I ati i Marsela Toshit: S’dua t’ia shikoj më sytë vajzës, nuk e kam më vajzën time

Atë që ta bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia. Astrit Behari nuk gjen dot ngushëllim për fatin mizor të dy nipërve të tij 4 dhe 7 vjeç, të cilët u mbytën me tel nga babai i tyre, Naim Toshi, ndërsa fajëson vajzën e tij, Marselën për ngjarjen makabre që tronditi gjithë opinionin publik. 65-vjeçari nga fshati Kraps i Fierit dje deklaroi se të bijën e ka bërë hasha dhe se nuk do ta shikojë me sy sa të ketë jetë. Ai tha se nuk u ka besuar veshëve kur ka dëgjuar lajmin në televizor për vdekjen tragjike të dy fëmijëve. Ndërsa, dje bashkë me të birin kanë udhëtuar drejt qytetit të Korçës, ku dhe morën pjesë në ceremoninë e varrimit të dy vogëlushëve si dhe të babait të tyre vrasës. Astrit Behari dhe djali i tij kanë kërkuar që Marsela të mos lejohej të merrte pjesë në varrim, por të mbahej në ambientet e Komisariatit të Policisë së Korçës, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes dy familjeve në krushqi. Babë e bir janë dridhur nga dhimbja dhe kanë qarë teksa u kanë dhënë lamtumirën e fundit dy nipërve të tyre. Pavarësisht situatës së nderë, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të intervistojë babain e 22-vjeçares Marsela Toshi (gjyshin e dy fëmijëve të vrarë). Me lotët që i shkonin çurg faqeve, 65-vjeçari u shpreh se nuk do ta falë kurrë të bijën për gjëmën që ndodhi, por as Naumit që bëri atë krim të llahtarshëm.

Zoti Astrit, mund të na thoni si e mësuat ngjarjen e rëndë ku humbën jetën dy nipërit tuaj të mitur?

E dëgjova në televizor. Pashë gjithçka në televizor. U tmerrova kur dëgjova se çfarë u kishte ndodhur dy nipërve të mi. Më dridhej zemra çdo sekondë, sa herë thoshin se dy djemtë e vajzës sime ishin mbytur me tel teksa ishin në gjumë (qan). Nuk ka gjë më të rëndë për një prind se kjo që ndodhi. Vajza ime dhe dhëndri le të merrnin rrugët. Të bënin çfarë të donin me jetën e tyre, por me fëmijët çfarë patën? Si mundën të arrinin deri në këtë pikë. Nëna dhe babai të bëhen mizorë për fëmijët e tyre! Është krim, krim, krim! Zoti mos ua faltë atë që kanë bërë!

Ju po fajësoni dhe vajzën tuaj për vrasjen e fëmijëve të saj?

Po. Vajza ime është fajtore për këtë tragjedi që ndodhi.

Si ishte marrëdhënia e vajzës suaj me bashkëshortin e saj, Naum Toshin?
Ata vetëm grindeshin me njëri-tjetrin. Na e kishin nxirë jetën edhe ne. Marsela ishte e martuar më parë dhe solli në jetë djalin e madh. U nda nga burri i parë, sepse grindej edhe me atë dhe nuk shkonin me njëri-tjetrin. Edhe me burrin e dytë, e njëjta histori. Vajza ime është fajtore, sepse nuk e dëgjonte bashkëshortin. Nëse donte liri, ime bijë të mos martohej. Këtë ia kam thënë me qindra herë. Ja ku përfunduam tani (qan).
Sipas jush, pse ndodhi krimi?
Unë u kam thënë edhe krushqisë, sepse nuk mund të rrija pa ardhur për t’i përcjellë në banesën e fundit nipërit e mi. Marsela deri një ditë më parë ishte vajza ime, sot (dje) atë e kam bërë hasha. Nuk dua ta shikoj më me sy sa të kem jetë. Ajo shkatërroi çdo gjë, mori në qafë dy engjëj. As Naumit nuk ia falim kurrë që bëri atë krim. Me veten e tyre të bënin çfarë të donin, por jo me dy fëmijë të pafajshëm që u vranë duke fjetur (kap kokën me dorë nga dhimbja).