I njëjti skenar, autorët djegin makinën pas grabitjes së parave në blindin e bankës

443
I njëjti skenar, në vende të njëjta, ashtu si në 3 dhjetor të 2015 persona ende të paidentifikuar grabitën edhe sot blindin që po transportonte paratë e një një banke të nivelit të dytë në afërsi të Rinasit, duke ngjallur dyshime të forta se bëhet fjalë për të njejtin grup.
Burime policore bëjnë me dije se, një makinë me 4 persona të armatosur i ka prerë rrugën blindit me para, është përplasur me të dhe në ato momente katër grabitësit e armatosur kanë dalë nga mjeti, kanë thyer xhamat e blindit dhe nën kërcënimin e armëve kanë mundur të grabisin rreth 100 mijë euro.
Autorët duket se kanë përdorur të njejtën skemë pas grabitjes, kanë shpejtuar të zhdukin gjurmët duke djegur automjetin me të cilin kryen grabitjen, ashtu si në rastin e parë. Pasi kanë marrë sasinë e parave ata janë larguar drejt Fushë-Tapizës dhe në afërsi të urës së Limuthit kanë djegur makinën me të cilën përplasën blindin që transportonte paratë e bankës, duke u larguar me një tjetër makinë.
Jo pak ngjashmëri me dy rastet e sipërpërmendura ka edhe grabitja spektakolare e 3 milion eurove brenda pistës së Rinasit, që sipas gazetarit Artan Hoxha mund të jetë kryer nga e njëjta “dorë”.
Grabitja ndodh fiks 24 orë pasi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri iu kërkoi Policive Private të ngrenë rrogat e punonjësve në jo më pak se 330 mijë lekë në mënyrë që t’i motivojnë më shumë.
Sigal