I bëhet makth gardisti i martuar e me fëmijë: Si më përndoqi 5 muaj

627
Sigal

Një punonjës i Gardës
së Republikës u arrestua pasditen e djeshme, pasi dyshohet se ka përndjekur
prej 5 muajsh një vajzë 39- vjeçare në Tiranë.

Ngjarja u denoncua
mëngjesin e djeshëm nga e dëmtuara në Komisariatin nr.1. Burime zyrtare nga
Ministria e Brendshme thanë se i arrestuari është gardisti 29- vjeçar me gradën
nënoficer, Leard Xhika.

Menjëherë sapo
shtetasja me iniciale E.L. është paraqitur për të bërë kallëzim në Komisariatin
e Policisë, është kërkuar edhe prezenca e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve
të Brendshme dhe Ankesat.

Kallezimi së dëmtuarës
është marrë në prezencën e tyre dhe më pas, në orën 16:30, sapo gardisti ka
lënë shërbimin, është bërë edhe arrestimi i tij. Efektivi i Gardës së
Republikës, Leard Xhika, me origjinë nga Dibra dhe banues në Tiranë, shërben në
këtë institucion prej 5 vitesh.

Ai është martuar para
katër vitesh dhe është baba i një vajze të vogël. Por prej 5 muajsh, të paktën
sipas kallëzimit të 39-vjeçares E.L., ai insistonte që të krijonte një lidhje
jashtëmartesore, për të cilën është refuzuar vazhdimisht nga vajza që bëri
padinë në Polici.

Ministria e Brendshme,
me anë të një komunikate, tha dje se, në orën 16:30, Shërbimi për Çështjet e
Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Kriminale të
Komisariatit nr.1, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës,
me detyrë trupë shërbimi, nënoficer Leard Xhika. Ai është vënë në pranga për
veprën penale të “përndjekjes”, parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal.

Arrestimi u bë pasi
shtetasja me iniciale E.L. është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.1,
Tiranë, dhe në prani të specialistëve të SHÇBA Tiranë ka kallëzuar se punonjësi
i Gardës së Republikës, Xhika, në vijimësi, për një periudhë 5-mujore, e ka
përndjekur duke i kërkuar me insistim që ata të krijonin një lidhje intime.

Përndjekjen e kësaj
shtetaseje, punonjësi i Gardës e ka kryer duke i bërë presion me anë të
telefonit, si edhe duke e kontaktuar fizikisht atë në vendet e frekuentuara
prej saj, si në punë, afër banesës dhe në ambiente të tjera publike.

Në kallëzimin që ka
bërë mëngjesin e djeshëm, vajza ka thënë se e ka njohur rastësisht efektivin e
Gardës, nëpërmjet disa miqve të përbashkët dhe disa ditë pas njohjes, ai ka
nisur ta shqetësojë në telefon.

Vajza ka pretenduar se
ka qenë në dijeni të faktit se 29-vjeçari ishte i martuar dhe në asnjë moment
nuk ka pranuar të dalë me të. Por ai ka vazhduar ta shqetësojë në telefon,
madje edhe t’i dalë para në ambiente të ndryshme, duke këmbëngulur që të lidhej
me të.