Ikonat e muzeut “ONUFRI”, po rrezikohen nga lagështia

771
Sigal

SHQETËSIM/ Flet Arjan Prifti, përgjegjësi i muzeut kombëtar “ONUFRI” në Berat

Muzeu etnografik kombëtar “ONUFRI”, i cili mban emrin  e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek.XVI,  ONUFRI ndodhet në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e qytetit të Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Kjo kishë është rindërtuar në vitin 1797 dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX-të.

Pasuria kombëtare

Por e gjitha kjo pasuri kombëtare, e cila u ka rezistuar shekujve, ka filluar të degradoj dhe shkatërrohet pas viteve ’90. Kjo “fal” eksperimenteve dhe indiferencës së autoriteteve të pushtetit dhe kulturës, të cilët veç  mungesës së vëmendjes nuk dëgjojnë as që të financojnë disa prej projekteve që do të bënin të mundur ruajtjes e këtyre vlera të papërsëritshme. Arjan Prifti, përgjegjësi i muzeut kombëtar “ONUFRI”, si dhe përgjegjësi i sektorit të ikonografisë shprehet për gazetën “Telegraf”, se muzeu “ONUFRI” është një nga objektet më të rëndësishme  të trashëgimisë kulturore në qytetin e Beratit. “Objekti ka nevojë që të ndërhyhet në disa elemente të çatisë, e cila për shkak të reshjeve fut lagështi. Pjesa e çatisë kërkon ndërhyrje pasi nuk kemi të bëjmë me një çati të zakonshme, por një çati me element të plumbit në kupolën e saj. Nisur nga gjendja dhe problematika aktuale kërkohet riparja dhe restaurimi i të gjithë çatisë, por edhe i objekteve pranë ndërtesës së muzeut që mund të krijojnë kapilaritete dhe elementë të  lagështisë. Problem ngelen edhe rikonstruksioni i elementëve të brendshëm siç janë dritaret një pjesë, e  të cilave nuk janë në gjendje të mirë pasi ka kohë që nuk vihet dorë. Problem ngelen edhe restaurimi dhe mirëmbajtja e afreskeve”, -tha specialisti Prifti.

Financimi

Burime nga Drejtoria e Muzeut bëjnë të ditur se, vet muzeu nuk ka mundësi financimi. “Ne nuk kemi buxhet, por ne kërkojmë që të paktën të na jepen lekët që sigurohen nga vizitorët, të cilët janë gjithëvjetor dhe jo të pakët. Për këtë vit numri i turistëve që kanë vizituar muzeun ishte 12 mijë”, -tha Prifti.