Ilaçi i ri kundër kolesterolit

601
Një ilaç që vepron si një vaksinë ka treguar se ulë kolesterolin e keq ose LDL dhe zvogëlon sasinë e pllakëzave yndyrore që shkaktojnë sulme në zemër. Ilaçi i quajtur AT04A, është një formë imunoterapie që synon një enzimë, të quajtur PCSK9, e cila kontribuon në formimin e pllakëzave të dëmshme në arteriet koronare.

Në studimet e minjve të ushqyer me yndyrë, dieta të stilit perëndimor, duke i vënë ata në rrezik për sëmundje të zemrës, mjekët panë se ilaçi uli sasinë e përgjithëshme të kolesterolit me 53% dhe zvogëloi pllakëzat aterosklerotike me 64%, thotë Oliver Siegel i firmës austriake farmaceutike AFFiRiS.

AT04A ishte në gjendje të ndikojë sistemin imunitar për të prodhuar antitrupa që bllokojnë enzimin PCSK9 në qarkullimin e gjakut tek minjtë në studim. Studimi u botua në revistën European Heart.

Qasja imunoterapeutike, sipas zotit Siegel, është e ngjashme me një vaksinë në kuptimin që nuk ka për qëllim bakteret dhe viruset, por vetëm enzimën e dëmshme.

“Ajo që disa studime kanë treguar është se pacientët, të cilët kanë patur një goditje në zemër, me ilaçin e ri këta pacientë do të kishin relativisht më pak gjasa për t’u prekur dhe pacientët të cilët nuk kanë patur një goditje në zemër do të kishin akoma më pak gjasa për t’u prekur prej goditjes”, thotë zoti Siegel.

Pllakëzat e yndyrës që zhvillohen në enët e zemrës mund të pengojnë rrjedhën e gjakut, duke shkaktuar goditje në zemër. Nëse një pllakëz udhëton në tru, ajo mund të shkaktojë goditje. Sëmundjet e arterieve koronare janë shkaku kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve në mbarë botën.

Zoti Siegel thotë se ilaçi i ri mund të injektohet në lëkurë një herë në vit si imunizim. Pas përfundimit të studimeve edhe në njerëz, ilaçi për uljen e kolesterolit dhe pengimin e pllakëzave yndyrore mund të dalë në tregun farmaceutik brenda pak viteve të ardhshme.
Sigal