Identiteti ynë kombëtar dhe gjuha shqipe

2319
Sigal

Muharrem Abazaj

Duke u mbështetur në zbulimet gjenetike të kohëve të fundit, por edhe ato gjuhësore të mëparshme, është arritur në përfundimin se të gjithë kombet e një treve të gjerë, e cila përfshin tërë Evropën e më tej saj, kanë gjenezë të përbashkët. Kjo bashkësi njerëzore mëmë, sipas mendimit të shumicës së studiueseve ka qenë bashkësia pellazge. Me kalimin e shekujve nga kjo bashkësi njerëzore, e shtuar shumë numerikisht, ka filluar të shkëputen pjesë të saj, fise, dhe pas eksplorimesh territoresh të gjera, këto fise kanë zgjedhur për vendbanim ato vende, të cilat i kanë çmuar si më të përshtatshme. Vendosja në territore të largëta si dhe komunikimi tepër i vështirë midis këtyre fiseve, për shkaqe të terreneve malore midis tyre dhe mjeteve shumë të pakta të komunikimit, i shkëpuste ata nga mënyra e jetesës, si me trungun mëmë, ashtu edhe me fiset e tjera. Gradualisht këto fise fillonin e krijonin zakone të reja, të përdornin veshje të reja, marrëdhënie të reja shoqërore etj. Ata fillonin t’i largoheshin edhe gjuhës së tyre të mëparshme të përbashkët. Me kalimin e periudhave shumë të gjata kohore, veçoritë e këtyre fiseve, si dhe gjuha e tyre, bëheshin aq të ndryshme, sa dukeshin se nuk kishin më lidhje me njëri – tjetrin. Ky është, shkurtimisht, procesi i krijimit të kombeve.

Kombet fqinjë, për mundësitë më të mëdha të komunikimit, vazhdojnë të ruajnë afri midis tyre në shumë drejtime.

Këto afri vërehen edhe midis kombit tonë dhe fqinjëve. Mjafton të përmendim afërsitë në zakone, veshje, këngë e valle, epose dhe mite midis nesh dhe kombeve fqinjë: grekë, maqedonas, bullgarë, malazezë, serbë, italianë, kroatë etj. Këto afri e vështirësojnë shumë dallimin e një kombi nga tjetri, por elementi që i bën të dallueshëm plotësisht nga njëri – tjetri, elementi që i vë vulën identitetit të secilit komb, është gjuha e çdo kombi. Këtë element, gjuhën e tyre, kanë shfrytëzuar fqinjët tanë për të zbuluar gjenezën e tyre, identitetin e tyre kombëtar. Kështu grekët e konsiderojnë kombin e tyre të lashtë, sepse gjuha e tyre rrjedh nga greqishtja e vjetër; italianët e konsiderojnë kombin e tyre të lashtë se gjuha e tyre rrjedh nga latinishtja, sllavët e konsiderojnë kombin e tyre të vjetër, se gjuha e tyre rrjedh nga sllavishtja e vjetër etj.

Po si qëndron ky problem me kombin tonë?

Albanologjia, në sajë të përpjekjeve dy – tre shekullore të shumë studiuesve shqiptarë dhe të huaj, ka dalë në përfundimin se ne jemi një popull i lashtë, pasardhës të ilirëve. Të gjitha të dhënat historiko – gjeografike, arkeologjike, etnokulturore, antropologjike etj., e mbështesin fort këtë përfundim. Por ne nuk kemi arritur ende të provojmë shkencërisht, se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja. E. Çabej ka arritur të sjellë disa argumente gjuhësorë me mjaft vlerë që flasin për një vazhdimësi gjuhësore ilirishte – shqipe. Ai ka argumentuar se shumë emërtime të lashta në trojet tona kanë ardhur në trajtën e sotme përmes ligjeve fonetike të gjuhës shqipe. Gjithashtu ka vërtetuar se mjaft fjalë të shqipes janë të trashëguara, pasi nuk gjenden në asnjë nga gjuhët simotra indoevropiane. Mirëpo këto fakte nuk janë të mjaftueshme, pasi gjuha shqipe del e shkruar vetëm katër – pesë shekuj më parë dhe nuk është bërë e mundur gjetja qoftë edhe një dokumenti të vetëm të shkruar me gjuhën ilirishte që të shërbente si mostër, si model krahasimi gjuhësor. Ka rreth një gjysmë shekulli që albanologjia nuk ka ndërmarrë asnjë studim për të shtyrë më përpara problemin e zgjidhjes përfundimtare të prejardhjes së shqipes. Duket sikur është pranuar në heshtje përfundimi, se gjuha shqipe nuk është gjuhë e vjetër dhe për pasojë një numër shume i madh i fjalëve të saj janë konsideruar si huazime nga gjuhë të tjera. Një konceptim i tillë për gjuhën shqipe dëmton rëndë edhe problemin e identitetit të kombit tonë. Vitet e fundit mjaft studiues kanë rimarrë në studimet e tyre problemin e prejardhjes së gjuhës shqipe, duke sjellë edhe mjaft të dhëna me interes për vazhdimësinë gjuhësore pellazgo – iliro – shqipe.

I çuditshëm qëndrimi mospranues i Akademisë së Studimeve Albanologjike

Nga ana e Akademisë së Studimeve Albanologjike në vend që këto gjetje gjuhësore të mblidheshin me interes dhe të futeshin në agjendën e punës së saj, janë quajtur si pikëpamje “jo shkencore dhe me tendenca nacionaliste”, që kanë për qëllim të ulin vlerën e E. Çabej, ndërkohë shprehen edhe se problemi i prejardhjes së gjuhës shqipe tashmë është i mbyllur. A bien, në të vërtetë, këto materiale të reja në kundërshtim me pikëpamjet e Çabejit? Aspak. Pikëpamja e prejardhjes pellazge të gjuhës shqipe nuk bie aspak në kundërshtim me pikëpamjen e prejardhjes nga ilirishtja, të mbrojtur me forcë nga Çabej. Kjo pikëpamje sheh një vazhdimësi gjuhësore pellazge – ilire – shqipe. Po si mund të konsiderohet ky problem i mbyllur, kur vetë Çabej nuk e ka parë asnjëherë si të tillë? E vetmja mundësi për të zbuluar lashtësinë e gjuhës shqipe, në një mungesë të plotë të ndonjë dokumenti të shkruar të shqipes së lashtë, është, ashtu si thoshte Çabej,-deshifrimi i këtyre mbishkrimeve të lashta. -Në përpjekjet për të ruajtur trashëgiminë kulturore në shumë vende, edhe në vendin tonë, janë gjetur dhe marrë në mbrojtje shumë mbishkrime të lashta.

Përpjekjet për deshifrimin e mbishkrimeve të lashta

Janë bërë përpjekje nga shumë studiues për deshifrimin e tyre. I angazhuar në këtë fushë për një kohë të gjatë, unë kam arritur të deshifroj mjaft prej tyre. Të gjitha mbishkrimet që kam arritur të deshifroj, pavarësisht nga vendi ku janë gjetur dhe koha e shkrimit të tyre, bëhen të kuptueshme plotësisht me gjuhën e sotme shqipe. Disa prej tyre që janë mjaft të hershme, që shkojnë deri në shek. VI p.e.s, të gjetura në Greqi, Itali e gjetkë, janë shkruar me një alfabet të veçantë, i cili është quajtur alfabeti fenikas, por realisht ai është alfabeti pellazg. Në kohë më të reja, duke filluar nga shek. III p.e.s dhe këtej, këto mbishkrime, të gjetura edhe në trojet tona, janë shkruar herë me alfabetin e greqishtes së vjetër, herë me atë latin. Ky fenomen ka ndodhur pasi, me formimin mbi bazën e trungut pellazg të greqishtes së vjetër dhe më vonë të latinishtes, alfabeti i pellazgjishtes u la në harresë. Disa prej këtyre mbishkrimeve kanë tekste me disa qindra fjalë, duke na dhënë mundësinë të njohim edhe strukturën gramatikore të shqipes së lashtë. Deshifrimin e plotë të disa prej këtyre mbishkrimeve unë e kam pasqyruar në librat e mi: “Pellazgët kanë folur dhe shkruar shqip”, 2013 dhe “ Gjuha e lashtë shqipe (pellazgjishtja)” 2018. Akademia e Studimeve Albanologjike nuk ka pranuar as të njihet dhe jo më t’i shqyrtojë këto deshifrime, pasi i paragjykon si jo të vërteta, me arsyetimin, se një punë e tillë është e pamundur të realizohet nga një gjuhëtar shqiptar që nuk zotëron mirë gjuhët e lashta; sanskritishten, hititishten, greqishten e vjetër, latinishten, persishten e vjetër etj. Në vështrim të parë ky arsyetim duket i drejtë teorikisht, sepse i sheh këto mbishkrime si të shkruara nga këto gjuhë të lashta. Zotërimi i këtyre gjuhëve të lashta mund të shërbejë shumë, por nuk është kusht themelor, pasi këto mbishkrime nuk janë shkruar në asnjë nga këto gjuhë të lashta, sepse po të ishte kështu, këto mbishkrime do të ishin deshifruar me kohë nga studiues të huaj që njohin mirë shumë nga këto gjuhë. Mbishkrimet që kemi deshifruar ne janë shkruar në gjuhën pellazge, e cila është mëma e këtyre gjuhëve të vjetra dhe vetëm gjuha shqipe ruan edhe sot trajta të pellazgjishtes. Prandaj, nëse ne kërkojmë të zbulojmë rrënjët e gjuhës shqipe, ato mund t’i gjejmë vetëm në thellësi të vetë gjuhës shqipe, kurrsesi tek gjuhët e tjera, sado të lashta të jenë ato. Prandaj kushti themelor, që një gjuhëtar shqiptar apo dhe i huaj mund të arrijë të depërtojë deri në rrënjët e thella të shqipes, është ta njohë me themel gjuhën shqipe. Këto material ne i shohim si plotësisht të mjaftueshme për të provuar lashtësinë e gjuhës shqipe. I mbetet Akademisë së Studimeve Albanologjike t’i shtrojë ato për diskutim dhe, nëse nuk do të mund t’i hedhë poshtë me argumente shkencore, të konfirmojë pa vonesë lashtësinë e gjuhës shqipe. Nëse do të vazhdojë të heshtë, do të marrë mbi vete një përgjegjësi të madhe ndaj kombit tonë.