Hyqmet Zane: Bijtë e Çamërisë, antifashistë që i vrau diktatura

664
Sigal

Në vitet 1960-1961 janë ekzekutuar 11 djem çam, janë dënuar 63 persona ku u dhanë 1250 vite burg, një pjesë e të dënuarve vdiqën në burgje

 

Fiset Demi – Sejko të Çamërisë, antifashistë shembullorë që i vrau diktatura

 

Nga Hyqmet Zane

 

Ceremonia e përurimit të bustit memorial të “Heroit të Popullit” Ali Demi në lagjen dhe shkollën që njihet me të njëjtin emër, ishte kujtesa e veteranëve të Luftës II Botërore me inicimin e bashkisë së Tiranës për një bir të Çamërisë. Nuk ishte thjesht një ceremoni, por një promemorie për shtetin dhe shoqatën e veteranëve të Luftës, po aq sa edhe një kujtesë për ata që pretendojnë se përfaqësojnë komunitetin çam, sepse nderimi për Ali Demin nuk është thjesht një ritual, por një detyrim sa moral, aq edhe shtetëror për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur të bijve të Çamërisë që edhe luftuan kundër nazifshizmit si një detyrim kombëtar, por edhe që u persekutuan pa faj breza të tërë pjesëtarë të Çamërisë për faqe të zezë të sistemit diktatorial.

Pjesëmarrja e veteranëve të Luftës dhe nga komuniteti çam dhe veçanërisht edhe Resul Demi si përfaqësuesi më i vjetër i fisit Demi, si dhe i nipit të tij Hajri Xhaferi dhe shumë zyrtarëve të pushtetit me orgjinë nga Çamëria, i dhanë aktivitetit një domethënie të madhe përfaqësimi. Do të duhej që këtë aktivitet ta organizonte Shoqata “Çamëria” apo ndonjë organizëm që pretendon se mbron të drejtat e këtij komuniteti, por gjithsesi misioni i nderimit u krye dhe emri i Ali Demit është i shkruar me germa të mëdha para bustit të nderimit të tij. Është e vërtetë që lufta antifashiste vuri në provë bijtë e kombit dhe çamët ishin pjesëtarë të këtij antifashizmi ku u dalluan fisi Demi dhe Sejko që nga Ali Demi dhe Teme Sejko, tek Tahir Demi dhe Taho Sejko, tek Vehip Demi dhe Alush Sejko, që nga Petrit Demi dhe Lutfi Sejko e të tjerë. Por sa herë që vjen muaji maj, me keqardhje më vjen në kujtesë në mënyrë të vetvetishme fakti se nderimi për luftën e komunitetit çam si antifashistë ka qenë jo vetëm i rastësishëm, por edhe denigrues sepse bijtë e luftës u akuzuan si “tradhtarë” (?!) dhe u dënuan në mënyrën kriminale më të rëndë. Për çudinë e madhe të gjithë këta bij të Çamërisë që dhanë kontribute për antifashizmin me në krye Ali Demin si “Hero Kombëtar” që nga korriku 1945, morën nofkën më të padrejtë dhe vazhdojnë të jenë fajtorë pa faj edhe pas 59 vjetësh të atij dënimi monstruoz të këtij fisi Demi dhe Sejko, veçanërisht. Historia na ka ndëshkuar rëndë si komb, por më shumë se kaq, këto kanë ndodhur edhe për shkak të pakujdesive të mëdha në momentet kyçe të historisë. Në lidhje me çamët, kemi qëndrime të paparashikueshme në kohë dhe në hapësirë sa nga diplomacia, aq edhe nga politika, sa nga e majta, aq edhe nga e djathta, sa nga presionet e jashtme greke, aq edhe nga butaforizmi diplomatik dhe akademik me të vërtetat shqiptare. Në forma nga më të ndryshmet dhe me një strategji të sajuar e të thurur në skuta të panjohura, goditjet ndaj komunitetit çam po bëhen në mënyrë të njëtrajtshme dhe të herëpashershme, me struktura dhe personazhe të caktuar që dinë se çfarë bëjnë dhe ndaj kujt e bëjnë. Kanë kaluar 59 vjet nga ai front antiçam i strukturave të sigurimit të shtetit ndaj djemve të Çamërisë me miratimin e vetë kreut të shtetit diktatorial, edhe pse shpesh herë thuhet se ai nuk dinte gjë dhe ka mbetur i habitur për çka ndodhi. Nuk ka asnjë dyshim se ai ka qenë ideatori, ka qenë hartuesi dhe zbatuesi i çdo skenari në këtë rast, sepse ai kishte provuar kohë pas kohe se kështu kishte vepruar me shumë e shumë personalitete të së shkuarës në historinë e lavdishme të pas Pavarësisë dhe me ata që kishin kontribute të rëndësishme në Luftën e Dytë Botërore me porosi të serbëve të atashuar brenda shtabit të PKSH-së dhe përmes grekëve më pas nga miqësia me Partinë Komuniste Greke. Pyetja që është shtruar herë pas herë nga shumë personazhe bashkudhëtarë të Enver Hoxhës, se pse u goditën fiset Demi – Sejko nga diktatura, ndërkohë që ato morën pjesë aktivisht në luftën partizane për çlirimin dhe rindërtimin e Shqipërisë, mbizotëron vetëm heshtja, duke mos pasur asnjë falje apo shfuqizim të atij gjyqi makabër, nga 28 korriku 1960 e deri më 30 maj 1961, kur mendohet se janë ekzekutuar 11 bij çam dhe janë dënuar 63 pjesëtarë të të ashtuquajturit grup, u dhanë 1250 vite burg, një pjese e të dënuarve vdiqën në burgje, ndëshkimi i të gjitha familjeve çame në Shqipëri ishte ekskluziv dhe në brezat që lindnin. Me këtë gjest dhe me mosndëshkimin ligjor sot të autorëve të asaj maskarade, nëse flasim për drejtësi dhe të drejtën legjitime të ngjarjeve në histori, duket sikur lihet shteg që, edhe me kërkesat e zyrtarëve të Athinës ndaj qeverisë shqiptare, të vazhdojë goditja e komunitetit çam. Në fakt goditja nuk ishte vetëm ndaj fiseve të nderuara Demi – Sejko, ekskluzivisht ishte për tërë popullsinë çame, e cila u mor peng nga klika e Enver Hoxhës, iu ndalua rruga për kthimin në vendin e tyre, pasuan korrigjime të historisë me krijimin e premisave lehtësuese ligjore në Greqi. Kjo ishte aq e vërtetë sa ç’është e vërtetë se vetë Enver Hoxha ishte protagonist, ngaqë nuk bëri asnjë veprim mbrojtës apo mbështetës të kësaj popullate në një kohë kur në jugun e Shqipërisë kishte shumë zona të çliruara dhe mund të dërgonte një brigadë apo edhe batalion për të mbrojtur të pafajshmit dhe të paarmatosurit e popullatës kur kriminelët e bandave të andartëve me porosi shtetërore dhe me mbështetjen e aleatëve britanikë bënin masakra çnjerëzore të tipit gjenocid që për çudinë e historisë vazhdon të heshtet. Është fakt që në vitet 1945-46, në OKB u vendos për tërë refugjatët e luftës e drejta e kthimit në vendet e tyre, por qeveria e Tiranës mori urdhra të tjera nga Greqia me të cilën kishte marrëdhënie të mira, sidomos me komunistët grekë. Prapaskenat e bëra në kurriz të popullatës çame u panë qartazi edhe me heqjen me urdhër politik të shtetësisë greke të kësaj popullate në fillim të viteve ’50. Mos ndëshkimi dhe mosdemaskimi i këtyre realiteteve dhe qëndrimet ndaj përfaqësimit politik të komunitetit çam sot, janë përsëri qëndrime antiçame të qeveritarëve të çdo spektri politik në Shqipëri. Në një formë ose në një tjetër, ajo goditje që iu dha fisit Demi dhe Sejko dhe gjithë komunitetit çam, sot duket se ne vetë, me naivitetin tonë po i lëmë shteg kujtdo që të hedhë baltë mbi të kaluarën tonë. Nëse herë pas here bëhen “gjyqe” ndaj krimeve që ka bërë diktatura po duket hapur se në drejtësinë shqiptare po mungon vettingu për të shkuarën, në qoftë se vërtetë duam të bëhet drejtësi. Nëse shpesh them,i se pa zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan nuk mund të ketë qetësi as Ballkani vetë dhe as Evropa. Jam koshient të them se pa zgjidhjen e çështjes çame dhe pa vënë një drejtësi të gjenocideve të bëra ndaj Çamërisë si ai grek, nazifashist dhe komunist, kurrë s’do të ketë qetësi.

Kujtesa për Ali Demin me një bust memorial është një gjë e mirë që meriton respekt për bashkinë e Tiranës. Nuk ka se si të heshtet që varri i këtij Heroi të Popullit mbetet jashtë varrezave të kombit, aq më tepër që Ali Demi ishte dhe mbetet përfaqësuesi më i lartë politik i Luftës Antifashiste dhe që me hir a me pahir edhe vetë diktatori e nderoi duke e quajtur “Hero Kombëtar”, i pari i bërë me dekret nga qeverisja e pas Luftës. Thënia e president amerikan Ronald Reagan, se “Të rrish duarkryq duke shpresuar se një ditë, disi, dikush do të bëjë drejtësi, është sikur të shkosh në gojën e krokodilit, duke shpresuar se ai do të të hajë ty të fundit.” Është një e vërtetë e pamohueshme, që ka ndodhur, do të duhet që këshilla e tij të mbahet parasysh për të nderuar edhe bashkëkombësit e Ali Demit se edhe ata ishin luftëtarë antifashistë dhe nuk ka vend për dyshime apo hezitime, aq më tepër nga Shoqata “Çamëria” që duket se ka humbur fillin e vet të ekzistencës.