IDEAL-istët e Gjermanisë, një shembull i shkëlqyer i Diasporës Shqiptare

687
Sigal

 

Në prag të
Samitit të Diasporës në Tiranë, 18 Nëntor 2016

 

Mimoza Cika -Kelmendi, Gazetare/Këln

 

 

Këtë vit
sikurse edhe në vitet e kaluara, Ambasada gjermane në Tiranë së bashku me shumë
institucione dhe shoqata të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj ofrojnë një
sërë aktivitetesh kulturore-artistike, një prej të cilave ishte edhe hapja e
Ekspozitës “ZOOM – 7 Art Fotografik“ nga Dyseldorfi në hollin qendror të Muzeut
Historik Kombëtar në prezencën e Ambasadores së Gjermanisë, Sussane Schütz, të
Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe të Konsulles së Nderit të Shqipërisë
në Gjermani, Anduena Stephan. Qëllim i ardhjes së 7 artistëve në Tiranë është sjellja
në këtë eveniment arritjet më të mira të fotografisë gjermane, më bashkëkohoren
e aparatit fotografik. Dhe siç theksoi kuratori gjerman i kësaj ekspozite, Wolf Aschenborn “Kultura është lidhja më e mirë mes
vendeve”. Por ardhja e kësaj ekspozite për herë të parë në Tiranë nuk është
realizuar rastësisht. Ajo vjen falë bashkëpunimit ndërkulturor mes dy vendeve
në bazë të një marrëveshje të nënshkruar mes dy qeverive para një viti në
Berlin. Madje ky është projekti i katërt kulturor gjermano-shqiptar, i
mundësuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Zyra e Kulturës e
Kryeqytetit të Landit, Dyseldorfit. Natyrisht që marrëveshje të tilla janë të
mirëpritura për të dyja palët, aq më shumë kur bëhet fjalë mes Shqipërisë dhe
Gjermanisë. Por ajo që mundëson realizimin konkretisht të këtyre marrëveshjeve
protokollare, është diaspora shqiptare, janë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë
në këtë vend dhe që me shumë vullnet dhe pasion japin kontributin e tyre për të
realizuar aktivitete të tilla siç ishte edhe kjo Ekspozite në Tiranë.

 

Shoqata shqiptaro-gjermane “IDEAL“

 

Bëhet fjalë për shoqatën shqiptaro-gjermane “IDEAL”, e cila prej vitesh
është kthyer në një urë lidhëse bashkëpunimi mes dy vendeve. Artistët  gjermanë në Tiranë erdhën nga Dyseldorfi,
kryeqyteti i Landit gjerman NRW me 17, 5 milionë banorë dhe mbahet edhe si
vendi nr.1 i panaireve tregtare në mbarë botën. Volumi i tregtisë së kësaj
Republike arrin në 385 miliardë euro. Pikërisht këtu jetojnë edhe rreth 50 mijë
shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Kjo Republikë dhe kryeqyteti i
saj tashmë kanë krijuar një lidhje të ngushtë tradicionale me shqiptarët. Prej
vitesh ato janë kthyer në një arenë të madhe komunikimi mes institucioneve
gjermane dhe ato shqiptare. Jo më larg, por vitin e kaluar(2015) u organizua
„Nëntori shqiptar“ në Dyseldorf nga Konsullata e Nderit dhe Shoqata  “IDEAL“ me seli në Essen. U mirëpritën
jashtëzakonisht mirë  dy evinimente:
Ekspozita figurative „Rrugëtim shqiptar“, e para e këtij lloji në Gjermani, në
mjediset e Landtag-ut (Parlamentit të Landit) të Reninisë Veriore Vestfalisë,
(NRW) si dhe Koncerti-Gala në sallën e njohur Robert Scumann, me pjesëmarrjen e
artistëve shqiptarë: Eda Zari, Ervis Gega, Dren Abazi & ZigZag Orkestër si
dhe e balerinëve të TKOB-së. Pjesë e Nëntorit Shqiptar ishte edhe aktiviteti
rinor i titulluar “We Are Europe- slogan bosh apo realitet?”,  i cili u zhvillua në Esen. Programi
përfshinte një bashkëbisedim politik midis të rinjve dhe përfaqësuesve të
politikës nga Gjermania, Shqipëria dhe Kosova rreth perspektivës evropiane dhe
integrimit të të rinjve shqiptarë dhe kosovarë.

 

“Ditët e dialogut Shqipëri-NRW”

 

Duke pasur parasysh se ky Land është vendi kyç në botë, pasi 16 nga 50
kompanitë më të mëdha në Gjermani e kanë selinë e tyre në këtë Land. Vitin e
kaluar në Tiranë u zhvillua Tryeza e Rrumbullakët “Ditët e dialogut
Shqipëri-NRW”, e organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë në bashkëpunim me
Konsullen e Nderit të Shqipërisë në Esen, zonjën Anduena Stephan si dhe nga
Shoqata Integrative Gjermano-Shqiptare, “IDEAL”. I pranishëm ishte edhe
Sekretari i Shtetit për Ekonominë, Energjinë, Bizneset e Mesme dhe Profesionet
e Landit të Renanisë Veriore- Vestfalisë, Dr. Günther Horzetzky, i cili u prit
nga Ministrat: Arben Ahmetaj, Edmond Panariti, Erjon Veliaj. Por themelet e një
bashkëpunimi më të gjerë ekonomik gjermano – shqiptar veçanërisht me landin NRW
u hodhën qysh në nëntorin e vitit 2013, kur në qytetin e Esenit u zhvillua
Konferenca e parë ekonomike gjermano – shqiptare. Edhe kjo Konferencë u mbajt
me iniciativën e Shoqatës Integrative Gjermano – Shqiptare, IDEAL, Presidente e
së cilës është zonja Stephan. Vetë
Shoqata (IDEAL), është një bashkim i
individëve, shoqërive dhe institucioneve gjermano-shqiptare, me qëllim kryesor
nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e integrimit, ekonomisë, si dhe
në aspektet shoqërore dhe kulturore të marrëdhënieve dypalëshe. “IDEAL“
mbështet integrimin shoqëror të emigrantëve shqiptarë duke ruajtur njëkohësisht
identitetin dhe kulturën e tyre si dhe mundëson shkëmbimin e përvojave dhe të
dijeve ndërmjet individëve, institucioneve dhe kompanive.
Idealistët si: Anduena,
Albani, Silva, Etleva, Mimoza, Bekimi…janë një shembull model i shqiptarëve
në Diasporë; të cilët përpiqen me dinjitet të ofrojnë para qytetarëve gjermanë
një Shqipëri europiane me vlerat më të mira të saj, ndërsa në Tiranë të sjellin
më të mirën gjermane për të cilën kanë nevojë shqiptarët. Të mos harrojmë po
ashtu se: Të gjitha projektet e bashkëpunimit bilateral gjermano-shqiptar kanë
për qëllim anëtarësimin sa më shpejt të Shqipërisë në BE dhe forcimin e bashkëpunimit
duke vënë diasporën si urë më optimale lidhëse për forcimin e këtij
bashkëpunimi në qendër të tij. Ekspozita e suksesshme e artistëve gjermanë në
Tiranë dëshmoi edhe një herë se shoqata me presidente Anduena Stephan është një
urë solide mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Le të shpresojmë tani se Samiti i Diasporës
Shqiptare më 18 nëntor do të jetë një fillim i mirë për më shumë vëmendje dhe
përfaqësim më serioz të shqiptarëve kudo në botë nga Tirana zyrtare. Pasi
projekte të tjera na presin..