Hyqmet Zane/ Për një pedonale 6 milionë euro në funksion të rilindësve për maskaradën e qytetit

769
Sigal

Dumreja dhe Belshi, si bukuri prej Zotit dhe Sami Frashëri.

 

 

 

Kush tha që nuk ka pasur të drejtë filozofi ynë i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri, kur tha që Belshi duhet të ishte kryeqyteti i Shqipërisë? Nuk ka pasur kurajën askush dhe nuk kam dëgjuar askënd ta ketë kundërshtuar, por një gjë është e qartë, që mendja e ndritur e një shqiptari të vërtetë, vërtet mendonte mirë që të zgjidhte një perlë të krijuar nga Zoti si pjesën më të bukur e më të përshtatshme për të ndërtuar një kryeqendër për një komb të tërë.

Duket që Sami Frashëri, me kulturën që kishte dhe me vendet e shumta që ka vizituar, e ka gjezdisur edhe Dumrenë dhe e ka parë me vëmendje gjithë hapësirën e shtrirjes së zonës së Dumresë dhe duke vlerësuar gjithë ekosistemin e kësaj zone me bukuri të rralla. Prania e rreth 84 liqeneve të shpërndarë aty-këtu që e bëjnë zonën shumë atraktive, ia ka marrë mendjen filozofit Sami Bej duke bërë edhe një paralelizëm me Stambollin që ka qenë kryeqendra e Perandorisë Osmane i ndërtuar mbi disa kodra të bukura për të cilin thuhet shpesh: “Ka Paris, por ka edhe Stamboll”. Por jo, nuk qe e thënë ta respektonim mendimin e filozofit të përmendur për mendimet e tij të vyera. Me këto mendime dhe me tërësinë e atyre që kemi mësuar për Dumrenë, një vizitë në këtë hapësirë të shtrirë gjerë e gjatë, më dha shumë relaks, por më shumë se kaq më dha shumë mesazhe për të thënë shumë fjalë. Miku im nga kjo zonë, Dritan Cani, një njeri me origjinë nga kjo zonë, duke pasur edhe vizione të drejta dhe largpamëse për Dumrenë, si dhe me eksperiencën e punës në një vend evropian, më dha mundësinë që të përjetonim momente jo thjesht si relaks, por gjykimi për atë që ka ikur, për atë që është dhe atë që duhet të bëhet në këtë perlë të natyrës që Zoti e ka qëndisur me kodra të ëmbla, me fusha të parcelizuara bujqësore, me liqene piktoreske dhe me bimësi të spikatur, ku duhani ka qenë specialiteti më i kultivuar dhe fitimprurës i popullsisë së zonës. Duhet ta them që në fillim se, sapo del në qafën e njohur si e Belshit në hyrje të qytetit, të bie në sy si në një largësi të afërt qyteti i Belshit me liqenin e tij, më i madhi i zonës që e bën atë të dallueshëm për bukurinë, por sheshpamjen ta ndalon një beton në formë kulle që nuk dihet se cila mendje e ka ideuar, projektuar dhe zbatuar kushedi se për çfarë arsyeje. Funksionin e asaj kulle e bën vetë lartësia e qafës hyrëse për në Belsh për t’i rrotulluar sytë në të gjithë hapësirën e qytetit të vogël, por të pafat që nuk u bë asnjëherë ashtu siç e ëndërroi një filozof 100 e ca vjet më parë. Por për fat të keq, Belshi dhe Dumreja nuk u bë edhe ashtu siç do të duhej të ishte një qytet i ri me histori të vjetër. Edhe hyrja në qytet, me gjithë investimet e bëra, duket si një siklet i madh me ngushtim të rrugëve sa edhe makinat mund te fërkohen me njëra-tjetrën dhe të fusin në sherr drejtuesit e tyre, ku trotuaret mungojnë për qytetarët, a thua se njerëzit do të pakësohen e do të ikin dhe jo që popullsia do të shtohet e rritet dhe do të duhet edhe më shumë hapësira lëvizjesh dhe frymëmarrje të qytetit. Dhe kur merr vesh që në këtë qytet janë investuar rreth 6 milionë euro, vërtet të drithëron fakti që paratë e taksapaguesve nuk dihet se ku kanë shkuar, sidomos kur shikon se ato që duken si investime publike, nuk janë gjë tjetër veçse si ca punë të rëndomta komunale.

Nuk janë pak por rreth 6 milionë euro që, edhe po të duash t’i investosh në këtë hapësirë të qendrës së qytetit, nuk ke se ku t’i çosh. Por me metodat e njohura të Partneritetit Publik Privat dhe me tenderime abuzive për të favorizuar miqtë e deputetëve apo ministrave të qeverisjes, atyre parave u gjendet dermani në xhepat e marifetçinjëve që ua dinë lezetin dhe ua gjejnë vendin.

Duket që qendrës së vjetër nuk i kishte mbetur nam e nishan dhe që në vend të saj ishte zbatuar një projekt me pedonale tipike siç i do kryeministri me ngjyra si të pikturave të tij të pavlera. Projektet pa funksione reale, aq më tepër në një qytet të kthyer në bashki, duket sikur të marrin frymën dhe të krijojnë bezdinë e lëvizjeve pa rregull dhe pa terezi, ku nuk ka se ku të rrotullohen e të kalojnë njerëzit, të rrezikuar gjithnjë nga makinat nga mungesa e trotuarëve. Duket se gjithçka që ka pasur në mendje ndonjë projektues i ‘Rilindjes së PPP-ve’, e kishte përshtatur në funksion të disa privatëve që duket kanë marrë shpërblim për mbështetjen që i kanë dhënë kryeministrit dhe sejmenëve të tij, se sa mund të ishte bërë një projekt me vizion të gjerë dhe me perspektivë shumëvjeçare, tamam ashtu siç e kishte menduar Samiu ynë.

 

E njoh Belshin dhe nuk ma kish marrë mendja se do të ishin bërë kaq shumë ndryshime që i kanë krijuar banorëve të tij tallaze, ku toka shitet e blihet nga rilindësit që ata të jenë të parët në fitimin e privilegjeve, të cilat ua sajon pushteti. Ndërkohë është rritur pakënaqësia që u krijohet qytetarëve të tij nga një situatë e tillë, e cila më shumë duket se nuk ka pasur projekt, sesa edhe po të ishte një projekt i dosidoshëm. Ndoshta edhe vetë Sami Frashërit nuk do i kishte shkuar në mend se një ditë do të kishte ca pushtetarë që sistemin e qytetit të ëndërruar për kryeqytet, do ta tjetërsonin në mënyrën më të keqe të mundshme. Me këtë keqardhje vazhduam rrugën bashkë me Dritanin, si një njeri që ndoshta do të meritonte të ishte një kandidat potencial për të drejtuar punët e këtij qyteti. E gjithë hapësira tjetër me “virgjërinë” e saj më la një shije krejt të kundërt me atë të Belshit. Ajo që të bie në sy janë rrugët e asfaltuara në këto vitet e fundit, por më shumë se kaq syri të sheh parcela – parcela me ullinj që të krijojnë shijen e mirë të asaj mendje që i dha vizion kësaj pune me projektet për fshatin siç mbahet mend qeverisja e Berishës. Dumreja e hershme e dalluar për mbjelljen e duhanit të tij aromatik dhe shumë të kërkuar, duket se ka pushuar së ekzistuari dhe në vend të tij kanë mbetur parcelat bosh, a thua se kanë pushuar së punuari banorët e Dumresë apo punën e duarve të tyre i kanë prerë në besë mendjet diabolike të deputetëve që kanë shkatërruar gjithçka kur vjen fjala tek duhani. Maskarada e duhanit të Dumresë të vlerësuar edhe në diktaturë, ka emër dhe mbiemër të një deputeti socialist që tallej me fakset nga Greqia, që i bënte publike si mashtrim i hapur me djersën e punës së familjeve dumrease. Kush tha se ka thënë filozofi i Rilindjes Kombëtare se Belshi dhe Dumreja të bëheshin kryeqendra e Shqipërisë? Ai që e thotë këtë, nuk ka pasur parasysh se ka filozof të rilindjes urbane që solli në pushtet shkatërruesit e vlerave të një krahine që veç fjala e Sami Bej Frashërit të mos dilte si e vërtetë. Edhe pse do të duhej të thoshim se “ka Paris, por ka edhe Stamboll”, ndoshta Sami filozofi si shqiptar i mirë që ishte kishte menduar që të thuhej se “ka Paris, ka Stamboll, por ka edhe Belsh dhe Dumre” si perla të bekuara nga Zoti, por të masakruara fatkeqësisht nga njerëzit e një rilindjeje që nuk ka mendje që e percepton se sa keq i ka bërë edhe gjithë Shqipërisë e shqiptarëve. Sa u ndjeva i relaksuar që pashë një hapësirë të një natyre të bukur siç ka dashur ta bëjë Zoti, aq edhe u trishtova nga çfarë pashë të zbatuar me projekte hajdute të rreth 6 milionë eurove që nuk ka kontroll që mund tua nxjerrë të palarat në shesh. Por një gjë është e qartë, se në këtë zonë dhe në Belsh ka burra që nuk e kanë harruar as “projektin” e Sami Frashërit për ta bërë këtë zonë jo më kryeqytet, por një zonë turistike kombëtare dhe mbarëkombëtare për t’iu kthyer banorëve të saj bukuritë e një turizmi që nuk ka të krahasuar. Këto janë të vërtetat reale që pashë në një udhëtim të shkurtër dhe me shumë dritëhije nga këndvështrimi i një njeriu që nuk ka asnjë interes personal, por vetëm për të gjykuar e për të reflektuar mbi gjendjen e zonës së Dumresë me qendrën e saj administrative, Belshin. Ndoshta këto të vërteta mund edhe të mos i pëlqejnë ndokujt, por për këtë rast do të citoja George Orwell që ka thënë: “Në një botë ku mashtrimi është bërë i zakonshëm, të thuash të vërtetën është si të bësh revolucion”.