Implikimet e Gjiknurit në miliona euro abuzime të “CEZ-Shpërndarje”

569
(Vijon nga numri i kaluar)
3). Nga auditimi i pjesshëm për shkak të dokumentacionit të mangët ekonomiko-financiar, i disa prej kompanive të mbledhjes së borxhit tё energjisë elektrike rezultoi që këto kompani kanë përfituar padrejtësisht nga “CEZ-Shpërndarje”, së paku vlerën prej 6,074,478 euro, për të cilën grupi i auditimit të KLSH shprehet me rezervë si pasojë e:
– Mungesës së një inventari të plotë të llogarive (inventar fizik të aseteve dhe inventar kontabël) të shoqërisë “CEZ-Shpërndarje”, si në momentin e kalimit të kësaj shoqërie nën administrimin e përkohshëm të shtetit më datë 21.01.2013, ashtu edhe pas kësaj date deri në periudhën e përfundimit të këtij auditimi.
– Mosdisponimit të programeve autentike të shoqërisë “CEZ-Shpërndarje”, (SAP – Programi i kontabilitetit, Billing – Programi i faturimit dhe Mobirid- Programi i leximit të matësve), mbi bazën e të cilave kjo kompani menaxhonte dhe administronte aktivitetin e saj, që nga momenti i kalimit të kësaj shoqërie nën administrimin e përkohshëm të shtetit dhe deri më periudhën e përfundimit të këtij auditimi.
– Ekzistencës së të dhënave kontradiktore në dokumentacionin e disponuar në OSHEE nga dega ekonomike, drejtoria ligjore dhe drejtoria e shitjes.
Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion u konstatua që për katër kompanitë e audituara, nga ana e shoqërisë “CEZ-Shpërndarje”, nuk disponohej dokumentacioni i plotë për justifikimin e pagesave të dhëna këtyre kompanive të mbledhjes së borxheve, duke ngritur kështu dyshime serioze për shumat e përfituara padrejtësisht prej këtyre kompanive nga shoqëria “CEZ-Shpërndarje”. Në mungesë të ekzistencës së dokumentacionit të plotë justifikues për zbatimin e detyrimeve kontraktore të kompanive të mbledhjes së borxheve, vlera prej 847,936,386 lekë do të konsiderohet si dëm ekonomik i përfituar në mënyrë të padrejtë nga ana e tyre. 

Masat e propozuar nga KLSH
Në lidhje me këtë konstatim, KLSH i ka rekomanduar Drejtorisë së Auditit të Brendshëm të OSHEE, marrjen e masave të menjëhershme për të përfshirë në veprimtarinë e saj audituese, aktivitetin e të gjitha kompanive të mbledhjes sё borxhit tё keq të energjisë elektrike duke analizuar në veçanti kallëzimin penal të Avokaturës së Shtetit, përcjellë organit të Prokurorisë me shkresën nr. 526/34, datë 24.07.2013, si dhe të organizojë punën për auditimin e plotë të veprimtarisë administruese dhe menaxhuese, ekonomike dhe financiare të “CEZ-Shpërndarje”,, për periudhën e administrimit të përkohshëm të kësaj kompanie, duke filluar nga data 21.01.2013.
4). Nga auditimi i zbatimit të kuadrit rregullator në dhënien e pagave dhe shpërblimeve rezultoi që është shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 336,986 euro, si rrjedhojë e pagesave të tepërta për shpërblime në fund të vitit, si dhe një dëm ekonomik në vlerën 29,232 euro porsa i përket shpenzimeve të ndryshme operative.
Shkelje në blerjen e energjisë elektrike
5). Nga auditimi i blerjes së energjisë elektrike në muajin dhjetor 2014 u konstatuan të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE dhe për buxhetin e shtetit, të krijuar nga eksporti i energjisë nga KESH sha dhe importit të energjisë nga OSHEE në vlerën 5,630,713 euro, ku OSHEE kishte blerë energji elektrike me çmim 22,32 Euro/Mëh më të lartë se sa çmimi i shitjes së KESH sha në këtë periudhë.
Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që ERE, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka krijuar një situate konfuze në sistemin energjetik, jo vetëm në aktet e nxjerra prej saj, por dhe në monitorimin e shoqërive që operojnë në sistemin energjetik, me pasoje financiare për buxhetin e shtetit, kryesisht duke mos përcaktuar detyrimin e dy shoqërive KESH dhe “CEZ-Shpërndarje”, për të rakorduar në lidhje me tepricat e prodhimit të KESH sha. Situatë e cila është përmirësuar vetëm në Shkurt 2015, nëpërmjet vendimit të ERE nr. 12, datë 06.02.2015 dhe marrëveshjes përkatëse ndërmjet KESH dhe OSHEE.
Veç sa më sipër, auditimi i KLSH ka evidentuar që nga ana e “CEZ-Shpërndarje”, nuk janë ndjekur procedurat për hartimin, miratimin e projekt-programit ekonomik dhe financiar, nuk është raportuar periodikisht në ERE; nuk është miratuar niveli i pagave të punonjësve në ministrinë përkatëse; ka diferenca në inventarizimin e aktiveve të qëndrueshme; ekzistojnë mospërputhje e llogarive të arkëtueshme midis sistemit të faturimit dhe të dhënave të kontabilitetit për faturat e papaguara nga abonentët, si dhe mospërputhje e detyrimeve për huat afatgjata me KESH SHA; ka mangësi në zbatimin e procedurave të prokurimit publik dhe në zbatimin e kontratave, nuk është ngritur njësia e prokurimit; studimi i vlerës së kontratës nuk është plotësisht i saktë; nuk është hartuar dhe miratuar një plan strategjik auditimi dhe plan vjetor i punës së departamentit të auditit të brendshëm; ka mangësi në procedurat dhe zbatimin e tyre për blerjen e energjisë elektrike dhe mbledhjen e borxhit të shoqëruara me dëm ekonomik, etj.
Fatura e rëndë e abuzimit
Në total, nga auditimi rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të “CEZ-Shpërndarje”, (aktualisht OSHEE) dhe për rrjedhojë edhe buxhetit të shtetit, arrin në vlerën 32,039,440 Euro dhe të ardhurat e munguara arrijnë në vlerën 5,630,713 Euro.
Me shkresën nr. 495/21, datë 25.09.2015, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal për A.S. në cilësinë e ish-Administratorit të shoqërisë “CEZ-Shpërndarje”, (përgjatë vitit 2014); E.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit të Shitjes në CEZ Shpërndarje Sh.a.; dhe J.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në “CEZ-Shpërndarje”, të cilët në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre funksionale kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe më konkretisht për shkeljet e konstatuara në lidhje me:
– Blerjen e pajisjeve dhe materialeve elektrike emergjente për nevojat e shoqërisë, në vitin 2014,
– Moszbatimin e kuadrit rregullator për blerjet e energjisë elektrike, duke e blerë atë me çmime më të larta se ato të tregut, si dhe
– Uljen artificiale të humbjeve teknike, nëpërmjet mbifaturimit të konsumatorëve.
Gjithashtu, referuar Vendimit nr. 119, datë 24.09.2015 të Kryetarit të KLSH-së në lidhje me këtë auditim, në të janë përcaktuar dhënia e rekomandimeve për 30 masa organizative, 16 masa të ndryshme disiplinore që variojnë nga zgjidhja e kontratës së punësimit deri në vërejtje, si dhe 9 masa zhdëmtimi.
Sigal