Individët, si rimbursohen për tatimet e paguara

579
Tatimet sqarojnë mënyrën e kthimit të shumave dhe çfarë konsiderohen shpenzime të zbritshme
Individët, të cilët kanë të ardhura bruto 2 milionë lekë në vit, janë subjekt i deklarimit tatimor, por pak prej tyre e dinë se pas stresit të plotësimit të deklaratës tatimore kanë të drejtë të rimbursohen, pasi zbriten disa shpenzime. Sipas burimeve zyrtare në Tatime, afati për rimbursimin e vitit 2016 është deri më 30 shtator të këtij viti. Nëse nga plotësimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, rezulton diferencë negative, pra nga sa rezulton nga llogaritja sipas deklaratës, individi tatimpagues ka një tepricë të tatimeve si rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, Drejtoria Rajonale Tatimore duhet t’i kthejë me kërkesën e tij, shumën e tatimeve të paguara me tepër.

Sipas procedurave të tatimeve, kërkesa e tatimpaguesit për kthim të shumës së paguar tepër, duhet të dorëzohet pranë organit tatimor, brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të Deklaratës individuale Vjetore të të Ardhurave dhe duhet të shoqërohet, me kopje të të gjithë dokumentacionit justifikues të të ardhurave dhe shpenzimeve të zbritshme. Individi tatimpagues, kërkesën për kthim të shumës, së bashku me dokumentacionin justifikues, e paraqit dorazi pranë organit tatimor, duke u pajisur me një numër protokolli të dorëzimit të tyre. Tatimet sqarojnë se, individi duhet të japë me saktësi numrin e llogarisë së tij bankare në të cilën do të bëhet rimbursimi i tatimit të paguar tepër. Përgjegjësia për saktësinë e numrit të llogarisë bankare është e individit deklarues. Pasi, drejtoria rajonale tatimore vërteton saktësinë e të dhënave dhe nga verifikimi i tyre apo kontrolli del se informacioni i dhënë në deklaratë është i saktë, drejtoria rajonale tatimore procedon me urdhër rimbursimi të shumës së tatimeve të paguara tepër, në llogarinë bankare të tatimpaguesit. Procedura e plotësimit të deklaratës tatimore nuk është ende një formë shumë e përhapur në Shqipëri, ndonëse disa herë është tentuar që ajo të shtrihet edhe për nivele të ulëta pagash. Megjithatë kjo do të kërkonte një strukturë tatimore më të zgjeruar për të patur mundësinë e shqyrtimit të të gjithë vetëdeklarimeve dhe më pas realizimin e rakordimit të tyre dhe rimbursimin e mundshëm të tatimpaguesve. 

Shpenzimet e zbritshme
Njihen si shpenzime të zbritshme për efekt të deklarimit, shpenzimet e mëposhtme:
• Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim dhe shpenzimet për mjekim për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.
• Shuma e shpenzimeve të zbritshme, nuk duhet të jetë më e madhe, se shuma e të ardhurave bruto të tatueshme vjetore.
• Në rast të plotësimit të deklaratës nga individi (jokryefamiljar), shpenzimet vjetore për mjekim, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë, vetëm për individin deklarues.
• Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32,000 lekë, shuma këto të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sigal