Ilir Demalia i shkruan Ilir Beqes: Desh vdiqa në spitalin tuaj!

761
Të gjithë qytetarët dhe biznesmenët shqiptarë u shqetësuan për gjendjen e rëndë të 10-vjeçarit Kristi, i cili priste ndihmën e shtetit tonë, që ta ndihmonte të bënte një transplantim të mëlçisë në një klinikë në Itali. Mirëpo shteti shqiptar, prej 1 viti, nuk gjente dot 150.000 euro që i duheshin Kristit të bënte transplantimin. Edhe kur qytetarët dhe biznesmenët kontribuuan për të mbledhur shumën e duhur, sërish shteti shqiptar, u tregua krejtësisht indiferent, aq sa nuk i dha Kristit 10-vjeçar asnjë autoambulancë, që ta çonte deri te aeroporti “Nënë Tereza”. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për të dëftuar deri në fund shpërfilljen shtetërore, guxoi dhe deklaroi, që rasti i Kristit nuk përbënte urgjencë, pasi kishte 1 vit që ishte i shtruar. Kaq hapur, arroganca dhe shpërfillja e Ministrit të Shëndetësisë, ndaj një jete të një fëmije 10 vjeçare, i cili priste ndihmën e shtetit shqiptar t’i shpëtonte jetën e tij. Për më tepër, Kristi i sëmurë prej 1 viti, priste nga kjo qeveri e Rilindjes ndihmë për jetën e tij, meqë kjo Rilindje u premtoi shqiptarëve shërbim shëndetësor falas. Kristi është bashkëmoshatar me djalin e ministrit Beqaj, ndaj kemi të drejtë të pyesim Ministrin Beqaj: Po sikur Kristi 10 vjeçar të ishte djali juaj, a do të thoshit që gjendja e tij nuk ishte …urgjente, zoti Ministër i Shëndetësisë?
Keti Bashhysa: Mjekët italianë thanë për Kristin: E sollët me vonesë
Kristi Maze, arriti të shkojë në Itali me kontributin e qytetarëve, mirëpo mjekët italianë janë shprehur: E keni sjellë shumë vonë. Meritë kjo e Ministrit të Shëndetësisë shqiptare. O Beqaj! Falëndero Zotin, që unë nuk jam prindi i këtij vogëlushi.
Ministri Beqaj: Rasti i Kristit, nuk është një rast urgjent
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi pardje se, rasti i vogëlushit Kristi Mazes nuk ishte urgjent. Teksa është pyetur për faktin se pse spitali nuk vuri në dispozicion një autoambulancë për ta transportuar atë nga Pediatria drejt aeroportin “Nënë Tereza”, pasi do udhëtonte privatisht drejt Italisë për t’iu nënshtruar një transplanti, Ministri Beqaj pohoi se, kjo çështje duhej të diskutohej me institucionin në fjalë, domethënë spitalin publik, ku ishte shtruar. Kjo pasi, pas daljes nga spitali, Kristi u transportua drejt Rinasit me mjetin privat. “Rasti i Kristit nuk është një rast urgjent. Kristi Maze vuan nga një sëmundje që trajtohet prej 1 viti. Për ambulancën duhet të diskutohej me spitalin”, u shpreh ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Ilir Demalia: QSUT-ja, si baraka të spitaleve të Luftës Parë Botërore në fushë beteja.
Ilir Demalia është një personazh i njohur i Shqipërisë së viteve ’80. Punonjës i Kinostudios në atë kohë ai u bë ndër kontestuesit e regjimit komunist. Shumë i njohur si një prej atyre që hynë në Ambasadat e huaja në korrik 1990, Demalia u largua nga Shqipëria, duke puthur tokën në 13 Korrik 1990. Ai u vendos në Gjermani e më pas në SHBA, ku jeton ende. I kthyer në Shqipëri për promovimin e librit të tij “Guri i fundit i dominosë”, që flet për ngjarjet e 25 viteve më parë, Ilir Demalia ka pësuar një problem shëndetësor. Është shoqëruar në spital, prej nga i tmerruar i ka dërguar këtë letër Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja. Ja letra e tij:
I nderuar zoti Ministër!
Të hënën, më 16 nëntor, duke pirë kafen me miqtë e mi tek Kafe Melburni në rrugën “Asim Vokshi”, rashë në gjendje kolapsi, kjo pak e rëndësishme. Miqtë e mi, midis tyre gazetari Hektor Pustina, të alarmuar, pasi për 1 deri dy minuta nuk kishte asnjë rrahje pulsi dhe shenjë jete, lajmëruan urgjencën. Për të mos u zgjatur, sollën ambulancën që më shumë ngjasonte si një autoburg i kohës së diktaturës, se një ambulancë për të shpëtuar jetën, siç dhe duhet të jetë urgjenca. Gjatë dërgimit për në spital, koka ime herë mbas here përplasej në një hekur, ku ende janë shenjat e dy xhungave. Në spital, kur dola nga gjendja, kuptova që isha në një korridor, që ngjasonte me Pazarin e Gjësë së gjallë, dikur te bregu lumit Tiranës. Në dy anët e korridorit të shtrirë në krevate hekuri si reparti ushtarak, të sëmurë që merrnin serum, si dhe unë. Vizitorë, kalimtarë, hallexhi , kalonin duke ngritur tubat që i jepnin serum të sëmurëve, duke bërtitur, që më sillte në mendje pamjet e fushë luftërave sot në Siri. Në vend të nënkokës më kishin vënë xhaketën time, ku telefoni që kisha në xhep më vriste dhe nuk isha i mundur ta lëvizja. Kur erdha në gjendje, hoqa serumin vetë, u ngrita dhe dola nga spitali. Më pyeti një doktoreshë: Ku po shkoj?…. Ju gjegja se, erdha për ndihmë, po këtu është porta e ferrit. U largova me miqtë e mi. 
Ju drejtohem ju, zoti Beqja
Si ka mundësi, një Ministër i Rivdekjes së shqiptarëve, të harxhoj paratë e taksapaguesve shqiptarë, me Jaguarë, të shpenzojë miliona për sendet e lukset dhe spitalet janë në gjendje më të rëndë, se në 1938. Vazhdoni kështu, zoti Beqaj, se do ju mbysë shumë shpejt zullumi juaj.
Sigal