Ikje nga dashuria për jetën…

1052
Sigal

SARANDË/ Asnjë masë mbrojtjeje për përdoruesit e lëndëve narkotike. Rritet numri i vetëvrasjeve

Vetëflijimi i një të riu 21-vjeçar tre ditë më parë në Sarandë puliti mjediset publike, ku riti tradicional i përcjelljes dhe ngushëllimit të prindërve u pasua nga një ajsberg ndjesish pa gjykim, me shqetësimin se a është ky i fundit i akteve të vetëflijimi në qytet, ndërsa në kortezhin përcjellës të tjerë të rinj kishin fshehur sytë pas syzeve të errëta. Sipas një njoftimit zyrtar të policisë, në Sarandë, më datë 03.01.2013 rreth orës 07:00 u gjet nga familjarët i vdekur shtetasi Kristiano Vasil Gjoni, i datëlindjes 14.11.1991, lindur dhe banues në lagjen Nr. 1 të qytetit të Sarandës. Në vend shkoi grupi hetimor dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se ky shtetas ka kryer vetëvarje me këmishën e tij në degën e një fiku në bahçen e shtëpisë së tij, ku dhe u kryen të gjitha veprimet procedurale. Ky konstatim i ftohtë zyrtar la pa përgjigje ankthin prindëror mbi bashkëmoshatarë të viktimës, pasi kujdesi dhe sakrifica prindërore nuk e mbrojtën dot jetën e fëmijës.

Rreziku

Të mbrosh sot në Sarandë jetën e fëmijës do të thotë të bëhesh pjesë e protestës për parandalim të tregtimit të narkotikëve më së shumti te moshat e reja, e më nën presion të trafikuesve të rinjtë me prindër me të ardhura financiare. Policia rrallë ka bërë publike arrestimin e tregtarëve të padukshëm, ndërsa edhe në shëtitoren e qytetit ndihet rëndom aroma e hashashit. Në fjalorin e përditshëm etiketimet “prezakë” apo “dru”, pjesë e teatralitetit dhe falcitetit për t’u dukur “të fortë” pasohen nga cepa tashmë të njohur si cepa, ku tymoset në grup. Një vit më parë një tjetër viktimë adoleshentë në ditën e ditëlindjes. Shifra të studimeve tregojnë se në 35 vitet e fundit vetëvrasja te studentët është trefishuar, ku meshkujt e moshës 20 deri 24 vjeç janë më të goditurit.

Përfshirja

Në Sarandë, dy vitet e fundit ka një rritje të shifrës së të rinjve që tentojnë vetëvrasjen, më së shumti vajza adoleshente kanë përfunduar të vetëhelmuara në urgjencën e spitalit. Studime të autopsive psikologjike të vetëvrasjeve te kjo moshë kanë bërë të ditur se mbeten ato të përdorimit të drogës dhe depresionit si paraprijës të vetëvrasjes. Ky përdorim i hapur i lëndëve narkotike, ku më së shumti lakohen emra të fëmijëve të ndërtuesve në Sarandë pohon se metastaza e tregtimit ka përthithur me fëmijët e familjeve tashmë me kapitale financiare në jetën publike.

Shkollat

Në shkolla flitet pak për të vërtetat e hidhura, sistemi shkollor me shërbimin e një psikologu për gjithë nxënësit e qytetit ka dalë jashtë rolit parandalues apo ndihmës. Raportet e luhatura brenda familjeve, ku emigracioni i prindërve ka tronditur jo pak fëmijëritë e adoleshentëve të sotëm, po e rrezikojnë shpresën për një mbijetesë të dashurisë për jetën. Studiues të tjerë pohojnë se shtimi i depresionit, vetmia, shpërngulja nga zonat rurale, humbja e kuptimit të familjes dhe shoqërisë si dhe humbja e personave që i do janë sigurisht disa prej faktorëve që ndikojnë në shkallën e lartë të vetëvrasjeve tek mosha e vjetër. Por në kulturat dhe komunitetet, në të cilat të moshuarit janë të respektuar dhe mbesin persona të rëndësishëm në jetën e familjes, vetëvrasjet janë shumë të rralla. Pra le t’i japim një shans dashurisë për jetën duke u kujdesur për të rinjtë/fëmijë, për të patur një kontroll mbi shkelësit e ligjit që trafikojnë dhe tregtojnë afër shkollave, të cilët publikohen rrallë në komunikatat e policisë dhe më rrallë akoma mbërrijnë në bankën e të akuzuarve. Le të mos e vrasim jetën dhe pastaj të qajmë për atë që s’kthehet më, le të mos lëmë në dhimbje mikun tonë, fqinjin shokun duke falënderuar Zotin që së paku jemi në kohë të kujdesemi për jetën.