I vihet litari Ahmet Zogut, tentohet rrëzimi i shtatores së ish-Mbretit

561
Sigal

TIRANË/Ngjarja ndodhi në orën 18:35 të ditës së mërkurë në sheshin “Zogu i Parë”. Policia konfrontohet me grupin e të rinjve

Në bazament, u shkrua dukshëm me bojë: “Poshtë hajduti i floririt!”

 Nëse policia nuk do të gjendej shpejt në vendin e ngjarje, pranë monumentit të Ahmet Zogut në bulevardin “Zogu i Parë”, shtatorja e ish-Mbretit në Tiranë do të ishte rrëzuar ashtu si ajo e Enver Hoxhës. Kjo pasi një grup i vogël të rinjsh (3-4 gjithsej), në prezencë të kalimtarëve të shumtë e kureshtarëve, pasi shkruan me bojë, me shkrim të madh “Poshtë hajduti i floririt!”, i hodhën në qafë litarin ish-Mbretit të ngrirë në bronz. Gjithçka ka ndodhur në orën 18:35 të mbrëmjes së djeshme. Policia u gjend menjëherë në vendin e ngjarjes duke i penguar ata në veprimet e tyre. Të rinjtë kundërshtuan deri në konfrontim me policinë, por e patën të pamundur që të vazhdonin më tej. Policët, pasi e “shpëtuan” Ahmet Zogun këtë radhë, nisën të merren me të rinjtë, që sigurisht, nuk mundën dhe nuk kanë pasur si qëllim që të fshihen.

Në dukje një tentativë mllefi e veprim simbolik (ndonëse dëshmitarët thonë se në mbështetje të të rinjve kishte dhe shumë të tjerë që rrinin pak më larg), por që mblodhi shumë kureshtarë që nisën debatet mes tyre. “Ju lumtë dora, mirë bënë djemtë e nënës. Ai njeri nuk duhet të rrijë aty ku e vunë. Ai është tradhtar, ka vrarë, është njëqind herë më i keq se Enver Hoxha. Nuk ruhet ai kriminel me policë. Në mos sot, nesër ai do të largohet e do të shkoj në plehra, ku e ka vendin. Në piedestal e kanë vendin heronjtë, ata që qeveritë i kanë nëpërkëmbur këto njëzet e ca vite”,- shprehej e revoltuar një e moshuar që sapo kishte dalë me mbesën e saj nga materniteti pranë. “Ai e meriton, ka qenë Mbret i Shqiptarëve, bëri shtet. Këto gjëra i bëjnë komunistët e bijtë e tyre që erdhën në pushtet”,- u shprehej disa shokëve të tij. Të ndodhur në atë ngjarje e debatet që vazhduan, duke fiksuar me aparatin fotografik atë që po ndodhte, shkëputëm dhe shprehje nga njerëzit që u mblodhën aty. “Ai duhej të varej në litar sa ishte gjallë, pasi i ka bërë të zezat këtij populli. Braktisi vendin më 7 prill, ditën e pushtimit fashist si burracak (ndonëse premtoi se do të mbathte opingat e do të luftonte). duke marrë me vete në valixhet e shumta dhe florinjtë e shqiptarëve, pasurinë e vendit. Shiti Shën Naunin dhe Vermoshin, vrau Bajram Currin e patriotë të tjerë. Turp për ata që i ngritën monument këtij tradhtari të shqiptarëve e Shqipërisë. Një ditë ai do të largohet nga aty ku është. E për mua kjo ditë është shumë e afërt”,-shprehej një njeri i mbushur në trup, rreth të 50-tave. “Mos u mërzitin, kjo qe një provë. Do të ketë dhe një prove tjetër, ose provë gjenerale dhe ish-Mbretit, di ia kthejnë patkonjtë nga dielli”,- u shpreh një tjetër. “Vetëm një vlerë ka ky i vetëquajtur Mbret në bronz, atë për vlerën e metalit. Duhen dhe ata pak para në këto dit të vështira që e lanë vendin qeveritarët që ikën e që i ngritën monument Ahmet Zogut”,- shtoi një meso grua. “Jo, jo, Berisha ka meritë që i bërë këtë monument. Ja bëri për ta diskredituar atë e ata pak mbretërorë që ende shohin ëndrra. Se Berisha e di çfarë i ka bërë ky Ahmet Shqipërisë e shqiptarëve, e brezat nuk do ja falin. Po u jap një këshillë. Ata që e duan këtë Mbret në bronz, më mirë ta heqin vetë. Ta marrin e ta çojnë atje në magazinë, në fonderi, rreth 500 metra larg, ku e presin Enver Hoxha, Stalini e diktatorët e tjerë të rrëzuar më parë dhunshëm nga froni e që notojnë në pluhur”,- shtoi një tjetër.

Duhet të qëndrojë apo të hiqet monumenti i Ahmet Zogut!? A do të ketë ai fatin e Enver Hoxhës që u tërhoq zvarrë!? Janë disa pyetje që shumëkush i shtron këto kohë. Një provë, apo testim u bë mbrëmë nga një grup të rinjsh. Po nesër çfarë do të ndodhë? Kemi ngritur në piedestal njerëzit që kanë dhënë për kombin, apo njerëz që i shfrytëzojnë klanet për politikat e ditës, e më pas rrëzohen nga urrejtja popullore?