Ilir Meta: Vota për LSI-në, investim i sigurt për stabilitetin dhe zhvillimin

509
Sigal

TAKIMET/ Deputeti Nasip Naço, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi dhe kreu i LSI-së inauguruan urën në Komunën Vëndreshë

Pas disa takimeve me strukturat e degëve të LSI-së në qytetet: Skrapar, Poliçan dhe Berat, lideri i LSI-së, Ilir Meta ka deklaruar në një prononcim për gazetën se, LSI-ja është tepër e sigurt për rezultatin e saj në 23 Qershor në të gjithë Shqipërinë dhe aq më tepër në Qarkun e Beratit, pasi kjo forcë politike ka nxitur krijimin e vendeve të reja të punës dhe është një forcë politike konstruktive, që punon për stabilitetin dhe për integrimin e vendit, që ka filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të konfliktit. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Qarkut Berat, Nasip Naço, ka zhvilluar një sërë takimesh në këtë qark. Ai mori pjesë në një takim entuziast me qindra banorë të qytetit të Poliçanit, gjatë një takimi të zhvilluar në Çorovodë, vizitoi një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra si dhe mori pjesë gjithashtu edhe në ceremoninë e përurimit të urës tip “Bejli” të ndërtuar nga forcat e armatosura në Komunën Vëndreshë. Në takimin në një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se LSI do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zgjeruar aktivitete të tilla, por edhe aktivitete të llojeve të ndryshme që hapin vendet e rejat të punës. Sipas tij punësimi është obligimi kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që në përurimin e urës në Komunën Vëndreshë, z. Meta ishte i shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi. Z. Meta duke i falënderuar Forcat e Armatosura tha se kjo urë shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone. Ndërsa në takimin e madh të zhvilluar me qindra banorë të qytetit të Poliçanit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se është domosdoshmëri forcimi i stabiliteti të vendit, por edhe Shqipëria duhet të ecë më shpejt. Sipas tij për këtë duhet gjetur një e mesme e artë dhe e mesmja e artë është LSI-ja. Lideri i LSI-së tha se përmes fuqizimit të LSI-së do të normalizohet Parlamenti dhe do të përmirësohet klima politike në vend, sepse LSI ka filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të konfliktit. Sipas tij rezultati i jashtëzakonshëm më 23 Qershor do të jetë një “ngjarje e sigurt”. Sipas kryetarit të LSI-së çdo votë për LSI-në është një investim për një Shqipëri më të mirë, për një Parlament më normal, për një klimë politikë sa më të mirë.