Ilir Vata/ Stalini në qendër të Tiranë

764
Sigal

Kohët e fundit është rihapur debati për ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit dhe figurat më të larta të maxhorancës janë shprehur për hapjen e dosjeve dhe kjo ndodhi pikërisht kur u hap bunkeri i nëndheshëm anti-bërthomor i diktatorit Enver Hoxha me deklaratën e kryeministri pro këtij ligji, duke shtuar se duhen hapur në dritën e diellit arkivat e diktaturës dhe renimishencat e saj.

Vetëm pak ditë më vonë edhe kreu i Kuvendit u shpreh pro hapjeve të dosjeve dhe i menjëhershëm pas tij, ka qenë dhe institucioni i presidencës për një miratim të një ligji të tillë, ndërsa mungojnë shumë zëra të partive politike, parlamentare e jo parlamentare që nuk i janë bashkuar kësaj nisme.

Të gjitha këto lëvizje erdhën pas deklaratës së bujshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu që pati në shënjestër diktatorin Hoxha dhe portretin e tij që në aktivitete të vlerave kombëtare është shëtitur në Tiranë pa pikën e ndrojtjes, madje dhe në prani të liderve të maxhorancës.

Por edhe pas deklaratave të politikanëve të lartë të maxhorancës për hapjen e dosjeve dhe reagimit të grupeve të interesit, diktatori u ringjall me portretet e tij dhe Partisë Komuniste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ditën e çlirimit të vendit që përkonte me 70 vjetorin e saj.

Politika ishte indiferente, ndonëse opozita iu përgjigj me një grup deputetësh që vijnë nga shtresa e të përndjekurve dhe mbështetës të tjerë për të bërë diversitetin ose një farë kundrapeshe, si për të vijuar dasinë e një dite më pare, pasi opozita e festojë 102 vjetorin e pavarësisë, njëherazi me atë të çlirimit.

Pra, politika me kujdes bëri një dasi formale, por po të gërmosh ndër vitet e tranzicionit edhe opozitarët e sotëm kanë pasur një qëndrim nihilist me ligjin e dosjeve për të vetmin fakt se figurat kryesore të opozitës janë të pleksur me të shkuarën dhe për faktin se gradualisht opozita parlamentare është spostuar nga qendra dhe majtas që në qeverinë e fundit, duke spostuar partitë tradicionale të djathta madje dhe partitë e të përndjekurve dhe pronarëve dhe kësisoj shuan interesin për një transparencë morale.

Në këtë kuptim, loja me dosjet ngjasojnë një lojë për të trembur kundërshtarin sesa një detyrim për të parë të shkuarën diktatoriale ashtu siç është, një realitet historik që t’u shërbej brezave që regjime të tilla të mos vijnë më.

Mazhoranca bëri deklaratën më të bujshme në këto 23 vite tranzicion dhe dha shkëndijën e parë për ta lënë pas tranzicionin, pasi ndonëse është pikërisht partia e vetë diktatorit, kërkon të bëjë një kalim nëpërmjet ligjit si mundësi për të sjellë një transparencë morale, por qytetarët mendojnë me dyshim dhe shtrojnë pyetjen se a ka seriozitet ky angazhim i së majtës?

Si për të dokumentuar realitetin, Shqipëria ende nuk ka një muze për të treguar krimet e diktaturës dhe i pari që shënoi një iniciativë të ngërdheshur është Bunk’ art që shënohet si nisma e parë, që ka gërshetuar elemente të diktaturës, eksponentëve të saj, copëza nga e kaluara e hidhur e të përndjekurve, por më shumë në Bunk’ art janë artifaktet e diktaturës.

Vendet ish-komuniste i kanë zgjidhur në forma të ndryshme vendosjen e realitetit si në këndin historik ashtu dhe në formën e boceteve artistike dhe një shembull i ngjashëm është ai i Hungarisë ku figurat e diktaturës qëndrojnë në një pavijon, hapësirë publike bashkë, ndonëse atje komunizmi ka qenë i butë në krahasim me krimet që janë bërë në Shqipëri nga diktatura.

Por si do ta zgjidhë, Shqipëria?! Kjo mbetet për t’u parë te serioziteti i politikës, realiteti i saj i lidhur me të shkuarën, por që është e vetmja mundësi për të shkundur politikën nga e kaluara diktatoriale dhe mendësitë e saj të errëta.

Për t’ a ilustruar realitetin, se me sa seriozitet e ka klasa politike dhe maxhoranca hapjen e dosjeve po sjellim një copëz të diktaturës që qëndron vetëm 30 metra nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe pikërisht në oborrin gjysmë të hapur të galerisë së artit në Tiranë (pamjet janë të 30 nëntor 2014).

Në mëngjesin e sotëm, ndërsa po rrugëtoja bregut të Lanës, ngjitur me katedralen ose fushat e zeza në kohë të diktaturës (këndet sportive) shoh në sfond një dorë që ngrihej. Për një çast mendova se dikush më përshëndeti, por kur pashë më vëmendje atje qëndronte Stalini me dorën lartë që dukej sikur përshëndeste turmat.

Për fat të keq, parcela ngjitur me hotel “Dajtin” ishte e mbushur me ferra dhe rrethuar me tel me gjemba se me zor kalova që t’ju afroj shokut Stalin.

Sigurisht që ky bust ishte spostuar tridhjetë metra, por miku im që më shoqëronte tha se busti që ka qenë në bulevard “Dëshmorët e Kombit) paraqiste Stalinin me një dorë në xhepin e palltos dhe për këtë ka pasur dhe barcaleta, pasi përballë tij ishte diktatori Hoxha, por nga kujtesa më rezulton busti i Stalinit vendosur në kombinat të Tiranës para kompleksit tekstil ruhej me fanatizëm në qendër të kryeqytetit.

Ajo që ishte interesant ishte së në skaj të Stalinit ishte dhe shoku Lenin, dhe në radhë disa partizanë të gjorë që ishin sa një e pesta e diktatorit të Rusisë dhe botës. Pasi u bëra nga një foto, mendova t’ua server si realitet që flet vetë dhe kjo tregon qartë se sa seriozisht e kanë marrë dënimin e diktaturës dhe ndalimin e diktatorëve në sheshe publike dhe qarkullime në demonstrime, qofshin dhe paqësore dhe shembull për këtë janë vendet perëndimore që ndalojnë me ligj këta vrasës të njerëzimit që të jenë prezent dhe kontakt me publikun.

Parlamenti shqiptarë, duhet me doemos të miratoj ligjin për dënimin e krimeve të komunizmit në përputhje me kartën e të drejtave të njeriut, rezolutën e OKB-së dhe rezolutën e Këshillit të Evropës në janar të 2006 dhe të ndalohen me ligj ekspozimi i diktatorëve në Shqipëri.

Ligji i dosjeve është faktor kyç, jo vetëm për transparencën me të shkuarën dhe si një mundësi reflektimi, por është jetësore për politikën dhe pastrimin, shkëputjet e saj me të kaluarën diktatoriale, pasi politika shqiptare jeton më shumë në renimishencat e të shkuarës sa në vlerat e së ardhmes.

Një çerek shekulli dhe Shqipëria ka ngelur në rrethin pa krye të tranzicionit, madje po na e shndërrojnë si mundësi qeverisje përtej kushtetutës dhe realitetit sa Shteti shqiptarë është aq i deformuar sa duhen dekada të tjera për ta formatuar në një shtet demokrati dhe një shtet të së drejtës.

Duhet të niset nga fillimi, duke ruajtur këto vlera që kemi arritur në postdiktaturë dhe kuruar ato që ngjasojnë me modelin e së shkuarës dhe fakti se Stalini është i “gjallë” në qendër të Tiranës tregon se serioziteti duhet të kishte nisur që ditën që kryeministri foli më 22 nëntor në Bunk’ art…!