, të cilat i kalojnë buxhetit të Shtetit. Banka e Shqipërisë pohon se ka nivelin më të ulët në rritjen e të ardhurave në buxhet. Nga 1095 milionë që realizoi në vitin 2016, në 2017 realizoi vetëm 908 milionë lekë -92 milionë lekë në krahasim me objektivin dhe 187 milionë më pak se viti kaluar. Ka minus miliona euro nga zhvlerësimi i rezervave të saj. Pyetja jonë është: Ku i kishin sytë këta Bankierët, a nuk e parashikuan këtë pasojë, ku i kanë sytë këta shkencëtarë që shpenzojnë miliona për konferenca me të huajt dhe i shkaktojnë problem të ardhurave të buxhetit të shtetit? Përse nuk reaguan ndaj shkrimeve që bënë ekonomistët shqiptarë për pasojat e de-euroizimit, por u përgjigjën me menefregizëm, se nuk mund të ndërhyjnë në treg. Në këtë shkrim nuk do merremi me rënien drastike të ardhurave të Bankës së Shqipërisë në Buxhet që nga viti 2012, sepse do jetë temë e një shkrimi tjetër. Në këtë artikull do merremi me inflacionin. Tregues me të cilin Banka Qendrore lavdërohet dhe thotë, se e ka Realizuar me sukses Objektivin e saj Kryesor, se politikat e saj monetare kanë qenë të efektshme etj., etj., etj. Në fakt, theksojmë se nuk ka qenë kështu. Inflacioni nuk ka qenë asnjëherë në Objektivin e Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore e Shqipërisë, asnjëherë nuk e ka kontrolluar dot Normën e Inflacionit në Shqipëri, sepse Inflacioni në Shqipëri nuk është një fenomen Monetar, por në përgjithësi është një tregues i importuar. Nuk mund të pritet efektivitet i politikave monetare në tregun shqiptar, kur gjysma e tij zotërohet nga valutat e huaja. Në këtë mënyrë Banka Qendrore nuk ka pasur asnjë ndikim pozitiv në rritjen dhe zhvillimin e Ekonomisë shqiptare, përkundrazi me veprimet e saj ka ndikuar në shumë raste negativisht.

Pse duhet të ndryshojë Objektivi i Bankës Qendrore të Shqipërisë?
Theksojmë edhe një herë se: Cili është Objektivi i BQ-së i përcaktuar në Ligjin e vitit 1997? (Në LIGJIN Nr.8269, datë 23.12.1997 PËR BANKËN E SHQIPËRISË,) Në Nenin 1 dhe 2 thuhet.

1. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve.
2. Banka e Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe mbi bazën e tregut të brendshëm bankar, nxit dhe mbështet zhvillimin e regjimit dhe sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit”. Ky objektiv është thuajse i njëjtë me Objektivin e Bankës Qendrore Evropiane. Banka e Shqipërisë nuk duhej të implementonte këtë Objektiv klishe, por ta përshtaste në stadin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Kjo duhej bërë, sepse nuk mund të krahasohet niveli i zhvillimit të ekonomisë shqiptare me atë evropiane. Ekonomitë e BE-së janë në produkt potencial, që presupozon përdorim të plotë të faktorëve ekonomikë, për pasojë të normës natyrore të papunësisë. Në këto kushte është normale për ekonomitë e tyre që të kenë si objektiv: Ruajtjen e nivelit të çmimeve. Por ky objektiv nuk mund të ishte për Shqipërinë, që dilte nga një ekonomi e centralizuar me një infrastrukturë ekonomike të shkatërruar. Objektivi i saj duhej të lidhej direkt me rritjen e ekonomisë dhe uljen e papunësisë. Anglezët dhe shumë vende të tjera që janë vende të zhvilluara e kanë edhe sot objektiv rritjen e ekonomisë dhe rënien e normës së papunësisë. Në këtë mënyrë ky qe një gabim që i kushtoi ekonomisë shqiptare, sepse Banka e Shqipërisë nuk mbante dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për rritjen e ekonomisë. E gjithë përgjegjësia i mbetet qeverisë në një kohë që ajo është po aq përgjegjëse sa edhe vetë qeveria, për të mos thënë është përgjegjësja kryesore. Prandaj është i nevojshëm ndryshimi i Objektivit të saj. Për ndryshimin e objektivit të saj është shprehur edhe ish-Guvernatori Fullani, në 2013-n në një Konferencë ndërkombëtare. 

Si është shprehur ish-Guvernatori Fullani për objektivin e Bankës së Shqipërisë, pas Krizës financiare të 2008-s? Ai Thekson:” “Me dashje apo pa dashje, objektivi i stabilitetit financiar tashmë konsiderohet si detyrë themelore e institucioneve tona. Nuk ka rëndësi, nëse është ndryshuar apo jo mandati ligjor i Bankës Qendrore për përfshirjen e këtij objektivi. Çfarë ka vërtet rëndësi, është fakti që stabiliteti financiar është një kusht paraprak për stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik dhe atë monetar. Sfida me të cilën po përballemi ka të bëjë me mënyrën se si ta përfshijmë këtë objektiv të ri në politikën tonë, a mund të ndërthuret shënjestrimi i inflacionit me stabiliteti financiar apo a nevojitet një regjim tërësisht i ri”.

Çfarë Objektivash kanë vendet e tjera, në eksperiencën e të cilave duhet të mbështetet edhe Banka e Shqipërisë?
Në një artikull në vitin 2014, të paraqitur në Malin e Zi në një Konferencë të Organizuar nga disa Universitete ku merrte pjesë edhe “La Sapienza” kemi propozuar që Objektivi i BSH të jetë: “Stabiliteti financiar, qëndrueshmëria e monedhës dhe e çmimeve në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe uljes së papunësisë”. Ky konkluzion rezultoi pas një analize që iu bë objektivave të Bankave Qendrore të 31 vendeve si më poshtë: 

Grupi I) BQE, Turqi, Azerbajxhan, Çeki, Indi, Zelandë e Re kanë Objektiv Stabilitetin e çmimeve. 
Grupi II) Kroaci, Moldavi, Rusi, Ukrainë, Hong-Kong, Kinë, Mongoli kanë Objektiv Stabilitetin e Monedhës. 
Grupi III) Bosnjë Hercegovinë, Armeni, Bjellorusi, Jordani, Nigeri, Pakistan dhe Peru kanë Objektiv Stabilitetin Monetar. 
Grupi IV) Malajzi dhe Indonezi kanë Objektiv Stabilitetin e çmimeve dhe të monedhës. 
Grupi V) Japoni, Koreja e Jugut, Filipine, Singapor dhe Tajlandë kanë Objektiv Stabilitetin e çmimeve me synim rritjen e qëndrueshme ekonomike. 
Grupi VI) Australia ka objektiv Stabilitetin e çmimeve dhe uljen e normës papunësisë. 
Grupi VII) Kosovë, Serbi dhe Mali i Zi kanë Objektiv Sistemin financiar stabël dhe stabilitet çmimesh. 

Po Shqipëria pse duhet të ketë për objektiv Stabilitetin e çmimeve dhe jo stabilitetin financiar dhe rritjen ekonomike? Çfarë tregojnë lidhjet midis treguesve monetarë dhe treguesve kryesorë makroekonomikë ku reflektohen efektet e politikave monetare të BQ-së? Këto tregojnë se efekti i tyre ka qenë i pa përfillshëm. Pikërisht këto lidhje dhe argumentet e tjera e bëjnë të nevojshëm ndryshimin e Objektivit të Bankës Qendrore.

Cila është dinamika e normës së inflacionit dhe e REPO-ve që nga viti 2011 deri në 2018? Si është lidhja midis tyre? Këtë e shikojmë nga të dhënat e mëposhtme të nxjerra nga Raportet Statistikore të BQ-së. Norma e REPO-ve në vitin 2011 ka qenë 4.75 pikë përqindje. Është ulur në mënyrë graduale dhe në vitin 2016 është stacionuar në 1.25 pikë përqindje, kurs ky që vazhdon të mbahet edhe sot. Arsyeja e uljes së normës së REPO-ve (Norma Bazë e Interesit) është të stimulojë uljen e normave të kredive në lekë në mënyrë që t’i bëjë ato më të pëlqyeshme. Rritja e tyre do të çonte në rritjen e parave në qarkullim e, për pasojë do bënte presion mbi normën e inflacionit. Në fakt rënia e normës së REPO-ve nuk ka ndikuar dukshëm në rënien e normave të interesave të kredive. Më shumë ka ndikuar në rënien e normave të interesave të depozitave duke e mbajtur kursin e fitimit në lekë të lartë (normë kredie minus normë depozitash).

Stoku i depozitave në lekë ka ardhur në rënie, ndërsa është rritur me ndikim të pa ndjeshëm në rritjen e PBB-së stoku i kredisë në lekë. Ky stok i kredisë nuk ka pasur asnjë ndikim në normën e inflacionit. Kjo shihet qartë edhe në dinamikën e kurbave të tyre. Kurba e REPO-ve është vazhdimisht në rënie ndërsa ajo e inflacionit është tërësisht e paqëndrueshme. Në këtë mënyrë politika monetare në drejtim të stabilitetit të çmimeve nuk ka pasur ndonjë ndikim. Ky konkluzion rezulton edhe në analizën sipas muajve të këtyre treguesve të krahasuar edhe me normën e përcaktuar si Objektiv nga ana e Bankës Qendrore.

Si ka qenë Dinamika e Inflacionit sipas muajve 2014-2018 dhe çfarë konkluzionesh mund të nxjerrim?
Grafiku tregon se Norma prej 3% e përcaktuar nga BQ-ja nuk është arritur në asnjërin prej muajve të viteve 2014-2018. Në këtë mënyrë politikat monetare ekspansioniste në lidhje me këtë tregues që është edhe Objektivi kryesor i Bankës kanë qenë pa asnjë lloj efekti.

Efekti i politikave monetare ekspansioniste duket edhe në dinamikën e treguesve monetarë siç janë Paratë jashtë Banke, Agregatet M1, dhe M2. Këta tregues kanë ardhur në rritje të vazhdueshme por, megjithëse janë rritur, nuk kanë pasur ndonjë efekt pozitiv në normën e inflacionit. Normalisht rritja e tyre duhej të çonte në rritjen e normës së inflacionit. Faktet tregojnë se nuk kemi tendenca të tilla përkundrazi në shumë muaj e vite kemi efektin e kundërt. 

Cila ka qenë Dinamika e Agregatit M1 dhe Parave Jashtë Banke (mil/ALL) dhe çfarë konkluzioni mund të nxjerrim?
Mos transmetimi i efektit të politikave monetare shihet edhe në lidhjen midis dinamikës së kursit të këmbimit dhe agregateve monetarë. Rritja e sasisë së parave në qarkullim do të thotë që duhet të ushtrojë presion në kursin e këmbimit, në zhvlerësimin e lekut shqiptar. Në fakt ka ndodhur e kundërta, rritja e sasisë së lekut në qarkullim ka ndikuar pozitivisht në zhvlerësimin e euros dhe jo të lekut. Ky është një non sens ashtu si edhe shumë nga tendencat e treguesve të analizuar më lart. Edhe këto grafikë tregojnë për mungesë efektiviteti të politikave monetare të bankës së Shqipërisë.

Cila ka qenë Dinamika e kurseve të këmbimit 2014-2016 sipas muajve dhe çfarë konkluzione mund të nxjerrim?
Grafiku i kursit të këmbimit tregon se që nga prilli i vitit 2015 euroja po zhvlerësohet në çdo muaj. Zhvlerësimin e saj e kemi analizuar në shkrimet e tjera. Këtu po e japim si tregues për stabilitetin e të cilit Banka Qendrore nuk ndërhyn. Kjo mos ndërhyrje bëri që rezervat e saj momentalisht të zhvlerësohen. Banka e Shqipërisë duhej, sipas nesh, të ndërhynte dhe të blinte qindra milionë euro në mënyrë që të stabilizonte kursin e këmbimit. Rritja e rezervës prej saj do të ndikonte pozitivisht në treg dhe jo negativisht.

Lidhjet midis treguesve të mësipërm të paraqitur nëpërmjet grafikëve të tyre i kemi analizuar edhe nëpërmjet koeficienteve të korrelacionit. Këta koeficient japin forcën e lidhjes midis tyre. Tregojnë efektin e politikave monetare të Bankës Qendrore.

Pse koeficientet e korrelacionit mbështesin mendimin tonë për ndryshimin e Objektivit të Bankës Qendrore? Koeficientet e korrelacionit midis inflacionit, REPO-ve, M1, kursit të këmbimit dhe Parave jashtë banke paraqiten si vijon:
Të dhënat tregojnë se Norma e inflacionit ka lidhje shumë të dobëta, të pa përfillshme me treguesit e parave jashtë banke dhe Agregatin M1. Norma e inflacionit ka lidhje shumë të dobëta, të pa përfillshme, të kundërta me Kursin e Këmbimit dhe me normën e REPO-ve. Të dy këta tregues flasin qartë për mungesë totale të eficiencës së politikave monetare të Bankës Qendrore. Ajo nuk ka kontrolluar dot as normën e inflacionit, as kurset e këmbimit. Nëse lidhja midis REPO-ve dhe parave jashtë banke është e fortë dhe e kundërt, lidhja midis tyre dhe inflacionit është fare e pa përfillshme. Gjë që zhvlerëson çdo politikë monetare që është aplikuar deri tani. Të njëjtin rezultat na jep edhe analiza e lidhjes së normës së inflacionit me me katër treguesit e marrë në analizë. Përfundimisht Banka e Shqipërisë, Parlamenti i Shqipërisë si organ ligjvënës duhet të rishikojnë Objektivin e Bankës Qendrore të Shqipërisë. Banka Qendrore duhet të jetë po aq përgjegjëse për rritjen e ekonomisë shqiptare dhe për rënien e normës së papunësisë sa edhe Qeveria. Në kushtet e një ekonomie të hapur, të vogël, me kurse këmbimi fleksibël Politikat e Bankës Qendrore kanë efekte dhe jo Politikat e Qeverisë, por efekti i tyre mungon sepse gjysmën e tregut e kontrollojnë valutat. Në këtë situatë ekonomia shqiptare teorikisht ka qenë dhe mbetet e bllokuar, pa alternativë zhvillimi. Kanë qenë politikat ekstremiste ekspansioniste të qeverisë ato që kanë bërë të kemi shkundje të saj, të kemi rritje, sepse, po të qe për institucionet e tjera, ekonomia shqiptare do ishte ne recesion.