ILDKPKI kallëzon penalisht 14 gjyqtarë dhe 2 prokurorë

544
14 gjyqtarë dhe 2 prokurorë do të përgjigjen në prokurori për pasuritë e dyshimtë pas denoncimit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI). Të gjithë janë kallëzuar për akuzat e pastrimit të parave, fshehje të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Burime për media thanë se gjatë kontrollit të imtësishëm të deklaratave të pasurisë u konstatuan shkelje. Vlerat për të cilat bëhet fjalë, nisin nga 200 mijë euro deri në 3 milionë euro. Nuk ka qenë e lehtë të kapen shkeljet. Gjyqtarët dhe dy prokurorët kishin dorëzuar deklarata e kontrata të shumta, me të cilat tentonin të justifikojnë si dhurata, kontrata shit-blerjesh, e qirash, biznese të ndërtimit apo edhe në formë borxhesh. Në të gjitha rastet, inspektoret konstatuan se këto kontrata e deklarata janë fiktive dhe të falsifikuara. Për këtë arsye, përveç akuzës së fshehjes së pasurisë ata janë kallëzuar edhe për falsifikim të dokumenteve dhe pastrim të parave. Për këto tre akuza, mësohet se janë kallëzuar penalisht edhe dy prokurore, të cilët janë proceduar edhe për akuzën e korrupsionit. Përveç kallëzimeve, zyra pranë kryeinspektorit njoftoi se janë gjobitur me nga 400 deri 450 mijë lekë gjobë 2 gjyqtarë të tjerë për shkelje administrative. 
Kallëzime dhe gjoba, pas kontrollit gjatë një viti
Këto kallëzime dhe gjoba, mësohet se janë proceduar pas kontrollit të kryer gjatë vitit 2014 – 2015. Pritet që të publikohen të dhëna të reja, mbi raportin e kontrollit të pasurisë së gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës dhe atyre të rretheve. Ndërkaq, prej dy muajsh po intervistohen një nga një të gjithë prokurorët e kryeqytetit dhe drejtuesit e tyre për deklaratat e pasurisë. Përveç shkresave dhe dokumentacionit shoqërues për këtë pasuri, mësohet se inspektorët e ILDKPKI po kontrollojnë edhe sistemin TIMS për lëvizjet e tyre jashtë Shqipërisë dhe mbulimin financiar të këtyre udhëtimeve. Të pyetur për këtë fakt, zyrtarët të ILDKPKI-së thanë për mediat se janë në fazën përfundimtare të kontrollit mbi 800 subjekte, që nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Lartë, Apelit, Shkallës së parë e prokurorët e të gjitha shkallëve dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky kontrolli i imtësishëm dhe gjithëpërfshirës vjen pas ndryshimit të ligjit, ku është hequr tashmë kontrolli me short i pasurisë së zyrtarëve të administratës shtetërore. Me ndryshimet e reja ligjore, është parashikuar që brenda një afati 7 vjeçar të kontrollohen dhe filtrohen të gjithë pasurit e zyrtarëve të shtetit që janë subjekt të deklarimit të pasurisë dhe pjesëtar të ngushtë të familjarëve të tyre.
Sigal