I dyshuar se vrau prindërit e tij, kush është 35-vjeçari i shpallur në kërkim

251

Durim e Suada Hadri u gjetën të vdekur pasi ishin goditur secili me nga një plumb të armës, në shtëpinë e tyre në Prizren. Çifti që jetonin në Suedi nuk dihet ende se si u vranë, por policia po e kërkon të birin e tyre, i cili iku nga Kosova po në ditën që ndodhi krimi, e ende nuk është bërë ‘i gjallë’

Në vendin e ngjarjes u gjenden vetëm dy viktima, një armë dhe disa gëzhoja plumbash. Pjesëtarët e familjes Hadri, dyshohet se u vranë dy ditë më parë.

Policia e familjarët ende nuk e dijnë se kush shtiu në drejtim të çiftit, por se tashmë kanë një person që po e kërkojnë, djalin e tyre që po ashtu jeton në Suedi.

I biri i dy viktimave, Adriatik Hadri 35 vjeç, u largua nga Kosova për në Maqedoni e më pas në Greqi më 20 janar, në ditën kur besohet se ndodhi krimi. Që prej asaj dite, familjarët nuk po mund të bien në kontakt me të.

Në fakt, personi në fjalë është ‘fantazmë’ edhe në rrjetet sociale, të cilat sot përdoren shumë.Në një faqe suedeze, merifo.se ku ka të dhëna rreth banorëve që dalin prej departamenteve të Qeverisë, është edhe emri i Hadrit, ndonëse aty nuk tregohen shumë detaje rreth tij.

Adriatik Hadri ka lindur më 23 janar të 1984 dhe jeton në Stokholm. Ai ka banuar me qira në një lagje të quajtur Vastermalm.

Mirëpo, në këtë faqe nuk ka fotografi të tij, të dhëna rreth punës që bën, familjes e detaje të tjera.

Ndërkaq, as në rrjetet sociale nëpër internet, ai nuk ka as edhe një llogari private ndërsa as familjarët nuk kanë ndonjë fotografi të publikuar me të.

Kujtojmë që Prokuroria ka bërë të ditur se është duke i hetuar të gjitha rrethanat të cilat ndërlidhen me rastin dhe që mund të zbardhin ngjarjen.

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme policia ka marrë në pyetje edhe dy fëmijët e tjerë të çiftit Hadri, të cilët pas marrjes së lajmit për vrasjen e prindërve të tyre, kanë ardhur nga Suedia në Kosovë.

Si ndodhi e tërë ngjarja

Mëngjesin e së mërkurës në një shtëpi në rrugën “Avni Kabashi” në lagjen “Ortakoll” në Prizren, policia gjeti dy trupa të pajetë.

Rrethanat e vdekjes së çiftit ende nuk diheshin, ndërkaq fillimisht rastin e konfirmoi për Express zëdhënësi i Policisë në Drejtorinë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Në orën 10:25 policia rajonale ka pranuar informacione se në rrugën Jusuf Gërvalla në lagjen Ortakoll janë dy trupa që dyshohet se janë të pajetë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ekipet e emergjencës dhe po e hetojnë rastin”, ka deklaruar Osmanollaj.

Pas hetimeve të para në vendngjarje, policia gjeti një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë si dhe dy gëzhoja.

Po ashtu, në trupat e pajetë të viktimave u gjetën plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Pas këtyre hetimeve, Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe policia treguan se bëhet fjalë për vrasje.

“Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në trupat e viktimave janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë shikimit në vendin e ngjarjes, është gjetur një armë e zjarrit – pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë arma me të cilën është kryer vepra penale”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Derisa mjekët ligjorë dhe policia po qëndronin në shtëpinë ku ndodhi ngjarja e rëndë, trupat e pajetë të viktimave u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Ndërkaq policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti po cilësohet si “Vrasje e rëndë”.

“VRASJE E RËNDË/Rr. “Avni Kabashi”, Prizren   22.01.2020 – 10:43. Në shtëpinë e tyre, pa shenja jetë është gjetur çifti bashkëshortor (një mashkull dhe një femër) K-Shqiptar. Vdekjen e tyre e ka konstatuar mjeku. Në trupin e viktimave vërehen plagë nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.