IGJEUM: Po bie rreziku i përmbytjeve në Shkodër, pritet rënia e prurjeve

240
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se në lumenjtë Drin, Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të ketë rënie të prurjeve.
Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nënshkodrës do të vazhdojnë të ulen. Parashikimet e IGJEUM tregojnë ulje të niveleve dhe prurjeve në pjesën e Nënshkodrës dhe në zonat periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të liqenit përgjatë datave 26, 27 dhe 28 Mars 2018.
Nga llogaritjet e IGJEUM ka kaluar piku i prurjeve dhe në ditët në vazhdim do të kemi ulje të rrezikut. Në pjesën tjetër të territorit nuk parashikohen probleme nga përmbytjet.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.
Sot pasdite (e hënë, dt.26) dhe nesër (e martë, dt.27) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara edhe me shtrëngata. Reshjet pritet të bien kryesisht sot pasdite deri nesër në mesditë.
Në veri të vendit në zonat malore 800 m mbi nivelin e detit priten reshje në formë dëbore, ndërsa në pjesën jugore reshjet e dëborës priten në kuota më të larta se 1000 m mbi nivelin e detit.
Nesër (e martë, dt.27) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 9 / 15 °C
në vendet e ulëta: 7 / 14 °C
në vendet malore: 2 / 10 °C
Sot pasdite (e hënë, dt.26) dhe nesër (e martë, dt.27) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.