“Imazhi i ri” i bashkisë së Durrësit për gjelbërimin rrafshon rrepe 50-vjeçarë

100

Bashkia e Durrësit preu rrepe 50-vjeçarë në një nga rrugët e qytetit, duke përdorur si justifikim herë faktin se pemët ishin të sëmura dhe herë mospërputhjen e tyre me projektin e rikonstruksionit të trotuarit-ku pritet të mbillen pemë bliri dhe palma. Donika Papa, banore e lagjes së zhurmshme të Durrësit që njihet me emrin “Valuta”, prej ditësh ndjen mungesën e hijes së pemëve që binte prej dekadash mbi dritaren e apartamentit të saj të katit të tretë. Gruaja i tha BIRN se rreth 25 pemë rrapi të mbjella aty 50 vite më parë u prenë disa net më parë. Prerja u justifikua nga Bashkia e Durrësit me pretekstin se pemët ishin të sëmura. Një funksionar i saj i tha BIRN se pemët që qëndronin prej disa dekadash aty ishin të sëmura dhe se kishin shkaktuar aksidente disa herë, si pasojë e shkëputjes së degëve të tyre. “Procedura është bërë me plotësimin e procesverbalit dhe për çdo pemë të prerë, do të zëvendësohet me 2-3 pemë bliri ose palma.” tha zyrtari i Bashkisë. Por punonjës të drejtorisë së Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, një zyrë në varësi të bashkisë, dhanë një argument tjetër. Ata thanë se pemët ishin prerë në kuadër të rikonstruksionit të trotuareve dhe për këtë kishte mbërritur një urdhër me shkrim nga bashkia e Durrësit. “Kjo lidhet me krijimin e një imazhi të ri për gjelbërimin në qytet dhe pemët ekzistuese nuk përputheshin me gjelbërimin e parashikuar në projektin për rikonstruksionin e trotuareve,” bëri me dije Ndërmarrja e Gjelbërimit për BIRN-in. Ndërmarrja e Shërbimit Komunal tha po ashtu se ka pasur ankesa nga banorët për shkak të jashtëqitjeve të zogjve, aromës së rëndë dhe faktit se rrënjët e pemëve kishin ngritur një pjesë të trotuarit. Por ndryshe nga ky pretendim, disa prej banorëve të pallateve i thanë BIRN se nuk kishin qenë dakord me prerjen duke vlerësuan hijen dhe cicërimat e zogjve që këto pemë i kanë ofruar prej vitesh, që nga vegjëlia e tyre e deri së fundmi. Artan Kacani, specialist në planifikim territorit e cilësoi prerjen “një kapriçio e bashkisë Durrës”. “Duhet një analizë kosto-përfitim, pasi krasitja mund të kushtonte më pak se sa blerja e pemëve të reja dhe projekti duhej të përshtatej me gjendjen ekzistuese”, tha Kacani për BIRN. Megjithatë në bashki pretendojnë se krasitja ishte konsideruar por ajo “nuk përshtatej me projektin e rikonstruksionit të trotuarit”. BIRN mësoi se projekti nisi me rikualifikimin e segmentit të rrugës “Aleksandër Goga”, nga sheshi Liria tek Mauzoleumi i Dëshmorëve, me një vlerë prej rreth 80 milionë lekë, ndërkohë në faqen online të Prokurimeve Publike dhe në terren nuk ka asnjë tabelë apo informacion mbi vlerën e punimeve në lagjen nr. 4 dhe afatin e përfundimit të tyre. Më herët, qytetarët protestuan për punimet që po bëhen, duke krijuar sipas tyre trafik në pikun e sezonit turistik dhe si pasojë e mungesës së përfshirjes në projekt të korsive të dedikuara për biçikletat. BIRN |