“I përkëdhelur jam me fat, që kam lindur në Berat…!”

2158
Evdal Nuri

Kjo përkëdheli lind arsyeshëm, nga lashtësia e këtij qyteti mbi 2400-vjeçar. Nga arti e kultura e tij e veçantë. Nga begatia e tokës e njerëzit e tij të dashur. Nga vlerësimi që i bëhet nga agjencitë e huaja. Kohë më parë Berati është cilësuar si qyteti i dytë nga 30 qytetet më të bukura të Botës. Lista është përgatitur nga një shoqatë japoneze e agjentëve të udhëtimit. Tani, faqja e njohur aziatike e turizmit shkruan: “Evropa është e pasur edhe për qytetet unike dhe historike. Larg qyteteve të mëdha, në Berat gjen autenticitetin ndër shtatë qytetet e vogla më të bukur të Evropës”. Berati njihet si qyteti i “një mbi një dritareve”. Dritaret dhe qepenat e shtëpive të Mangalemit të lënë pa frymë. Ia vlen të ecësh më këmbë dhe të takosh banorët, të cilët jetojnë ende në muret mesjetare dhe t’u gëzohesh pamjeve të minareve dhe të kishave në luginën e Osumit”, shkruan micetimes.asia. Kuptohet na u bë qejfi të gjithëve ne që kemi lindur në Berat. Evropa ka mijëra qytete. S’ka kënaqësi më e madhe, që qyteti ku të ka “rënë koka”, të vlerësohet i dyti, midis të shtatëve (ndofta dhe i pari), por dhe i 70 përsëri është vlerësim. Kuzhina është e thjeshtë në Berat. Bli një shishe vere tek Tomi, Shyqua, Ajka apo tek Nova e të krijojnë një kënaqësi të pa shijuar më parë! Atje gjen bukë të ngrohtë, zemër të bardhë e gatime të veçanta që vetëm beratasit, dinë t’i servirin për të kënaqur vizitorët. 

1- Beratasit të ditur, me zemër të madhe, bujarë e mikpritës 
Që para 300 vjetëve gjeografi turk Evlia Çelebi ka shkruar: “Beratasit janë popull me karakter të butë e të urtë. Me edukatë e të drejtë. Nga ky qytet kanë dalë shumë njerëz të shquar e të famshëm; Si burra shteti, vezirë, sundimtarë, ministra, dijetarë, e filozofë. Ata ndihmojnë njëri-tjetrin dhe janë misionarë dhe qytetarë të drejtë e të pastër”. Beratasit presin çdo të huaj me fjalët:”Mirë se vini në Berat!”. Në vitin 1942 në Berat u vendosën jo më pak se 600 hebrenj. Mbi 50 familje të këtij qyteti, pritën, strehuan, ushqyen e fshehën hebrenjtë, duke i shpëtuar nga terrori. Asnjë i vdekur, asnjë i dorëzuar tek gjermanët! Të tillë ishin familjet e Isuf Qoljes, Qani Civesë, Hilmi Çipi e dhjetëra familje të tjera që i shpëtuan, duke rrezikuar jetën e tyre. Duhet theksuar se beratasit historikisht nuk e kanë pëlqyer kurbetin. Numëroheshin me gisht ata që ishin larguar nga Berati për të punuar gjetkë. Arsyeja, si thonë prindërit tanë, ishte se ai vend, ajo tokë e ka mbajtur këtë popull, jo vetëm me prodhime, duke i krijuar një mirëqenie, por edhe me dashuri, mirëkuptim dhe harmoni. Gjatë viteve të diktaturës në Berat më tepër kanë ardhur banorë se sa janë larguar. Beratasit e përsërisin shpesh, se të ardhurit kanë bërë hajër në Berat. Më shumë gjen nga Jugu. por sidomos nga zona e Skraparit. I tillë ka qenë e mbetet Berati. Beratasit janë të lidhur me qytetin e tyre , duke dëshiruar më të mirën… Berati ka mbi 24 shekuj histori art dhe kulturë. Ai është një nga qytetet e rrallë që i takon agimit të njerëzimit. Berati ishte qytet kur Londra ishte fshat. Pas ’97-s kemi shumë të larguar nga Berati, më tepër nga halli se sa nga malli. Çdo beratas e ka për detyrë të japë kontributin e tij në përputhje me mundësinë. Kemi investime nga beratas që banojnë në Itali, Greqi apo Francë. Prof. Dr H. Kordha ka dhënë kontributin e tij në historikun e Luftës Nacional Çlirimtare për Qarkun e Beratit. Mësuesi A. Nurellari ka thurur vargje për qyteti e lindjes:

“O Berat tek ty kam lindur
Sa të jem e sa të roj 
Sikur Botën të ma falin
Unë me ty nuk e ndërroj”

Berati është i bukur për të qenë përjetësisht i bukur. 2-Pse duhet vizituar Berati ? Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Jo vetë për faktin që qyteti i Beratit tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve për ta vizituar. Berati ndërthur në mënyrë harmonike kulturën perëndimore me atë lindore dhe dëshmon më së miri traditën e harmonisë fetare në vend, një qytet që të fton duke qenë vetëm 90 minuta larg nga Tirana, Kalaja, Lagjja brenda mureve të kalasë është ende e banuar. E vetmja kështjellë e banuar në Ballkan. Nëse do të ecni këtu, mos u çuditni ta gjeni veten nga një oborr në oborrin e dikujt që këtej, duke mos e menduar të gjendeni në pragun e një kishe (janë rreth 40 kisha që duket se kanë ekzistuar brenda në kala). Kështjella është monumenti i ndërtuar që në shek. e 4-të para Krishtit. Ajo ngrihet mbi një kodër 187 m të lartë. Gurë të tillë gjenden vetëm në Jerusalem. 

Mangalemi Kompleksi i lagjes “Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë. Është emblema e Beratit. Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”.
Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjja Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780, e lidh me pjesën tjetër të qytetit. Vizitorëve u tërheqin vëmendjen rrugicat intime, që me errësirën e tyre duket sikur sfumojnë godinat e lagjes.
Sapo zbret nga kalaja është muzeu etnografik, i vendosur në një shtëpi karakteristike të stilit otoman, ndërtuar në shek. XVIII. Në katin e parë, ashtu si në një ekspozitë janë vendosur veshjet tradicionale, mjetet e përdoruara nga argjendarët dhe endësit. Ndërsa në katin e sipërm ndodhen dhomat e gjumit, kuzhina dhe dhoma e mysafirëve, arreduar në stilin tradicional. Qoshku është një element i rëndësishëm i çardakut. është i pajisur me mindere, velenxa e qilima Muzeu i Onufrit Kalaja tradicionalisht ka qenë lagje ortodokse, por shumë pak kisha kanë mundur t’i qëndrojnë kohës. Kisha më e madhe është “Fjetja e Shën-Mërisë”, aty ku është vendosur edhe Muzeu i Onufrit. Daton prej vitit 1797 dhe është ndërtuar mbi themelet ekzistuese të një kishe të shek. X. Veprat e Onufrit janë të ekspozuara këtu. 
Berati përmendet për Kodikët që me një fanatizëm të denjë për ta quajtur të shenjtë. Kishat përbëjnë margaritarë të arkitekturës mesjetare në Berat. Nga ndërtimet e Kultit mysliman janë Xhamia e Kuqe e shek XIV dhe Xhamia e Bardhë e shek. XV në Kala. Nga më të bukurat është Xhamia e Plumbit. Fola, ç’kam parë e mësuar për Beratin. Më tepër ç’kemi trashëguar nga të parët tanë, se sa kemi krijuar vetë! Ky është çështja? A ka probleme Berati ? Sa të duash, s’i papunësia, varfëria. probleme të reja , të gjetura e të mbetura. Ndofta ky do të jetë objekt i ndonjë shkrimi në të ardhmen. M’u kujtuan vargjet e artistit Meçan Toska: 

“Kush të pa e s’u hutua
Kush te pa e s’u mahnit
Gurë mbi gurë shekullor
Burim rrjedhë e fisnikërisë
I përkëdhelur jam me fat,
që kam lindur në Berat!” 
Sigal