“INFEKTOHET” TENDERI I AMBULANCAVE

1228
Hije dyshimi mbi tenderin e blerjes së ambulancave
Ministria e Shëndetësisë ndryshon specifikimet e automjeteve të kërkuar për Qendrën e Urgjencave. A po paracaktohet fituesi?!
Ministria e Shëndetësisë ka nisur procedurën e prokurimit për blerjen e autoambulancave për Qendrën Kombëtare të Urgjencave, por mbi tenderin tashmë janë hedhur hijet e para të dyshimit. Ka qenë vetë Ministria që ka ndryshuar kriteret teknike dhe specifikimet e automjeteve të kërkuar, duke shtuar mundësitë e fitimit të garës për sipërmarrës të akuzuar edhe publikisht se ndodhen pranë qeverisë. Sipas ekspertëve, të cilët analizuan të dy kërkesat e bëra nga Ministria e Shëndetësisë, specifikimet e ndryshuara janë përjashtuese. Mes tyre më të rëndësishmit janë fuqia motorike dhe niveli i ndotjes. “Motori diesel min. 2500 cc ose 2.5 i vendosur si specifikim është përjashtues. Grupe të ndryshme, në kuadër të nismave ekologjike evropiane, nga viti 2017 kanë hequr nga prodhimi motorët 2.8 dhe 3.0, duke i zëvendësuar ato me 2300 cc, sepse sot me teknologjinë e përparuar të aplikuar nuk ka nevojë për motorë të mëdhenj për të arritur fuqi të lartë motorike. Me motorët 2.3 multijet diesel sigurohet fuqi deri në 180 kuaj fuqi”, shprehen specialistët. Sipas tyre, motorë të mëdhenj aplikojnë ende markat që nuk kanë zbatuar teknologji të reja, në modelet e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë për autoambulancat. Ekspertët shtojnë se përjashtim nga ky standard ekologjik bëjnë disa kompani, që mund të ndjehen të favorizuar në këtë rast. Ata japin shembuj se si kompani të caktuara prej kohësh nuk prodhojnë më motorë më të mëdhenj se 2000 cc dhe arrijnë fuqinë mbi 170 kuaj fuqi, si pasojë e aplikimit të teknologjive të përparuara. Ekspertët nënvizojnë se një mangësi të dukshme të një automjeti me motor të vjetër, Ministria e Shëndetësisë e ka kthyer në një përcaktim përjashtues. Gjithashtu, në dokumentin e dytë, Ministria ka hequr nga kriteret edhe nivelin e ndotjes, ndonëse ai vlerësohet si standard evropian. “Mos vallë kjo bëhet qëllimisht për të futur në garë automjete me motorë te prapambetur, të mëdhenj dhe me ndotje CO mbi 170, sa ishte përcaktuar fillimisht?”, shtrojnë pyetjen ekspertët. Sipas tyre, nga ndryshimi i specifikimeve fillestare kuptohet synimi për të ngushtuar konkurrencën dhe për t’i hapur rrugën ndonjë marke me motorë të gjeneratës së shkuar, por është e çuditshme se si nëpërmjet ndryshimit të specifikimeve Ministria po përpiqet të përjashtojë teknologjinë e avancuar. “Si mundet që ju të jeni kaq të njëanshëm, saqë teknologjinë e prapambetur ta bëni kriter specifikues për të përjashtuar atë të avancuar, ndërkohë që duhet të bënit të kundërtën. Po të vendosnit specifikime përjashtuese për motorët e mëdhenj askush nuk do të guxonte të paraqiste ankimim për kërkesën tuaj për standarde të larta teknologjike. Ndërkohë që ju po bëni të kundërtën”, thuhet në një nga ankesat drejtuar dikasterit. Përveç sa më sipër, ekspertët shprehen se këta motorë të mëdhenj kanë edhe konsum të lartë karburanti, 2-3 litra/100 km më shumë se motorët e gjeneratës së re. “Mjafton vetëm konsumi i shtuar i karburantit gjatë vitit të parë, për të zhbërë çdo ‘kursim’ që mund të sillte gara, si pasojë e çmimeve me marzhe të ulëta që mund të ofrohen”, nënvizohet në ankesë. Sipas ekspertëve të fushës, është më se e qartë se Ministria e Shëndetësisë po tenton të favorizojë kompani apo marka, që kanë një motor të madh, ndotje të lartë dhe dhe konsum ndjeshëm më të lartë karburanti se modelet e markave të tjera.

Në buxhetin e vitit 2018, Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar financimin e blerjes së 32 autoambulancave të reja për fuqizimin e flotës motorike të Qendrës Kombëtare të Urgjencës me vlerë 253 milionë lekë.
Sigal