Ilir Bejtja: “Zhvillimi i zonave rurale do të jetë në qendër të vëmendjes tonë”

77

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kandidati për deputet në Qarkun e Elbasanit, i gjashti në listën e Partisë Socialiste

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, kandidati për deputet i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Ilir Bejtja ka komentuar fushatën zgjedhore që do të mbahet më 23 Qershor. Bejtja fillimisht është ndaluar tek kandidimi i tij, të cilin e ka cilësuar si një detyrë që kërkon edhe kontributin e tij, duke shpjeguar më pas platformën e PS që po paraqitet para elektoratit. Sigurisht, e ka mbyllur këtë intervistë me premtimin se do të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, duke mbrojtur votën e gjithsecilit.

Si e keni pritur kandidimin tuaj?

E kam pritur normal, si një detyrë që kërkon kontributin tim për fitoren e Partisë Socialiste.

Me çfarë platforme do të paraqiteni përpara elektoratit tuaj?

Zona që unë mbuloj është Kurora e Elbasanit, Komunat Labinot Mal, Labinot Fushë, Funar, Gracen, Bradashesh dhe Papër. Këto komuna vuajnë mungesë tragjike të rrugëve, ujitjes, kullimit, ujit të pijshëm, nuk nxjerrin dot produktet në treg me çmime konkurruese, paguajnë çmime të larta, më të lartat në Ballkan për inputet e bujqësisë (baza materiale për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë), paguajnë çmime shumë të larta për miellin dhe bukën e përditshme, kanë një shëndetësi të degraduar dhe me mangësi shumë të mëdha dhe kushtet në shkolla janë akoma të vështira. Këto komuna, edhe pse në shumicën e tyre të qeverisura nga PD, janë të lëna pas dore me investime dhe nocioni “qeveri” për to është konvencional, një emër ose koncept për të mbushur programin televiziv dhe asgjë më shumë. Deputetët e maxhorancës as nuk i njohin (në fakt nuk kanë si të shkojnë në zonë, sepse i kanë shkel me këmbë fshatarët dhe i konsiderojnë ata si qenie të përçmuara). Platforma ime dhe e PS për këtë zonë në veçanti dhe fshatin në përgjithësi është ulje më shumë se 30% të çmimit të inputeve bujqësore e blegtorale (të gjithë bazës material dhe shpenzimeve të tyre), heqje pa kufizim në vlerë e TVSH për makineritë dhe veglat për bujqësinë e blegtorinë, ulje e çmimit të karburantit për makineritë bujqësore duke synuar çmimin e rajonit për këtë shpenzim me më pak se 120 lek/litër, plotësim me personel shëndetësor të fshatit dhe ndryshim rrënjësor në cilësinë dhe menaxhimin e shërbimit shëndetësor ne veçanti në fshat, kujdes të plotë për shëndetin e nënës dhe fëmijës, eliminim të analfabetizmit dhe rivendosje në çdo nivel të arsimit profesional në bujqësi. Në veçanti për këto komuna të kësaj zone, brenda dy viteve të para nuk do ketë shtëpi që nuk do t’i shkojë rruga deri në derë e bujk apo blegtorë që nuk do ketë mundësi të nxjerrë produktet ne rrugë e në treg pa i dëmtuar ato. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjithë rrjetin rrugor të zonës duke asfaltuar çdo rrugë deri në qendrat e fshatrave dhe duke lidhur me rrugë rurale çdo lagje e fshat. Do të ndërtojmë më shumë se gjashtë rezervuare që do të fusin nën ujë fshatra të tërë në malësi dhe njëkohësisht do të furnizojmë me ujë të pijshëm çdo lagje fshati. Do të zbusim papunësinë në fshatrat me pak tokë ose pa tokë duke krijuar mundësi për punësimin e tyre në industritë e instaluara në zonë. Do të ngremë antena përforcuese sinjali televiziv në çdo zonë të thellë malore, ku sot nuk shikohet as TVSH e jo më kanalet e tjera TV gjë, e cila ka varfëruar shumë jetën sociale në fshat. Shërbimi shëndetësor do jetë në qendër të vëmendjes dhe performancë e tij do të ndryshojë e përmirësohet rrënjësisht brenda vitit të parë të qeverisjes socialiste. Shkolla si në fshat edhe në qytet do të shërbejë për të mësuar fëmijët dhe nxënësit e jo për t’i dërguar ata me forcë nëpër mitingjet e qeverisë bashkë me mësuesit e nuk do të terrorizohet më nën presionin e manipulimit politik deri duke shfrytëzuar mbledhjet e prindërve siç bën sot Berisha. Ajo do të jetë në dinjitetin dhe vendin e saj në shoqëri. E gjithë kjo përmbledhje e shkurtër është një Rilindje për fshatin pa ngjyrë, por që ai të marrë dinjitetin e tij dhe të jetë në bazë të zhvillimit ekonomik e social të gjithë Shqipërisë.

Sa deputetë mendoni se do të marrë forca juaj politike?

Ne do të garantojmë fitoren e Partisë Socialiste si në qark edhe në shkallë republike, duke marrë kështu një mandat të fortë për qeverisjen e vendit. Do të fitojmë me rezultat të thellë.

Si i shihni kandidatët kundërshtarë?

Nuk kam komente personale për ta, por dua të theksoj se, ata e kanë humbur shansin për të kërkuar votën si në zonën që unë mbuloj edhe në të gjithë Shqipërinë, si për katastrofën ekonomike, ku e kanë çuar vendin dhe fshatin në veçanti, ashtu edhe për çdo dëm që i kanë sjellë demokracisë në vend me korrupsionin që e kanë ngritur në institucion duke kapur majat e korrupsionit botëror e duke u krahasuar vetëm me diktaturat ushtarake në botë, pa harruar edhe dëmtimin e kolonave themelore të demokracisë: fjalën e lirë, shtetin e së drejtës, demokracinë dhe votën e lirë.

Sipas jush, cilat janë sfidat që do të përballeni në këto zgjedhje?

Presioni i vazhdueshëm i makinës shtetërore ndaj zgjedhësve me çdo mjet, përpjekjet për manipulim, të cilat janë edhe tipari kryesor me të cilin populli e identifikon PD dhe Berishën, presioni ekonomik mbi çdo njeri të angazhuar në sipërmarrje, dhuna elektorale që ka qenë tipar i të gjithë zgjedhjeve që ka organizuar PD deri tani dhe angazhimi i paturpshëm i të gjithë administratës shtetërore në rreshtat e PD për të manipuluar e dhunuar votën e lirë.

Si i gjykoni rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Qarkun tuaj?

Të manipuluara.

A mendoni se keni struktura të mjaftueshme për të mbrojtur votën dhe për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në këtë qark?

Po, kemi strukturat e nevojshme për të mbrojtur votën e lirë dhe njëkohësisht do të kemi me vete atë ditë të gjithë qytetarët, por edhe asistencën e komunitetit ndërkombëtar.