Ilmi Qazimi: Për Hysen Ymerin, ushtarakun e lartë që bëri emër

1334
Sigal

Ishte energjik, i fjalës dhe i punës, i rreptë me veten dhe kërkues ndaj të tjerëve, i papajtueshëm me asnjë lloj padrejtësie

HYSEN YMERI USHTARAKU I LARTË QË BËRI EMËR

Ilmi S. Qazimi

Më 26  korrik 2019 u nda nga jeta kolonel Hysen D.Ymeri, një nga emrat e përveçëm të  aradhës së ushtarakëve shqiptarë të karrierës të  periudhës 1970-2010. E kam njohur që në pranverë të vitit 1968. Energjik, i fjalës dhe i punës, i rreptë me veten dhe kërkues ndaj të tjerëve, i papajtueshëm me asnjë lloj padrejtësie, i përthithur në dashuri për një vajzë (që ka edhe emrin Dashuri, me të cilën lidhi jetën dhe lindi katër vajza të mrekullueshme) dhe tërësisht i përkushtuar ndaj detyrës ushtarake. Pastaj jeta bëri të sajën dhe ecuria e  tij ishte sa e çuditshme aq e fuqishme. Dokumentet që shkruajnë se ku ka shërbyer janë të shumtë, por tregojnë tepër pak për karakterin e Cenit, siç e kemi thirrur ne shokët e tij të shërbimit të zbulimit. Asnjë lloj vështirësie nuk e mposhti Cenin. Mënyra se si ai e ka shpërfillur vdekjen është diçka e pazakontë. Shtatë herë i ka trokitur “te veshi” për ta rrëmbyer, por e ka sfiduar me vullnetin e oficerit guximtar, me kurajën e jashtëzakonshme dhe çudibërjen e forcave të padukshme të shpirtit të tij të  flaktë. I plagosur e gjymtuar disa herë në sheshbetejat e demonstrimeve ushtarake, kolonel Ymeri u ringrit i vrullshëm e pasionant pa u shkëputur nga profesioni që e deshi sa dhe jetën. Dhe mbeti si përherë sfidant, me vështirësi për t’u krahasuar me kënd përqark. Kolonel Hysen Ymeri nuk ka qenë vetëm një ushtarak që përgatitej për luftë, por dhe një komandant që ka marrë pjesë drejtpërdrejt në frontin e saj. E tillë ka qenë ajo ballë për ballë komandove serbe në veri të vendit në vitin  e ashpër 1999, në kohën e emigrimit biblik kosovar në atdheun mëmë.  Ndërkaq, ai njihet ndryshe si një nga miqtë e afërt të luftëtarëve të UÇK-së. Kjo sepse,veç të tjerash ai ka stërvitur për pak kohë, në rrethinat e Tiranës, edhe Adem Jasharin-legjendën e papërsëritshëm të Kosovës dhe mbarë shqiptarëve. E veçanta e posaçme e Hysen Ymerit është se ai na ka lënë,jo vetëm kujtime e vepra realisht heroike,por edhe  një libër prej treqind faqesh me vlera të shumëfishta.Aty ai rrëfen gjithçka me modesti, me krenari, me burrëri dhe herë-herë, i detyruar të ‘flasë’ në vetën e parë numri njëjës. “U rrita jetim, por nuk do të vdes i tillë. Isha oficer dhe do iki nga kjo botë si bir i kombit tim”. Kredua e kolonel Ymerit ka brenda të vërtetat e jetëshkrimit të veçantë, ku jeta me vdekjen bashkëjetuan ngjitur njëra-tjetrës, si dy motra kundërshtare, duke pritur nga çasti në çast rrëzimin e sho-shoqes. Pjesë e kësaj sfide është dhe ky libër, i shkruar me dorën e cunguar dhe në kushtet e një sëmundje të rëndë, ku shumëkush do të preferonte ngrohtësinë e shtratit a të spitalit. Po kolonel Ymeri në rrëfimin e tij e kapërcen vetën e parë me mjeshtërinë e përshkrimit për shokët dhe miqtë, me të cilët ndau përjetime e fate të njëjta. Mjaft syresh zënë vend të posaçëm në librin e tij. Plotë të tjerë, oficerë shqiptarë, amerikanë, turq, kinezë etj., bashkudhëtarë të kolonelit në kohë të ndryshme, vinë në faqet e librit sikundër janë fiksuar në kujtesën e Ymerit me po atë vlagë e nerv. “Shokët që do t’i kisha miq për tërë jetën”, siç thotë autori për mjaft prej të njohurve, që nuk jetojnë më,mbetën pjesë e krenarisë së tij, po më shumë se kaq, e mbarë korpusit të ushtarakëve që pavarësisht natyrës së regjimeve e korenteve politike, mbetën besnik të idealit të tyre si ushtarë të Atdheut. Në këtë rrjedhë autorrëfimi i kolonel Hysen Ymerit shpalos kronika të panjohura edhe nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare me dinamikën e veçantë në fushën e luftës, në manovra e sulme, me kundërgoditje e në ndonjë rast dhe me tërheqje. Si njohës i mirë i artit të taktikës, Ymeri shtjellon pa mburrje mjeshtërinë e saj të aplikuar në terren, veçanërisht atë të specialiteteve të zbulimit, radiozbulimit dhe zbulimit me trupa, të cilat i ka ushtruar për mbi tre dekada. Përshkrimet që lidhen me veprimet luftarake dhe peizazhi plot tym e predha i fushëluftimit në kufirin shqiptaro-serb në pranverën e ’99, janë një tjetër kapitull i rrëfimit të Ymerit nga pozicioni i dëshmitarit okular. Jeta e Cenit ishte dhe mbeti e “gozhduar” në trekëndëshin: Detyra, Nderi, Atdheu! Në emër të tyre koloneli dhe bashkëluftëtarët e të tij kanë kaluar një jetë me privacione në llogore, marshime, qitje, stërvitje, kushtrime luftarake dhe çdo herë thanë: “bëmë veç detyrën”.

Mik i afërt me luftëtarët e UÇK-së

(Kujtimet në një libër të Hysenit)

Kolonel Ymeri nuk ka qenë vetëm një ushtarak që përgatitet për luftë, por dhe një komandant që ka marrë pjesë drejtpërdrejt në frontin e saj. E tillë ka qenë ajo ballë për ballë komandove serbe në veri të vendit në vitin ’99. Ndërkaq, ai njihet ndryshe si një nga miqtë e afërt të luftëtarëve të UÇK-së. Mjaft syresh zënë vend të posaçëm në një libër të tij që e kemi lexuar me ëndje. Plotë të tjerë, oficerë shqiptarë, amerikanë, turq, kinezë etj., bashkudhëtarë të kolonelit në kohë të ndryshme, vinë në faqet e librit sikundër janë fiksuar në kujtesën e Ymerit me po atë vlagë e nerv. “Shokët që do t’i kisha miq për tërë jetën”, siç thotë autori për mjaft prej të njohurve, që nuk jetojnë më ishin pjesë e krenarisë së tij, po më shumë se kaq, e mbarë korpusit të ushtarakëve që pavarësisht natyrës së regjimeve e korenteve politike, mbetën besnik të idealit të tyre si ushtarë të Atdheut. Në këtë rrjedhë autorrëfimi i Ymerit shpalos kronika të panjohura nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare me dinamikën e veçantë në fushën e luftës, në manovra e sulme, me kundërgoditje e në ndonjë rast dhe me tërheqje. Si njohës i mirë i artit të taktikës, Ymeri shtjellon pa mburrje mjeshtërinë e saj të aplikuar në terren, veçanërisht atë të specialitetit të zbulimit, radiozbulimit dhe zbulimit me trupa, të cilat i ushtroi për mbi tre dekada. Përshkrimet që lidhen me veprimet luftarake dhe peizazhi plot tym e predha i fushëluftimit në kufirin shqiptaro-serb në pranverën e ’99, janë një tjetër kapitull i rrëfimit të Ymerit nga pozicioni i dëshmitarit okular. Padyshim kapitulli për Adem Jasharin mbetet më i bukuri. Në libër shtjellohen me detaje lidhjet e autorit me të, njohja në kushte kritike, ditët e stërvitjes së përbashkët në Tiranë dhe lajmi për qëndresën e jashtëzakonshme të Jasharajve të Prekazit.

Ditët me komandantin e UÇK-së

Komandanti legjendar i Kosovës Adem Jashari është trajnuar në Shqipëri. Fakti i panjohur zbulohet kështu në librin me kujtime të kolonelit Hysen Ymeri, i cili ka qenë njëri nga ushtruesit e tij. Gjithçka ka nisur në ilegalitet të plotë diku në fillimet e viteve ’90. Një grup prej 25 djemsh nga Kosova mbërritën në Tiranë për t’u përgatitur si kuadro ushtarak. Strehë e tyre u bë një kazermë ushtarake në afërsi të fshatit Surrel. Adem Jashari dallonte ndër ta, kujton kolonel Ceni për pasionin për armët dhe saktësinë e lartë në qitje. Po mbi të gjitha ai ka mbetur në kujtesën e autorit të librit si njeriu i bindur, se pa qëndresë shembullore dhe sakrifica të jashtëzakonshme Kosovës nuk mund t’ia jepte kush lirinë. Adem Jashari mbetet krenaria e Hysen Ymerit.

Sot…

Sot, ne shokët e tij  mburremi që patëm një shok-emblemë e oficerit  të gjithanshëm shqiptar,pasardhësit e tij, kudo që janë nëpër glob,nipër e mbesa, le të krenohen se lindën e jetuan  në një kohë kur emri i tij  lëshon rreze  luftarake ,atdhetarie si pakkush tjetër  në këto dyzet vite fund- fillim shekujsh shqiptarë. Adem Jashari mbetet krenaria e Hysen Ymerit. Dhe vetë Hysen Ymeri, që zemra na thotë “e kemi përherë këtu pranë”, natyrshëm shton radhën e atyre për të cilët, pasardhësit e ushtrisë shqiptare dhe mbarë kombi  u janë mirënjohës për jetë të jetëve.