Imamët kërkojnë kamerat në sallë, Gjykata: I pengon zyra e shtypit

566
Për herë të parë pas 33 seancave Gjykata e Krimeve të Rënda zbardh arsyen e ndalimit të kamerave në procesin ndaj imamëve të akuzuar për terrorizëm.
Sipas gjyqtares Liliana Baku procesi është publik por nuk mund të ndiqet nga kamerat pasi këtë e ka vendosur zyra e shtypit pranë kësaj gjykate.
Arsyetimi i togave të zeza ka sjellë tension në sallë mes imamëve dhe gjykatës, pasi të pandehurit kërkojnë që kamerat të lejohen për të ndjekur procesin ndaj tyre pasi për të lejuar apo jo kamerat vendos gjykata dhe jo zyra e shtypit.
Por publiciteti i këtij procesi është bërë pjesë e diskutimeve dhe në Këshillin e Lartë të drejtësisë, ku kreu i këtij këshilli, Presidenti Bujar Nishani ka kërkuar të gjendet një zgjidhje ligjore për të rregulluar praninë apo jo të medias gjatë zhvillimit të seancave.
Ky proces gjyqësor ka përfunduar deklarimet e dëshmitarëve dhe këtë të martë gjykata vendosi të dëgjojë provat material në ngarkim të pandehurve ku përfshihen dhe përgjimet ambientale të realizuara në xhaminë e Unazës së Re.
Afro një vit nga nisja e këtij procesi 90 % e seancave të tij janë shtyrë duke mos pasur asnjë vendim, teksa pritet që në këtë gjykatë të nis dhe një tjetër proces i lidhur me terrorizmin siç është ai ndaj Almir Dacit ish imamit nga Pogradeci. 
Sigal