Ilir Beqja lë pa rezerva gjaku qarkun e Elbasanit

505
Vetëm pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë, u ka nisur një urdhër të “prerë” të ministrit Ilir Beqja gjithë spitaleve të qarkut të Elbasanit, (mësohet se u është transmetuar edhe rretheve të tjera) ku u kërkohej që “brenda ditës së hënë datë 18 korrik 2016, të nisni gjithë sasinë e gjakut që keni në dispozicion, pasi kemi nevoja urgjente”. Burime tepër të besueshme nga tre spitalet rajonale të qarkut Elbasan i thanë “Telegraf” se “javën e kaluar ka ardhur urdhri i Ilir Beqajt, duke boshatisur të gjitha rezervat e pakta që kishim me gjak dhe duke na vendosur në vështirësi serioze për jetën e qytetarëve. Urdhri duhet zbatuar, kështu që ditën e hënë u nisën nga tre spitalet rajonale gjithë sasia e gjakut, duke krijuar një situatë që mund të rrezikojë jetën e të aksidentuarve, nënave shtatzëna, apo rasteve të tjera, por urgjente janë nevojat edhe për sallat e operacioneve, por duhet zbatuar një urdhër i çuditshëm”. Sipas të njëjtave burime mësohet se “ka patur kundërshtime nga Spitali Elbasanit, Gramshit, Peqinit dhe Librazhdit, por duket se urdhri me shkrim është përsëritur edhe me mesazhe dhe gojarisht me celularë nga eprorët e Ministrisë së Shëndetësisë”. 

Shqetësim te mjekët dhe familjarët

Kjo situatë e pazakontë ka krijuar shqetësime tek mjekët dhe familjarët e pacientëve në tre Spitalet Rajonale të qarkut Elbasan. Mjekët dhe infermierët e bandës së gjakut në tre spitalet u shprehën se “jemi në siklet për rastet urgjente, kemi patur deri dje tre aksidente me 7 të plagosur, në Elbasan, Gramsh dhe Librazhd, kemi patur disa raste të tjera urgjente tek Maternitetet e këtyre qyteteve, dhe nuk e kuptojmë se si mund të boshatisen rezervat e gjakut dhe t’i nisen Tiranës, kur ne kemi vuajtur për të siguruar sasinë e nevojshme nga dhurues vullnetarë, por edhe nga anëtarët e shoqatës, të cilët nuk janë paguar prej kohësh”. Urdhri më i fundit ardhur nga Ministria e Shëndetësisë, vjen në vazhdën e urdhrave skandalozë që lëshon dhe firmos kreu i saj Ilir Beqja, ku më i fundit ishte ai i largimit të 70 për qind të sanitareve nga spitalet e këtij qarku, duke zhytur në pisllëk pavijonet dhe ambientet e tyre. Shumë mjekë të qarkut dhe punonjësit e bandave të gjakut në tre spitalet e qarkut i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë, të anulojë urdhrin skandaloz, sepse çdo pacient i rrezikuar do të jetë faturë për atë institucion dhe kreun e saj Ilir Beqja. Pothuajse çdo javë vetëm Spitalet e Elbasanit pranojnë mbi 45 raste urgjente që kanë shpesh nevojë për gjak, po ashtu edhe Gramshi dhe Librazhdi, rrethe me zona malore dhe raste të shpeshta aksidentesh. 

Ngjarje e rëndë në Gramsh

Muajin e kaluar, Spitali Gramshit për mungesë gjaku ka rrezikuar jetën e një gruaje shtatzënë, e cila ka shpëtuar falë gjakut të ardhur nga Elbasani, të cilin e ka marrë me “mik” bashkëshorti saj, duke porositur taksinë, dhe jo autoambulancën e institucionit. Mjekët shprehen se “muajt e fundit kemi patur mungesë të sasisë gjakut, dhe ishte akumuluar diçka falë dhurimit vullnetar të disa studentëve, gjimnazistëve dhe disa zyrtarëve nga disa institucione shtetërore, po prej të hënës në rast se e nisim drejt Tiranës, edhe ne mbetemi zero”. Pavarësisht faktit se Tirana, si kryeqytet i vendit me një popullsi prej afro 1 milion banorësh, mund të ketë më shumë nevoja për gjak në spitalet e saj, nuk do të thotë se rrethet e tjera duhet detyrimisht të boshatisin rezervat e tyre të pakta, dhe kjo me një urdhër nga një ministër inkompetent. Ditën e diel në urgjencat dhe kirurgjitë e spitaleve të qarkut Elbasan, ishin paraqitur të paktën 6 raste të ndërlikuara, ku tre prej tyre detyrimisht kishin patur nevojë për gjak. Kjo situatë, detyron edhe njëherë mjekët dhe drejtuesit ti bëjnë thirrje Ministrisë Shëndetësisë, ta rishikojë urdhrin e “prerë”, dhe ti lërë të qetë ata, në punën e tyre të përditshme, në shpëtimin e jetëve në rrezik. 
Maksim TUFA
Sigal