Ibrahim Hamza: Ujërat e vendit tonë dhe rezervat e pashtershme të Drinit

2205
Vendi ynë ka ujera të bollshme, të vazhdueshme dhe të pashtershme. Këto ujëra janë në liqene dhe në lumenj. Ato përbëjnë pasurinë më të rëndësishme, më me vlerë dhe më të madhe natyrore që kemi. Të shprehura ndryshe, janë vetë jeta e Atdheut .Në pjesën më të madhe janë ujëra të kthjellëta,të pastra dhe kalojnë në një terren malor . Pellgu ujëmbledhës i Shqipërisë është 44 mijë km 2 ,ose gati dy herë më i madh se territori shtetëror. Natyra, në këtë drejtim, është treguar shumë bujare. Për pasurinë ujore vendi ynë radhitet i dyti pas Zvicrës në Europë. Burimet ujore ,të llogaritura për sipërfaqe dhe për fryme janë 2 deri 6 herë më të mëdha se në vendet e tjera të Europës .Rëndësia e kësaj pasurie ujore që kemi, shtohet edhe më tepër ,kur shohim e dëgjojmë problemet e mëdha që ka sot në botë për sa u përket mungesave të ujërave dhe prognozës, që sa vjen e po pakësohen për frymë të popullsisë. Vende të ndryshme bëjnë një racionalizim të madh dhe një administrim të përsosur të grumbullimeve ujore .Ka nga ato që grumbullojnë gjatë gjithë vitit mbi 60-70 për qind të reshjeve vjetore të shiut dhe i përdorin në çdo kohë .Ndërsa Izraeli, nga një liqen i vetëm, ka ndërtuar të gjithë infrastrukturën e furnizimit të vendit më ujë.Gjithë kontinenti i Afrikës ka një minimum jetik për frymë uji, sa për të mbajtur në jetë me vështirësi të madhe qeniet e gjalla.
1-Lumenjtë e vendit tonë
Lumenj të shumtë e përshkojnë vendin tonë nga Lindja në Perëndim dhe në drejtime të tjera .Shumica e tyre derdhen në detin Adriatik dhe disa në detin Jon .Lumenjtë më të rëndësishëm, të radhitur sipas prurjeve mesatare shumëvjeçare të ujit, janë :
-Buna është 44 km i gjatë ,me 652 metër kub ujë në sekondë.
-Drini është 285 km i gjatë ,me 340 metër kub ujë në sekondë.
-Vjosa është 272 km i gjatë ,me 210 metër kub ujë në sekondë.
-Semani është 281 km i gjatë ,me 95 metër kub ujë në sekondë.
-Mati është 115 km i gjatë ,me 74 metër kub ujë në sekondë.
-Shkumbini është 181 km i gjatë, me 60 metër kub ujë në sekondë. . Ka dhe shumë lumenj të vegjël kudo nëpër male, të cilët në shumicën e rasteve derdhen në këta lumenj, duke i furnizuar gjatë gjithë vitit me ujë. Këta lumenj janë në të gjithë territorin e vendit tonë,duke u shtrirë që nga veriu e deri në jug,si Valbona, lumi Curraje, Gomsiqe, Fani, lumi i Thethit, Erzeni, Ishmi, Osumi ,Bistrica, Devolli e të tjerë.Veç këtyre, ka dhe lumenj të tjerë të vegjël ,që janë jashtë kufijve shtetëror dhe që ujërat e tyre kalojnë nëpër vendin tonë, duke u derdhur në këta lumenj, para se të derdhen në det. Vendi ynë është me reshje relativisht të shumta .Në territorin hidrografik bien mesatarisht 1400 milimetra shi në vit .Në lartësitë mbi 1000 metra në të gjithë vendin tone, në periudhën e dimrit bien reshje bore .Bora qëndron gjatë në male dhe në lartësi është një furnizues i rëndësishëm për burimet ujore gjatë tërë vitit .Këto karakteristika të lumenjve tonë bëjnë që në periudhën e reshjeve të mëdha të rrjedhin rreth 70 për qind të ujërave dhe në periudhën tjetër të rrjedhin rreth 30 për qind të tyre.
Lumi Drin në mjedisin e ujërave të vendit tonë
Drini është lumi më i gjatë i Shqipërisë dhe i bregdetit lindor të Adriatikut dhe të Jonit. Është në mesin e vendbanimeve të shqiptarëve dhe i sillet përqark pjesës më të madhe të kufijve shtetëror të cunguar në vitin 1913. Ky lum është një pasuri ujore e paçmuar e popullit tonë me vlera të pallogaritshme, një dhuratë e madhe natyrore. Ai përbëhet nga Drini i Zi dhe Drini i Bardhë. Drini i Zi buron nga liqeni i Ohrit në Strugë dhe bashkohet me Drinin e Bardhë në afërsi të qytetit të Kukësit. Ky lum është dega kryesore e Drinit .Drini i Bardhë është dega tjetër e Drinit .Ai buron në Bjeshkët e Namuna në Kosovë, pranë fshatit Radavec, rreth 30 km në veri-perëndim të Pejës. Kalon në krahun e majtë të qytetit të Prizrenit, në Morinë të Kukësit dhe bashkohet me Drinin e Zi në afërsi të qytetit të vjetër të Kukësit, duke formuar lumin Drin .Gjatë rrjedhjes së tij, në të derdhen shumë lumenj të tjerë të vegjël, si Radika, Valbona, Curraj, Gomsiqe, Gjadri, Kiri e të tjerë. Drini vazhdon rrjedhjen duke kaluar nëpër një luginë të thellë deri në Mjedë dhe më pas derdhet në lumin Bunë .Ky lum ka një gjatësi prej 285 km dhe një sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës prej 14 200 km katrorë. Duke e krahasuar me sipërfaqen ujëmbledhëse të gjithë vendit tonë ,Drini zë mbi 35 për qind të të gjithë kësaj sipërfaqe. Nga burimi deri në derdhje ka një rënie prej 685 metër dhe një pjerrësi mesatare prej 2,3 për qind. Pellgu ujëmbledhës i Drinit ka reliev malor me lartësi mesatare 971 metër, kurse majat më të larta e kalojnë lartësinë 2 500 metër,duke përfshirë Korabin, Jezercën, Shkëlzenin e përgjithësisht gjithë Alpet e Shqipërisë. Duke u shtrirë nga Lindja në Perëndim, pellgu i Drinit përshkon të katër zonat klimaterike, në të cilat ndahet territori i Shqipërisë. Në zonat ku kalon Drini, mesatarja vjetore e reshjeve është 1200 mm dhe në krahina të veçanta në Alpe i kalon të 2000 mm. Për shkak të reshjeve të shumta që ka në të gjithë hapësirën që shtrihet zona, Drini është ujëmbledhësi më i madh i vendit 
Prurja mesatare shumëvjeçare në derdhje është 352 metër kub ujë në sekondë, që përbën rreth 11 miliard metër kub ujë në vit. Në periudhën nëntor-maj rrjedh 75-80 për qind e tërë rrjedhjes vjetore. Ndërsa gjatë periudhës korrik- shtator rrjedh 20 deri 25 për qind e saj. Prurja maksimale natyrore me përsëritje një herë në 100 vjet është 6530 metër kub ujë në sekondë, ndërsa ato që përsëriten një herë në 10 mijë vjet janë rreth 10 mijë metër kub ujë në sekondë. Lugina e Drinit në përgjithësi është e ngushtë dhe e thellë, me disa përjashtime të vogla në zona të veçanta .Në afërsi të derdhjes së lumit të Curraj gjendet një terren tepër shkëmbor që bie thikë mbi lumë ,që formon një grykë të ngushtë dhe shumë të bukur. Aty më parë në gjuhën popullore quhej vendi ku “ then Drini qafën”. Lugina e Drinit të Zi, pjesa që kalon nga territori i Kukësit dhe i Dibrës e në vazhdim, është më e gjerë. Në shumicën e saj, kjo pjesë ka gjerësi nga 2 – 3 km deri në 8-10 km. Kjo zonë është e përshtatshme për rritjen e bimësisë dhe është më tepër e populluar nga banorë të atyre anëve Me të panjohurat dhe misteret që fshihte, me rrugën që përshkon e pozicionin strategjik që ka pasur dhe ka, me vështirësitë që paraqiste dhe me energjinë e forcën që zotëron, Drini ka qenë në çdo kohë objekt vëzhgimi nga njerëzit .Për të janë thurur legjenda e janë krijuar fantazi, janë kënduar këngë dhe janë formuar fjalë të urta. Në zonat e veriut shpesh herë, kur pyet dikush për një person të caktuar, përdoret shprehja, “ Ka ra në ujë të Drinit”. Kjo shprehje frazeologjike ka kuptimin figurativ, që do te thotë nuk i kanë vajtur punët mirë. Shprehje dhe grupe fjalësh, që lidhen me forcën ose problemet që ka krijuar Drini, ka në çdo vendbanim që ndodhet në vendkalimin e këtij lumi. 
Sigal