I kërkoi favore seksuale studentes, Gjykata lë në burg pedagogun e Elbasanit

144

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për pedagogun e Elbasanit, Denis Himçi.

Pedagogu Himçi u kap në një video të fshehtë ndërsa i kërkonte puthje e favore një studenteje 20-vjeçare në këmbim të ndihmës për notë kaluese në disa lëndë, ku u përfshinë dhe disa pedagogë të tjerë të këtij universitetit, për disa prej të cilëve ka nisur dhe hetimi nga ana e prokurorisë.

Ai u arrestua nga blutë e qytetit të Elbasanit, ndërsa Universiteti i Elbasanit vendosi pezullimin e tij nga detyra deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.

Burimet thanë se pedagogu kaloi dhe gjendje shoku pas arrestimit ndërsa u dërgua me urgjencë në QSUT, Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sot Gjykata e Krimeve të Rënda, të cilës i ka kaluar dosja e Denis Himçit vendosi lënien e tij në burg deri në përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e tij para togave të zeza.