Homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut/ Rikonstruktohet Muzeu Historik i Sinjës

829
Sigal

Për të përkujtuar heroizmin, mundin dhe sakrificat, gjakun e derdhur dhe veprën e lavdishme të heronjëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u zhvilluan sot homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.

Në këtë ceremoni përkujtimore merrnin pjesë Prefekti i Qarkut Berat, z. Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Fatlli Adilaj, Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, përfaqësues të forcave politike, deputetë, prfaqësues të shoqatave atdhetare, të organizatave të veteranëve, të forumeve rinore, të familjeve të dëshmorëve, qytetarë etj.

Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, z. Vullnet Zylyftari, i cili evokoi luftën e lavdishme të dëshmorëve të atdheut, ndaj të cilëve sot e përgjithmonë çdo gjeneratë duhet të përulet me nderim dhe respekt përballë veprës së luftëtarëve të lirisë, të cilët flijuan jetën e tyre për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Në emër të institucioneve vendore apo të shoqatave pjesëmarrëse, përfaqësuesit e tyre vendosën kurora me lule në memorialin kushtuar dëshmorëve të atdheut. Për të vlerësuar e për t’i dhënë një vend të nderuar memories sonë historike, ngjarjeve, datave dhe personazheve të spikatur të historisë sonë, Bashkia e Beratit, me fondet e veta vendosi të rikonstruktojë Muzeun Historik të Sinjës.

Është hera e parë që vëmendja e drejtuesve të pushtetit vendor fokusohet te çështja e muzeut historik, i cili pas viteve ’90, ka njohur vetëm humbje të vlerave, materialeve dhe gjithçkaje tjetër me vlerë muzeale. Për ringritjen e këtij muzeu janë angazhuar specialistë të muzeumeve, të historiografisë, historian dhe punonjës të drejtorisë së kulturës, të cilët janë në fazën e dokumentimit, seleksionimit dhe depozistimit të materialeve historike, duke i ndarë ato sipas periudhave, datave dhe ngjarjeve, ku përfshihen përveç stendave, edhe objekte autentike, origjinale të protagonistëve të këtyre ngjarjeve, edhe dokumente e dorëshkrime origjinale, të cilat hedhin dritë mbi të vërtetat e ngjarjeve më të rëndësishme historike.

E gjithë kjo iniciativë ka gjetur mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë, z. Petrit Sinaj, i cili, duke vlerësuar rëndësinë e ngritjes së muzeut historik si një dëshmi e gjallë e memories sonë kolektive, ka ndjekur hapa pas hapi fazat e shqyrtimit, vlerësimit dhe miratimit të këtij projekti, i cili shumë shpejt do të jetë një ndër qendrat më të vizituara për të gjithë ata që duan të njohin gjurmët e së shkuarës sonë historike.