Hotel “Dajti”, selia e re e PS

656
Sigal

Nëpërmjet letrash të bëra mes Kryeministrit dhe Guvernatorit Sejko,
ish-hotel “Dajti” i blerë 30 milionë dollarë nga Banka e Shtetit, do t’i “dhurohet”
PS për zyra

 

Në 75 vjetorin e PKSH, “Rilindja” vendosi: Hotel “Dajti” të bëhet seli e
PS, godina e PS të bëhet zyra për ballistët, zogistët dhe veteranët

 

Përparim HALILI

 

Pëlqimi mes palëve Bankë-Qeveri për këtë “akt-dhurimi”
është bërë në datën 8 Nëntor 2016, pra në ditën e 75- vjetorit e themelimit të
Partisë Komuniste Shqiptare, pasardhëse e dytë e të cilës është PPSH,
pasardhëse e tretë është PSSH dhe prej afro 4 vitesh pasardhëse e katërt është
“Rilindja” e drejtuar nga bijtë e besuar të krerëve të cilët PKSH e ’41-it e
tjetërsuan në PPSH, ndërsa PPSH e ’91-it e tjetërsuan në PSSH

 

Siç thuhet, ky transferim i udhëheqjes qendrore të
“Rilindjes” prej selisë aktuale të PS, bëhet për shkak të kaosit të shkaktuar
prej bllokimit të qarkullimit të makinave në Pedonalen “Skënderbej” e për
rrjedhojë edhe të makinave të udhëheqësve të PS

 

Mund të jetë rastësi, por afrimi i PD e PS me seli prane
njëra-tjetrës, siç thuhet është më tepër “afrimitet” që buron prej historisë që
lidh udhëheqjet e dy forcave politike PS e PD, të cilat pas 25 vite ndarjeje në
dy pjesë “armike”, do të jenë më në fund “komshi” në të njëjtën rrugicë, vetëm
100 metër larg në vijë

 

 

Burime tepër të sigurta nga “bunkeri” i pasigurt me emrin Banka e Shtetit
Shqiptar, na informuan dje se mes Guvernatorit Gentian Sejko dhe Kryeministrit
Edi Rama është bërë një transaksion letrash tip “pazari sekret”, me objekt
rikthimin e ndërtesës së ish-Hotel “Dajti” në pronësi të qeverisë shqiptare.
Sipas informacionit që del edhe prej zyrave të kupolës së qeverisë “Rilindja”,
ky kalim pronësie nga Banka e Shtetit Shqiptar, në fondin pasuror të pronësive
të Qeverisë Shqiptare, do të bëhet pa veprime financiare, por thjesht si “shkëmbim
letrash”! Pra, me “procedurë akt-dhurimi me vullnet të lirë” mes dy palëve, që
në fakt janë palë shtetërore dhe ish-hotel “Dajti” është po pronë shtetërore. Po
përse, do ta përdor qeveria “Rilindja” këtë objekt të mbetur gërmadhë prej më se
20 vitesh, të blerë 6 vite më parë me 30 milionë euro prej Bankës së Shtetit, për
zyra shtesë të “udhëheqjes” së kësaj banke?

 

Ish-Hotel “Dajti”, do të bëhet seli e “Rilindjes”

 

Thuhet, se ky ish-hotel gërmadhë i është rikthyer shtetit, jo për ta bërë
institucion social, apo zyrtar si p sh shkollë, ministri, seli mediash, kopsht,
çerdhe, spital, qendër sociale, qendër kulturore, apo zyra shërbimesh publike,
por do të bëhet seli e PS, pra e “Rilindjes”. Me këtë projekt, duket qartazi që
PS po vepron ashtu si PD me kalimin e zyrave të partisë tek SHQUP në korrik-gusht
2013. Këtë po bën edhe PS e cila ka vendosur që në prag të zgjedhjeve
parlamentare të qershorit 2017, të largohet nga “shtëpia ku jeton” qysh prej 12
qershorit 1991 kur PPSH u tjetërsua në PSSH dhe të “strehohet” në ish-Hotel
“Dajti”. Pëlqimi mes palëve Bankë-Qeveri për këtë “akt-dhurimi” është bërë në
datën 8 Nëntor 2016, pra në ditën e 75- vjetorit e themelimit të Partisë
Komuniste Shqiptare, pasardhëse e dytë e të cilës është PPSH, pasardhëse e
tretë është PSSH dhe prej afro 4 vitesh pasardhëse e katërt është “Rilindja” e
drejtuar nga bijtë e besuar të krerëve të cilët PKSH e ’41-shit e tjetërsuan në
PPSH, ndërsa PPSH e ’91-it e tjetërsuan në PSSH. Partitë komuniste dhe partitë
e punës në Shqipëri, të cilat nuk e kanë tradhtuar idealin e PKSH e të PPSH, akuzuan
PS me program “Rilindjeje” si “tradhtare” ngaqë më 8 nëntor 2016 nuk përkujtoi
75 vjetorin e Themelimit të PKSH-partisë “mëmë” të 8 Nëntorit 1941. Por pikërisht
në këtë datë, kupola e PS me logon “Rilindje”, hodhi hapin tjetër për të cënuar
“idealin dhe veprën e lavdishme e largpamëse” të atyre që themeluan PKSH dhe që
i lanë trashëgim PPSH e PS, në themel të së cilës sipas tyre është lufta Nacional-Çlirimtare!
Pas 72 vitesh, vazhduesja e PKSH, PPSH dhe PS, më saktë partia “Rilindja”,
rikthehet me zyra në ish-Hotel “Dajti”, atje ku gjatë 45 vitesh sundim, kontrollohej
dhe garantohej pushteti komunist prej “rrezikut të veprimtarive të agjentëve të
brendshëm e  të jashtëm të partisë dhe të
popullit”.

 

“Shtëpia” e falur për Rilindjen (PS)”, sipas Kodi Civil për
dhurimet

 

Pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, fiton ose jo Rilindja” (PS),
kjo parti do të ketë si seli ish-Hotel “Dajti”, të falur me “akt-dhurimi” prej
Bankës së Shtetit, mbështetur në Nenin 761
të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, i cili thotë: “Dhurimi është një
kontratë me anë të së cilës njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim palës
tjetër një send të caktuar ose një të drejtë reale, të cilat ajo i pranon”, por
edhe  sipas Nenit 764,
në të cilin përcaktohet kështu: “Dhurimi i sendeve të paluajtshme duhet të
bëhet me akt publik dhe të regjistrohet, përndryshe është i pavlefshëm. Pranimi
mund të bëhet me po atë akt ose me akt të mëvonshëm. Në këtë rast dhurimi quhet
i përfunduar nga momenti kur akti i pranimit i është njoftuar dhuruesit. Në
qoftë se ka për objekt sende të luajtshme, ai është i vlefshëm kur ato
specifikohen duke treguar edhe vleftën e tyre në kontratën e dhurimit. Kontrata
quhet e lidhur nga çasti i dorëzimit të sendit”. Siç thuhet, ky transferim i
udhëheqjes qendrore të “Rilindjes” prej selisë aktuale të PS, bëhet për shkak të
kaosit të shkaktuar prej bllokimit të qarkullimit të makinave në Pedonalen “Skënderbej”
e për rrjedhojë edhe të makinave të udhëheqësve të PS, ndërkohë që “Rilindja” i
ka dhënë provat e transferimit duke larguar Ministrinë e Mbrojtjes nga komshillëku”
me Kishën Ortodokse e tashmë edhe zyrat e partisë, duke u bërë “komshi” me Kishën
Katolike…, kambana e të cilës do të ushtrojë në distancë të baraslarguar nga selitë
e këtyre dy partive…

Partia “Rilindja” në hotel “Dajti”, komshi me PD në SHQUP

 

Mund të jetë rastësi, por siç thuhet është më tepër “afrimitet” që buron
prej historisë që lidh udhëheqjet e dy forcave politike PS e PD, të cilat pas
25 vite ndarjeje në dy pjesë “armike” do të jenë më në fund “komshie” në të njëjtën
rrugicë, vetëm 100 metër larg njëra-tjetrës në vijë horizontale! Të dyja këto
parti, kanë gjetur si “shtëpi” dy objekte që kanë lidhje me historinë e ish-regjimit
komunist. Ndërsa PD është strehuar me zyra në ish-qendrën e ushtrisë popullore
e të veteranëve të luftës N-Çl, “Rilindja” (PS) do të strehohet në krahë të saj
tek hotel (çerdhja) e famshme e ish-sigurimit të shtetit, ku u strehua
fillimisht ish-udhëheqja komuniste e 28 nëntorit ’44. Sido që të interpretohet
ky afrim fizik me selitë e PD e PS, fakti është që ato tashëm do të jenë pranë
njëra-tjetrës në të njëjtën rrugicë, përballë ish-Muzeut Enver Hoxha.  

Në selinë e “Rilindjes” (PS), do futen partitë dhe shoqata me bindje
historikisht armiqësore

 

Selia e PS që tashmë njihet me ngjyrë, program, udhëheqës dhe logo si
“Rilindje”, mbasi qershorit 2017 nuk do të jetë më “shtëpi e socialistëve”,
mbasi udhëheqja “Rilindja” do ta transferojë atë ndërtesën e ish-Hotel “Dajti”.
Këtë gjë bëri edhe PD në fund të pushtetit të saj 8-vjeçar në vitin 2013, me
VKM nr. 515, datë 18 korrik 2013, për kthimin në seli të PD, të godinës së Shtëpisë
Qendrore të Ushtrisë, i zbatuar me kalim pronësie në datën 20 gusht 2013. Po
cilët do të strehohen në selinë aktuale të “Rilindjes” (PS)? Kujtojmë, që selia
aktuale e “Rilindjes” (PS) ka qenë seli e ish-Komitetit të PPSH të rrethit të
Tiranës. PS u çua në këtë seli në qershor 1991 pas kongresit të shpërbërjes së
PPSH, e cila kishte zyrat në godinën e ish-Komitetit Qendror (sot disa institucione
kryesore të shtetit dhe zyrat e Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve
Politikë), ndërkohë që ish-shtëpia e themelimit të PKSH nuk ekziston më, për
shkak të lejeve të ndërtimit të kullave, dhënë prej kryerilindësit të PS
aktuale. Sipas planit që ka menduar “Rilindja:, në këtë seli do të strehohen
partitë anti-komuniste dhe partitë e shoqatat pro-komuniste. Konkretisht, në
selinë aktuale të PS, kupola e qeverisë “Rilindja”, ka vendosur të sistemojë me
zyra disa parti e shoqata politike, të cilat do të hyjnë e do të dalin nga e
njëjta derë dhe që do të mbushin fasadën e ish-selisë së PS, me flamujt përkatës
të tyre, ku kryesore do të jenë partitë balliste e zogiste.

 

Ja lista e 20 partive dhe shoqatave politike që do futen në selinë e PS

 

1.     
Partia Balli Kombëtar
Demokrat

2.     
Partia Komuniste e
Shqipërisë

3.     
Komiteti Kombëtar i
Veteranëve të Luftës N-ÇL

4.     
Partia Komuniste 8
Nëntori

5.     
Partia Lëvizja e
Legalitetit

6.     
Fondacioni “Qemal
Stafa”

7.     
Partia e Diasporës
Anti-Komuniste

8.     
Partia Republikane

9.     
Partia Balli Kombëtar
Shqiptar

10. 
Shoqata e Familjeve
të dëshmorëve të Luftës

11. 
Partia Konservatore

12. 
Partia LZHK

13. 
Partia
Antikomuniste e të Drejtave të Mohuara

14. 
Partia Mendimi i
Djathtë Liberal

15. 
Partia Socialiste e
Moderuar

16. 
Shoqata e ish-të
Përndjekurve Politikë

17. 
Partia e Punës e
reformuar

18. 
Partia Lëvizja
Monarkiste Demokrate

19. 
Partia e Unitetit
Kombëtar

20. 
Partia Nacionaliste
Antikomuniste

Historia e shit-blerjes së Hotel “Dajti”

 

Siç e thamë, një informacion i ardhur konfidencialisht prej zyrave të Bankës
së Shtetit Shqiptar dhe prej zyrave të kupolës “Rilindja”, thotë se ish-Hotel
“Dajti”, pronë hipotekore e Bankës së Shtetit Shqiptar, e blerë me vlerën 30
milionë euro prej qeverisë shqiptare në datën 17
maj 2010, do t’i rikthehet përsëri si pasuri shtetit shqiptar.
Kujtojmë,
që shit-blerja e këtij hoteli për llogari të Bankës së shtetit është bërë me ligjin Nr. 1638, datë 17.12.2008, “Për kriteret e
vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe për
procedurën e shitjes”. Mirëpo, vendimi i qeverisë për t’i shitur Bankës së
Shqipërisë ish-Hotel “Dajti” me vlerë 30 milionë euro, rezulton të jetë
procedurë me shkelje të plota ligjore dhe që i shkaktoi buxhetit të shtetit,
një humbje të madhe ekonomike. mbasi qeveria nuk ka respektuar ligjin për
ankandet e shitjes së pronës shtetërore, ndërkohë që është dhe Kodi Civil. Konkretisht,
Ligji nr. 1638, datë 1712/2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore
që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, detyron
qeverinë, që në rastin e shitjes së një prone shtetërore, t’ia nënshtrojë atë,
procesit të ankandit të hapur. Por, për shitjen e Hotel “Dajti”, qeveria
“Berisha” nuk hapi ankand të lirë publik. Vendimi i Këshillit të Ministrave, me
titull “Për shitjen e pronës shtetërore ‘Ish-hotel Dajti’ në favor të Bankës së
Shqipërisë”, mbështetet në nenin 4 të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për
pronat e paluajtshme të shtetit”. Ky nen sanksionon se “prona të paluajtshme të
shtetit, që nuk janë pronë publike si toka bujqësore, troje, ndërtesa, aktive
të ngurtësuara të ndërmarrjeve nën administrimin e shtetit, si dhe prona të
tjera të këtij lloji, nëse nuk i nënshtrohen dispozitave ligjore të posaçme,
kanë regjim juridik të barabartë me pronën private dhe i nënshtrohen rregullave
të parashikuara në Kodin Civil”. Duket se është kjo arsyeja, pse në pikën 2 të
vendimit të qeverisë, thuhet se “shitja e kësaj prone Bankës së Shqipërisë të
bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil”. Por neni 4 i ligjit nr. 8743, datë
22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, mbi të cilin del vendimi i
qeverisë nuk bën fare fjalë për shitje prone dhe as për mënyrat e shitjes së
pronës shtetërore. Madje edhe në rastet kur sanksionon nënshtrimin e rregullave
të parashikuara në Kodin Civil, qartësisht sqaron, se kjo do të ndodhë
gjithmonë në rastet kur pronat e paluajtshme të shtetit, nuk i nënshtrohen dispozitave
ligjore të posaçme. Për shitjen e ish-hotel ‘Dajti’, këto dispozita të posaçme
ligjore ekzistojnë pikërisht në ligjin Nr. 1638, datë 17.12.2008, “Për kriteret
e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe për
procedurën e shitjes”.
 

 

Historia e Legalistëve

 

Origjina e Lëvizjes Legaliste, (pra Partisë Lëvizja e Legalitetit) lidhet
ngushtë me ngjarjet politike të viteve 1920-1924 dhe me veprimtarinë e aktet e
figurës më të ndritur të shtetit shqiptar, Ahmet Zogut, në fillim si komandant
ushtarak për mbrojtjen e kufijve të shtetit, më pas si Ministër i Brendshëm, e
në fund si Kryeministër. Në lidhje me emrin Legalitet, peshën kryesore në këtë
kontekst e mban data 24 dhjetor 1924, kur forcat qeveritare, të kryesuara nga
Ahmet Zogu, Komandant i Operacionit të Posaçëm, arrijnë të rikthejnë në
pushtet, qeverinë e ligjshme të kryeministrit Iljaz Vrioni. Kjo ngjarje
historike është njohur dhe quajtur si Triumf i Legalitetit. Me dëbimin e
pushtuesve nazi-fashistë dhe me uzurpimin me dhunë të pushtetit nga komunistët
kjo parti mbijetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e saj në Botën e Lirë. Partia
“Lëvizja e Legalitetit” asnjëherë nuk ka pranuar dhe vazhdimisht ka
luftuar statusin politik, antikombëtar dhe antikushtetues, të krijuar në
Shqipëri, jo vetëm pas prillit 1939, por edhe pas 24 majit 1944.

Historia e Ballit Kombëtar 

 

Ka qenë një organizatë nacionaliste, antikomuniste dhe republikane
shqiptare e themeluar më 1939, nën
emrin e “Lëvizja Kombëtare e Rezistencës”. Balli Kombëtar u përpoq të
realizonte një bashkëpunim me Partinë Komuniste, për të cilin ia
arriti qëllimit nëpërmjet Marrëveshjes së Mukjes, të firmosur nga
ballistët dhe komunistët në 2 gusht 1943. Komunistët shqiptarë, nën
presionin e Partisë Komuniste
Jugosllave
 e mohuan
marrëveshjen në Shtator 1943 dhe kështu filloi Lufta Civile 1943-1944, ndërmjet forcave të Ballit Kombëtar dhe
atyre të Partisë Komuniste. Në vitin 1943-1944, pas disa fitoreve
fillestare ndaj forcave te rezistencës komuniste, me dobësimin e Gjermanisë dhe
fillimin e humbjen e luftës nga Boshti, Balli e humbi mbështetjen e gjermanëve
dhe si rrjedhojë, humbi edhe luftën kundër forcave të drejtuara nga komunistët
shqiptarë. Balli Kombëtar u shpërnda pas Luftës së Dytë, dhe kryetarët e tij që
s’kishin pasur mundësi të arratiseshin në Perëndim, u persekutuan nga regjimet
komuniste të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, në krahinat shqiptare të së cilës
Balli Kombëtar kishte pasur influencë.

Historia e PKSH

 

Në parathënie të Dokumenteve Kryesore të PKSH 1944-1948, vëllimi i parë,
botim i Institutit të Historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, pranë
Komitetit Qendror të Partisë, për herë të parë në vitin 1960 erdhi me një
konstatim tjetër historik se mbledhja e grupeve komuniste filloi me 4 ose 5
nëntor dhe mbaroi me 8 nëntor. “Mbledhja e grupeve kryesore komuniste zgjati
rreth pesë ditë, duke mbaruar në orët e vona të datës 8 nëntor 1941”, thuhet në
dokumentet kryesore të PKSH-së, vëllimit I, të vitit 1960. Raporti i mbajtur në
mbledhjen themeluese është i vetmi dokument themelor arkivor i mbetur gjallë
për ngjarjen historike të themelimit të PKSH-së. Në gjendjen arkivore emri i
raportit nuk mund të saktësohet mirë, sepse fjala e parë e titullit është e
shkarravitur keq. Gjithçka është drejtuar nga i dërguari i Titos, Miladin
Popoviç, si i dërguari i Titos për të ndihmuar në krijimin e PKSH, me
pjesëmarrjen e më shumë se 15 përfaqësuesve të tri grupeve kryesore: Grupi i
Korçës, Grupi i Shkodrës dhe Grupi i të Rinjve.

Transformimi i PPSH në PS

 

Pas vdekjes së Enver Hoxhës, PPSH vazhdoi rrugën e tij.
Pasuesi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia theksoi se do ndiqte rrugën e
vazhdimësisë, pra rrugën e Enver Hoxhës. Ai urdhëroi ngritjen e monumenteve dhe
busteve të Enver Hoxhës në shumë qytete të Shqipërisë, dhe u vuri emrin e Enver
Hoxhës Universitetit të Tiranës dhe shumë ndërmarrjeve dhe kooperativave.
Njëkohësisht ai shkroi një libër për Enver Hoxhën me titull “Enveri
Ynë” ku i thurte lavde diktatorit. Ramiz Alia ndryshe nga liderët e
vendeve të tjera komuniste, përdori çdo mjet për të mos e dorëzuar pushtetin
duke përdorur edhe dhunën siç ishte masakra e 2 prillit 1991 në Shkodër ku u
vranë nga policia 4 të rinj demonstrues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë si dhe
vrasja e qindra të tjerëve që tentuan të kalonin kufirin. Në Kongresin e X të
PPSH i mbajtur në datën 12 qershor 1991, u vendos
ndryshimi i emrit nga PPSH, në Parti Socialiste (PS).