I jepet lamtumira e fundit “Dëshmores së Atdheut”, Zarife Hasanaj

658
Sigal

Mes dhimbjes dhe lotëve i është dhënë sot lamtumira e fundit “Dëshmores së Atdheut”, Zarife Hasanaj. Homazhet në nderim të nëntetares që humbi jetën gjatë misionit të NATO-s në Letoni nisën prej orës 10:00 në Pallatin e Kongreseve.

Kryen homazhe të gjithë krerët e shtetit shqiptar si presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ushtarakë, efektivë policie dhe kolegë të të ndjerës. Në mesditë arkëmorti i mbuluar me flamurin kuqezi, u nis drejt monumentit “Nënë Shqipëri” ku do të prehet përjetë dëshmorja më e re e Atdheut.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e sotme, datë 10 maj 2019 u shpall ditë zie kombëtare në nderim të Hasanajt, e mbetur e vrarë të hënën në bazën e NATO-s në Letoni, pas shpërthimit të municioneve luftarake.

Një ditë më parë, trupi i pajetë i nëntetares Hasanaj, u prit me një ceremoni ushtarake që u organizua në Rinas.

Ministrja Xhaçka dhe zëvendësministri Koçi ndodheshin pranë familjarëve të 32-vjeçares. Arkmorti, i mbështjellë me flamurin kombëtar, u zbrit nga avioni i NATO-s dhe truprojat e nderit e mbajtën përgjatë pistës së aeroportit, për t’iu drejtuar më pas banesës në Babrru.

Edhe nisja nga aeroporti i Rigës ishte po aq dinjitoze. NATO, e cila ka 1400 trupa ushtarake në bazën Adazit të Letonisë, ku mes tyre ndodhen 20 specialistë shqiptarë, ishte kujdesur për një ceremoni të denjë.

Hetimet për shkakun e shpërthimit në depo, teksa po demontonin predha të kalibrit të madh, vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa gjithçka flet për një aksident dhe jo sulm. Një lajm i keq vjen nga mediat letoneze, ku RIGA raporton se gjendja shëndetësore e Major Klodian Tanushit është tepër e rëndë, ndërsa rreshter Julian Kapaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.