Hysni Shehu: Ju rrëfej për mikun tim Ukrainas

655
Aleksandër Nikollajeviç Beljavskij, ukrainas, është një emër krejt i panjohur për shumëkënd në Shqipëri. Thjeshtë, ai vjen për herë të parë për lexuesit e “Telegraf” përmes këtij rrëfimi të ish ushtarakut e veteranit Hysni Shehu. Sasha, kështu e thërrasin shkurt Aleksandrin, është për Hysniun një nga njerëzit më mirë që ka njohur në jetë. “Miku i mirë, njihet në kohë të vështirë”, thotë ai, dhe pikërisht Aleksandër Nikollajeviç Beljavskij, është një i tillë, një shok dhe mik i rrallë. “Kur unë isha në pikën e hallit, kur Shqipëria sapo kish nisur tranzicionin e vështirë, në vitin 1992, unë i telefonova Sashës, pas 32 vjetësh dhe ai u tregua i gatshëm të më ndihmonte. Këtij i them mik unë”, thotë ai për gazetën. 
Sigal

Si e keni njohur mikun tuaj ukrainas?

-Aleksandër Nikollajeviç Beljavskijn kam njëzet vjet që e njoh. Nuk po zë këtu vitet para ’92-shit. Ka qenë një njohje krejt spontane. Isha në Kiev dikur dhe kisha nevojë për të mbijetuar. Dhe pikërisht aty më ndihmoi Sasha.

Diçka më konkrete?

-Unë shkova në Ukrainë, në vitin 1992, kur sapo isha liruar nga detyra ushtarake që kryeja. Me thënë të drejtën, si shumë shqiptarë atëherë edhe unë kisha shumë vështirësi ekonomike në familje. Nuk kisha asnjë qindarkë, as për të hipur në autobus. Dhe ç’ bëra? Mora dy fëmijët, djalin dhe vajzën dhe ja tregova planin tim. “Unë do iki nga Shqipëria”, iu thashë. “Por, pasi të stabilizohem vetë mirë diku, po ju pyes: a do pranoni që të vini me mua larg, kudo që të jetë” ? Ata çuditërisht, më dolën në krah menjëherë. “Po, më thanë, kudo që të shkosh ti, ne do të vijmë”. Unë kisha në kokë një plan të parapërgatitur: Në vitin 1960-’61, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, kisha qenë në Kiev të Ukrainës për studime. Gjuhën e dija, se e kisha mësuar atje dikur. Dhe ai më përgjigjet menjëherë… Kështu, pra, kam ndenjur atje 15 vjet, pas vitit 1992. Puna ime atje? Punoja me studentë të një instituti. Gjuhën ruse e zotëroja mirë, ndaj dhe kërkova punë provizorisht aty. U futa me një grup të mirë, me kursantë ukrainas. Kishte studentë ukrainas, si dhe të huaj. 

Si u realizua gjithë kjo aventurë?

-Thashë, unë kisha shpresë tek miqtë e vjetër rusë e ukrainas dhe nuk u zhgënjeva. Takova në fillim atje një nga studentët e kohës kur kisha qenë me studime në ish Bashkimin Sovjetik, në vitet ‘60-të. Ky person, tani pas kaq kohësh, ishte bërë drejtor i një instituti që merrte studentë për mësim të gjuhës ruse. Ky institut bashkëpunonte edhe me një bankë. Pyeta për këtë person se ku ndodhej, dhe krijova lidhje me të. 

Si reagoi ambasada Ruse për ftesën që të ishte ardhur ty?

-Shumë normalisht. Thjeshtë, më kërkoi t’ ja paraqitja ftesën që më kishte ardhur, më pyetën për “pritësin” atje, dhe më dhanë leje-kalimin. Unë sapo isha liruar si ushtarak, dhe menjëherë u bëra gati për të lënë vendin tim. Ishte e vështirë. U nisa me një avion “Tarom” nga Tirana në Bukuresht. Pastaj i hipa trenit nga Bukureshti dhe, o burra, drejt Kievit. Në Bukuresht, policia rumune më kontrolloi me imtësi. Kishte edhe një farë habie në fytyrat e policëve rumunë: “Ç’ ne ky shqiptar që dashka të shkojë në Kiev?”. 

Pas gjithë atij udhëtimi me tren nga Rumania, mbërritët më në fund në kryeqytetin ukrainas. Si ishte ajo ditë atje, pas aq e aq vitesh që ju e kishit lënë dikur në vitet ‘60-të? 

-Sapo mbërrita, unë kërkova hotel për të fjetur, po aty afër stacionit të trenit të Kievit. Kishte familjarë rrugës që thërrisnin: “Kush do hotel?”. Kundrejt një pagese, ata ofronin strehim, fjetje nëpër banesat e tyre. Mbaj mend që ishte një plakë; Marie e quanin. “A je njeri i mirë?”, e pyeta për tu siguruar, se gjithsesi, vend i huaj. Ajo miqësisht më tha se kishte vetëm një vajzë. Kish pasur edhe një djalë, por i kish vdekur para një viti. Më tha së ishte e gatshme të më strehonte në shtëpinë e saj, pa asnjë pagesë. Dy dhoma e një kuzhinë. Dhe kështu bëra. Unë, pavarësisht si më tha Maria, e pagova gjithmonë atë familje; si për fjetjen ashtu edhe për ushqimin. Maria e mirë thoshte për mua: “Më iku një djalë, por ja, më ka ardhur një djalë tjetër, po aq i mirë sa ai“. Një mikpritje e jashtëzakonshme! Në botë njerëzit janë kudo njëlloj: të mirë dhe njerëz të liq. Vetëm gjuha ndryshon. Unë për gjithë kohën që ndenja te Maria, pata përshtypjet më të mira. Madje, plotësova edhe kërkesën e Maries për të dërguar atje edhe nënën time më vonë. Dhe e dërgova. Kur janë takuar nëna ime me Marien, veç t’i shikoje: përqafoheshin, sikur të ishin njohur prej vitesh. Maria ishte pensioniste. Ndenja rreth 6 muaj në atë shtëpi. Sikurse e thashë, unë punoja ndërkohë edhe si menaxher për studentët e huaj, por edhe shqiptarë që merrte firma për ti kualifikuar për gjuhën. 

Veç sa më the më lart, çfarë pune tjetër të vinte për duarsh?

-Po ja, lidhesha me firma serioze shqiptare, bëja menaxherin. Se duhej të ndërtoja jetën time. Firmat shqiptare pas ’92-shit, e në vijim, vinin atje sipas interesave te tyre, natyrisht. Unë isha hallexhi, kisha ikur atje duke marrë lekë borxh. Përfytyroje, që në fund të karrierës, isha zëvendësdrejtor i drejtorisë ekonomike dhe kur u lirova isha thuajse pa qindarka në xhep. Ndaj sapo mbërrita në Kiev, mora makinën e qumështit e ngarkoja dhe vazhdoja punën kundrejt parave që me jepte padroni. Mbaj mend që në atë kohë, në ’92-shin, por edhe më pas, dhe deri vonë në Ukrainë, kanë qenë në funksionim të gjitha asetet e ish kooperativave bujqësore ose kolkozet, siç i quajnë. Ukrainasit nuk e kanë prishur atë pronë aspak, pavarësisht se edhe atje nisi ekonomia e tregut. Edhe teknika bujqësore, siç kishim ne SMT-të dikur, atje është ruajtur nga popullata dhe është në funksion të tokës bujqësore. Mbaj mend, që atje industria e rëndë ishte produktive, prodhoheshin, që nga gjilpëra, e deri tek aeroplani më i sofistikuar. Po ashtu minierat në Donesk, në Donbas, në Rostov mbi Don, kishte uzina të mëdha; të gjitha funksionale. 

Nga eprorët tuaj të dikurshëm, ç’ mbresa keni? 

-Si ushtarak gjithnjë kam qenë korrekt me detyrën. Por gjithsesi, përshtypje për njerëz të veçantë, edhe të krijohen. Për shembull, mbaj mend një zëvendësministër, Qazim Kondi. Një njeri me botë të madhe shpirtërore. Kur ikëm në BS, na instruktoi me shumë dashuri vëllazërore dhe me takt: “Shiko, na tha, ju atje do jeni mes njerëzve të mirë, sigurisht. Unë s’mund t’ju them juve me urdhër që “mos u martoni atje, se mund të krijoni telashe për veten tuaj”, por ama një fjalë e urtë thotë që “guri i rëndë është në vend të vet”. Kaq na tha. Dhe mua kurrë s’ më shkoi mendja që atje të martohesha. Jo!. I kisha vënë vetes vetëm një qëllim: Të studioja sa më mirë në fushën e ekonomisë ushtarake, për t’i shërbyer vendit tim, Shqipërisë”.