Inceneratori i Fierit do të jetë pa filtra, do të shuajë Myzeqenë

137
Nga Bleona Metushi
Ana e errët e investimit që po bën qeveria në fshatin Verri. Pas problemeve mjedisore dhe shkeljeve në ligj, impianti që do të ngrihet aty do të kushtojë vetëm 15 milionë euro, nga 35 milionë që kushton në Perëndim, sepse dioksina dhe mërkuri do të derdhen në ajër dhe tokë
Inceneratori që ka nisur të ngrejë qeveria në fshatin Verri të Fierit, përveçse është antiligjor dhe jo me miratimin e banorëve të zonës, do të helmojë zonën e Myzeqesë dhe më tej. Sipas një analize të bërë nga eksperti gjerman i mbetjeve, Lulzim Baumann, inceneratori i një kapaciteti të tillë duhet të kushtojë 30-35 milionë euro në një vend të Europës Perëndimore, ndërsa në Shqipëri ai kushton më pak se gjysma, vetëm 15 milionë euro që firma ka marrë për ta ngritur. Inxhinieri gjerman, Baumann, që vëzhgoi nga afër vendin ku do të ndërtohet dhe u njohë me parametrat e inceneratorit, deklaron se impianti që do të ngrihet aty do të kushtojë vetëm 15 milionë euro, nga 35 milionë që kushton në Perëndim, kjo sepse helmi do të derdhet në ajër, në mungesë të filtrave që kushtojnë më shumë se tërë impianti. Sipas llogaritjeve të bëra, vlera reale e inceneratorit të Fierit është:23-35 milionë euro. Me një kapacitet 200 tonë në ditë (73 mijë tonë në vit), me kosto 400-600 dollarë toni në vit, kosto minimale shkon rreth 29,2 milionë dollarë, ose rreth 23 milionë euro.
Nëse kosto maksimale është 600 dollarë për ton në vit, kosto për 73 mijë tonë do të shkojë 43,8 milionë dollarë, ose rreth 35 milionë euro. Këto kosto janë konfirmuar edhe nga Carsten Spohn, drejtori i ITAD (Grupit të interesit per Trajtimin Termik të mbetjeve, Gjermani). Por sa do të kushtojë në të vërtetë ndërtimi i këtij inceneratori në Shqipëri? Sipas dokumentit noterial ndërmjet shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier“ Sh.p.k. dhe shoqërise “Energy Recaperator‘‘ do të duhen 15 milionë euro (pa TVSH) për blerjen e impiantit të përpunimit të plehrave dhe të prodhimit të energjisë më datë 10 nëntor, 2016. Njëra anë tragjike është se ku kanë shkuar 13 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë, por akoma edhe më tragjike është se po ndërtohet një impiant për përpunimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë (incinerator) i cili kushton 15 milionë euro, pothuajse sa gjysma e kostove reale. Kjo pjesë e munguar e gjysmës së investimit janë filtrat e pastrimit të ajrit dhe gjysma e investimit të mbetur.
Kjo bën të mendohet se incineratori i Fierit do jetë pa filtra dhe pa standarde gjë që do të çonte në shkatërrimin e popullsisë së prekur nga gazrat helmues duke ditur që gjatë djegjes së mbeturinave prodhohen lëndë toksike si: dioksinat që cilësohen nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) si një ndër kimikatet më të rrezikshme të prodhuar ndonjëherë në botë, mërkuri i cili me vetëm për pak miligramë mund të shkaktojë vdekjen nëse bie në kontakt me lëkurën. Probleme të tjera që mund të shkaktohen nga ana shëndetësore dhe mjedisore janë pa fund si në bujqësi, ushqim, ujë, frymëmarrje, lëkurë, riprodhimin te femrat, sistemi imunitar dhe qendror. Një ekspert gjerman, i cili e njeh mirë çështjen e inceneratorëve, thotë që me këtë kosto do të bëhet diçka komplet jashtë standardeve. Thjeshtë do të rrethohet një vend me 4 mure dhe do të bëhet djegia si në një ambient të jashtëm dhe kjo ështe mënyra më e thjeshtë për të bërë shpejt dhe shumë para për zyrtarët e korruptuar.
Banorët e Verrisë te kuvendi për inceneratorin: Takim me Gjiknurin
Banorët e fshatit Verri në Fier erdhën në Tiranë dhe protestuan përpara parlamentit për kundërshtimin e vendimit për ndërtimin e inceneratorit të mbetjeve. “Ne protestojmë për një të drejtë që na kanë mashtruar. Filloi ndërtimi i inceneratorit, pas një dajaku që mori fshati. Të vinë të tërë këtu. Jo vetëm ajo që mori votën dhe premtimin e thënë ta bëjë realitet, jo të gënjejë, mashtrojë dhe të rrijë strukur atje në vrimat e miut”, shprehen banorët e Verrisë. Ndërkohë, paralel me protestën e qytetarëve, në Kuvend po zhvillohej interpelancë mes ministrit Gjiknuri dhe deputetes Jorida Tabaku për çështjen e inceneratorëve.
Inceneratorët, Gjiknuri mbron “monstrat”: Janë projektet e Berishës
Ka nisur seanca plenare në Kuvend, ku edhe këtë të enjte priten debate e përplasje mes palëve politike. Seanca ka nisur me interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, kërkuar nga PD për inceneratorët në ELbasan, Fier dhe Tiranë. Fjalën e para e mori Jorida Tabaku e cila denoncoi mungesën e plotë të transparencës për dhënien e këtyre koncesioneve. Ajo dha njëkohësisht shifra për një nga firmat që ka marrë të drejtën e ngritjes së 3 inceneratorëve, e cila pa asnjë kapital dhe asnjë investim dhe ende pa kryer asnjë ditë punë ka marrë nga buxheti i shtetit, plot 15 milionë euro. Në reagimin e tij, ministri Gjiknuri theksoi se theksoi se idetë që nisi PD kur ishte në pushtet, po i vazhdon qeveria e majtë sot. “Djegia e mbetjeve, alternativa më e mirë. Incenerimi është një formë më moderne për mbetjet dhe përdoret si praktikë në vendet e zhvilluara. Është një nga varrezat më të pastra, dhe është teknologji e pranueshme. Strategjia e mbetjeve 2011 parashikon që baza e kësaj strategjia do të jetë mbledhja e mbetjeve. Landfillet janë formë primitive e trajtimit të mbetjeve”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri: Ngrini një panel parlamentar me ekspertët më të mirë dhe shkoni e shikoni si funksionon ky impiant.
Tabaku: Prej tre muaj i kërkoj qeverisë dhe ministrave dosjen ndërkohë që vetëm dy ditë më parë më kanë vënë në dispozicion procedurën për koncesionin vetëm për incineratorin e Fierit, asgjë për Elbasanin dhe asgjë për Tiranën. Pse e gjithë kjo skemë mafiozë u zbatua në funksion të dhurimit të një koncesioni një personi të vetëm në të tre qytetet. Aq i rëndësishëm ishte ky koncesion për qeverisë saqë vendosi vendosi të përshpejtojë 9 procedura në një ditë të vetme. Në 16 dhjetor të 2014 kompania u shpall fituese, afatet ligjore të ankimimit janë 7 ditë, pavarësisht kësaj brenda ditës u mbyllën ankesat po në 16 dhjetor, kjo pasi autoriteti kontraktor e dinte që nuk do të kishte ankesë sepse nuk kishte asnjë operator tjetër sepse gara u bë e fshehtë dhe e mbyllur. U dërgua drafti për mendim në të gjithë ministritë brenda datës 16 dhjetor më erdhi përgjigjja po në datën 16 dhjetor, hartohet po në datën 16 dhjetor kontrata me 40 faqe mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë, negociohet kontrata po në datën 16 dhjetor, firmoset kontrata po në 16 dhjetor dhe në 17 dhjetor në mbledhjen e qeverisë i jepet fituesit Klodian Zoto. Eficencë të tillë qeveritare nuk kemi parë.
Gjiknuri: Transparenca ka qenë e plotë. Nuk ka munguar transparenca për të vënë në dispozicion çdo kontratë publike. Çështja e mbetjeve është një nga sfidat që ka jo vetëm Shqipëria, por edhe Bota. Pra mbetjet është një nga sfidat bazë dhe menaxhimin i mbetjeve urbane është edhe përgjegjësi e autoriteteve lokale, por vendorët nuk i kanë kapacitetet kështu që roli i qeverisë është i pandashëm. Nisur nga roli i qeverisë iniciativa e PPP mbetet e vetmja formë që është e provuar jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën e zhvilluar, mbetet e vetmja zgjidhja. Pse u zgjidh alterantiva e djegies dhe e mbetjeve me prodhimin e energjisë? Pretendimi se qeveria nuk respektoi hierarkinë e trajtimit të mbetjeve, u bë si një nga mënyrat me efiçente, e cila në një periudhë afatshkurtër i jep zgjidhje problematikës së mbetjeve duke dhënë një alternativë efikase për trajtimin e tyre. Kompania më e madhe gjermane kërkoi edhe ajo të kishte interes për incinerimin e pjesës tjetër të mbetjeve duke më thënë: Incenerimi është forma më moderne dhe që sjell edhe një produkt dytësor që sjell energjinë elektrike. Ne po punojmë me këtë kompani që të krijojmë edhe një mundësi tjetër aty ku ka fizibilitet që Shqipëria të shkojë drejt këtij trendi ndërkombëtar.
Ahmetaj: Nuk kam qenë në një automjet me Klodian Zoton Gjatë interpelancës për inceneratorët në Elbasan, Fier dhe Tiranë, ka folur edhe ministri i Financave e Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ndërsa PD pretendon se mënyra se si janë zhvilluar proceset e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve si dhe lidhjet e kompanive fituese, ngrenë hije të mëdha dyshimi për ligjshmërinë dhe menaxhimin e tyre dhe lidhjen me politikën e qeverinë, ministri Ahmetaj u ndal të sqaronte si inceneratorët s’ishin asgjë tjetër veçse ato që opozita kishte kërkuar në të kalurën. “Incenerimin e mbetjeve e deshët? Shumë bukur. Ja, pra u bë ëndrra realitet. Deshët të prodhohej energji po ua bëjmë realitet. Ministrin që e ka iniciuar projektin për të zhdukur landfillet e keni në koalicion. Lefter Kokën e keni në koalicion”- tha Ahmetaj. Më tej, ai u ndal të sqarojë edhe njëherë akuzat e ngritura nga lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha se ka qënë në makinë me biznesmenin Klodian Zoto ditën kur u aksidentua në Maqedoni. “Nuk e kam mik, s’kam qënë në të njëjtën makinë. Nuk ju vjen turp? Vazhdoni merreni ende me këto, se gjoja pas Klodjan Zotës qëndron Ahmetaj. Unë të gjithë biznesmenët i njoh, miq i kam se kanë halle, këtë punë kemi. Ju thoni t’i shpalllim armiq e t’i gjuajmë nga kulla? Pse janë dy botë këtu kush kalon nga biznesi t’i biem. Nuk e kam mik, po edhe po ta kisha do isha i nderuar…”