Hungari, qeveria pritet të ndalë fushatën me postera anti-Soros

602
Qeveria hungareze ka vendosur të mbyllë fushatën me poster që përdor imazhin e Xhorxh Sorosit për të shpërndarë mesazhe kundër emigracionit. Fushata kishte ngjallur mjaft debate në vend. Qeveria pretendon se fushata kishte si qëllim të hapte një “konsultim kombëtar” mbi çështjet e ndikimit të huaj dhe emigracionit masiv. Por analistët e kanë parë atë si burim për ndarje të forta në shoqërinë hungareze. Zëdhënësi i qeverisë hungareze tha se këtë të shtunë do t’i jepet fund një fushate reklamash kundër emigrantëve të ndërmarrë prej qeverisë hungareze, duke përdorur imazhin e financierit amerikan Xhorxh Soros. Në postera dhe në reklamat në shtyp Xhorxh Soros, një kritik i zëshëm i qeverisë së krahut të djathtë të kryeministrit Viktor Orban, shfaqet i qeshur me titullin: “Mos e lini Sorosin të qeshë i fundit”. Disa prej posterave janë dëmtuar me grafit ku shkruhet “çifut i ndyrë”. Federata e hebrenjve hungarezë i ka kërkuar kryeministrit Orban të ndërpresë fushatën, që siç tha edhe një zëdhënës i Sorosit, të kujton “kohët e errëta të Evropës”. “Kjo fushatë nxit ndjenja anti-semitike. E patëm thënë këtë në fillim të saj, një vit e gjysmë më parë. Fatkeqësisht kishim të drejtë, ajo ndezi gjakrat në rrugë”, thotë Andras Heisler kryetar i federatës. Një aktiviste e të drejtave të njeriut e përshkruan kështu këtë fushatë. “E kam përjetuar në të përditshmen time që shumë njerëz e kanë rastin Soros të mbërthyer në mendjen e tyre dhe ideja është që ne duhet të urrejmë të gjithë”, thotë Judit Dallos. Por qeveria e kryeministrit Orban e ka mohuar fuqimisht që fushata me postera ka një sfond anti-semit. “Një poster i mirë, tërheq vëmendjen për disa rreziqe. Rreziku nuk është George Sorosi në vetvete, por ajo që ai përfaqëson në rastin e emigracionit. Problemi ynë me George Sorosin nuk është se ai është me origjinë hebraike, e dënoj në mënyrë kategorike dhe refuzoj të pranoj që qeveria ka patur këtë qëllim”, tha shefi i kabinetit të kryeministrit Janos Lazar. Ndërkohë Peter Kreko analizon pasojat e mundshme të fushatës në shoqërinë hungareze. “George Soros ka shumë kritikë ideologjikë në Shtetet e Bashkuara në gjirin e republikanëve, në Britaninë e Madhe mes grupeve konservatore, madje edhe në Izrael në qeverinë aktuale. Ndaj mendoj se problemi me këtë fushatë nuk është toni anti-semit. Mendoj se qeveria hungareze ka marrëdhënie mjaft të mira me bashkësitë hebraike në Hungari. Problemi i madh që unë mendoj është se ajo mund të shkaktojë një ndarje edhe më të fortë në shoqërinë civile hungareze”, thotë Peter Kreko, analist i institutit Political Capical. George Soros, një hebre i lindur në Hungari, i cili ka shpenzuar një pjesë të madhe të pasurisë së tij për financimin e demokracisë dhe grupeve të të drejtave të njeriut, është vënë në shënjestër në mënyrë të përsëritur nga qeveria e krahut të djathtë të Hungarisë, veçanërisht për mbështetjen që ai i jep një politike të hapur për emigracionin.
Sigal