Infermierët/ Regjistrimi në praktikë, tani edhe pa diplomë

683
Sigal

Të gjithë infermierët, imazheristët, logopedistët, teknikët e laboratorit, mamitë dhe fizioterapistët, të cilët kanë përfunduar studimet, por nuk janë pajisur me diploma do kenë të drejtë të regjistrohen në praktikën profesionale. Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë duket se ka ndryshuar rregullat për të gjithë kandidatët e rinj, të cilët jo rrallë herë kanë humbur mundësinë për t’u regjistruar si pasojë e mosdisponimit të kartonit të diplomës, ndonëse kishin kaluar të gjitha provimet me sukses. Kjo praktikë duket se iu “kushtonte” shtrenjtë infermierëve të rinj, të cilëve iu shtyhej në kohë kryerja e praktikës e për pasojë edhe Vlerësimi i Aftësimit Praktik dhe Provimi i Shtetit. Ndërkohë që, moskalimi i këtij të fundit iu kushtëzonte edhe gjetjen e një pune dhe ushtrimin e profesionit, duke qenë se pa e kaluar atë me sukses, nuk e fitojnë këtë të drejtë. Ndërkaq, UFSH bën me dije se për praktikën profesionale 3-mujore ka ende hapësirë për studentët e infermierisë, mamisë dhe logopedisë. Kryerja e saj është një kusht i domosdoshëm për provimin e praktikës, pasi në momentin e regjistrimit është i detyrueshëm dorëzimi i librezës së praktikës me shënimet përkatëse.
Praktika
Sipas rregullores aktuale, infermierët, logopedistët, teknikët e imazherisë, teknikët e laboratorit, fizioterapistët dhe mamitë para se t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, duhet të kryejnë praktikën profesionale. Të interesuarit përveç praktikës, i nënshtrohen edhe një testimi profesional në fund të saj, ndërkohë që, vetëm nëse vlerësohen pozitivisht në të, kanë të drejtë të regjistrohen për Provimin e Shtetit. Konkretisht, studenti i diplomuar në infermieri, fizioterapi, logopedi, teknikë imazherie dhe teknikë laboratori, ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti realizon praktikën, të cilat firmosen çdo ditë nga drejtuesi i saj. Në fund, libreza e firmosur nga drejtuesit vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit profesional. Ai e merr librezën, dhe 10 ditë para datës së provimit, e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional. Testimi profesional jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierëve, ku kandidatët do të përgjigjen me gojë dhe praktikisht. Për këtë sezon Urdhri i Infermierit nuk ka publikuar detaje të provimit të praktikës profesionale, çka do të thotë se ato do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Kështu, vjet kandidati u përgjigjej 5 pyetjeve, të cilat ishin në programin e praktikës profesionale, ndërsa secila vlerësohej me nga 1 deri 25 pikë. Pikët maksimale ishin 100, ndërkohë që për ta kaluar me sukses kandidati duhej të merrte 50 pikë.