I preu kokën fqinjit, ish-komandoja përfundon në psikiatrinë e burgut. Familjarët e viktimës i druhen lirimit

151

Dy vjet pas vrasjes së rëndë në fshatin Uji i Mirë, në Këlcyrë, ku Alban Voda i preu kokën fqinjit të vet, ish-komandoja ka përfunduar në psikiatri.

Autori Alban Voda
Autori Alban Voda

Gjykata e Përmetit ka zhvilluar një seancë rivlerësimi të gjendjes së tij mendore. Voda po kryen dënimin në spitalin e burgut të Zaharisë në Krujë, ku mbahet në kushte të veçanta dhe në trajtim mjekësor. Familjarët e viktimës i druhen ndonjë lirimi të mundshëm nga burgu të ish-komandos, duke e shpallur person me probleme mendore.

Kodi Penal detyron Gjykatën të bëjë çdo vit rivlerësimin e masës mjekësore, e cila vendos nëse personi do të vijojë qëndrimin në spitalin e burgut apo duhet të kalojë në ambientet e burgut me të burgosurit e tjerë që nuk kanë nevojë për trajtim të veçantë mjekësor, në këtë mënyrë duke mos u konsideruar më si i rrezikshëm.

Sipas këtij neni, “Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale. Vendimi gjyqësor për masat mjekësore dhe edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë, por në çdo rast, Gjykata, kryesisht, është e detyruar që pas kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj”.

Viktima Nesim Hoxha
Viktima Nesim Hoxha

Gjykata e Përmetit deri tani ka bërë vetëm një shqyrtim seance që është shtyrë, pasi nuk ishin të pranishëm familjarët e viktimës. Ish-komandoja Alban Voda vrau fqinjin e tij, 66-vjeçarin Nesim Hoxha, në fshatin “Ujë i mirë” të Këlcyrës, ngjarje e ndodhur më 5 mars 2017. Ai ka shfaqur halucinacione që gjatë marrjes në pyetje pas ngjarjes së rëndë. Voda deklaroi se Hoxha kishte dashur ta mbyste para disa vitesh me një kokërr ulliri.

Në një moment të dytë, ka deklaruar se 66-vjeçari ka përdhunuar hallën e tij. Dëshmi kjo që ka ngritur pikëpyetjet e para për gjendjen mendore të 30– vjeçarit, që më pas iu nënshtrua kontrollit psikiatrik. Voda nuk kishte qenë më parë i evidentuar si person me probleme psikike dhe nuk ka pasur një kartelë klinike që vërtetonte këtë fakt.

Në periudhën 2009- 2012, ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura, ku ka marrë pjesë në dy misione, në Kabul dhe Herat dhe pas përfundimit të misioneve është larguar nga radhët e forcave komando në vitin 2015, duke u mbyllur në vetvete dhe duke shmangur çdo shoqërim apo komunikim me njerëzit e duke shfaqur shenja të depresionit.

Banorët e zonës pohuan se mes autorit dhe viktimës kishte pasur një konflikt, por mohuan që 30- vjeçari te kishte pasur probleme mendore. Pas ngjarjes, banorët pohuan se Voda ndryshoi sjellje pas kthimit nga Ushtria, duke ndërprerë komunikimin edhe me banorët e paktë të fshatit të vogël.