ICTS Albania, 1.7 milionë euro në vit për sigurinë e Rinasit

581
ICTS Albania, kompania që është e kontraktuar nga Tirana International Airport (TIA) për sigurinë ka realizuar një qarkullim vjetor prej 239 milionë lekë (rreth 1.7 milionë euro) për vitin 2014, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Të ardhurat në 2013-2014 janë luhatur në këto nivele.
Sipas përshkrimit në bilanc, ICTS Albania ushtron aktivitetin e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas dhe ofron shërbime konsulence sigurie në Sheraton.
Numri i punonjësve të saj në fund të vitit 2014 ishte 129, në rritje nga 110 në vitin 2013. Sips të dhënave nga bilanci për shpenzimet për paga, paga mesatare bruto e punonjësve është rreth 570 euro.
Në vitin 2014 fitimet e saj ishin 64 milionë lekë, apo rreth 460 mijë euro, me një normë të kënaqshme fitimi prej rreth 28%. Për krahasim, vetë TIA, që menaxon me koncesion aeroportin ka rreth 200 të punësuar, sipas të dhënave zyrtare nga faqja e saj e internetit. Edhe Tia ka një normë të lartë fitimi prej rreth 33%, sipas deklarimeve në blanc (në vlerë absolute fitimi I TIA-s në vitin 2015 ishte 11.2 milionë euro).
ICTS Albania është krijuar në vitin 2005 dhe është 100% në pronësi të ICTS Europe dhe ka si objektiv ofrimin e shërbimeve të sigurimit të aviacionit, detar etj. Sipas faqes së saj në internet, kompania ka dhe një filial tjetër ICTS Albania Integrated System (ku ICTS Europe ka 75% të aksioneve), që ka nje aktivitet minimal, me qarkullim vjetor 150 mijë euro në 2014-n dhe ka rezultuar me humbje.
ICTS Albania u gjend në qendër të vëmendjes së fundmi, pasi një vjedhje e parave që do të transportoheshin jashtë vendit nga një bankë, brenda ambienteve të aeroportit ngriti pikëpyetje mbi masat e sigurisë të marra prej saj./monitor
Sigal