Holanda rikthen vizat për shqiptarët

527
Sigal

Parlamenti holandez ka votuar pro mocionit të pesë partive më të mëdha në vend, për rivendosjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. VVD, CDA, PVV, SP, CU ishin partitë të cilat propozuan mocionin të cilin e fituan me shumicë votash. Partitë VVD, CDA dhe CU janë 3 nga 4 partitë të koalicionit qeverisës. Meqenëse Holanda është pjesë e zonës Schengen, ata duhet të bëjnë një pezullim të vizave në konsensusin e BE. Pas këtij votimi në Parlament, qeveria e Holandës do t’i kërkojë pikërisht Bashkimit Europian të nisë procedurën për të rikthyer vizat.

“Pas diskutimeve të shumta, duke vënë në dukje se: ka pasur një rritje të ndjeshme të aktiviteteve kriminale nga mafia shqiptare në Holandë; ndërsa këto organizata kriminale keqpërdorin mundësinë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe të zgjerojnë më tej rrjetin e kontrabandës, i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent të lëvizjes pa viza për Shqipërinë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Parlamentit holandez.

Holanda do t’i kërkojë Brukselit të përdoret “frenimi i emergjencës” e lejueshme të përdoret kur cenohet siguria e një shteti nga një shtet i caktuar. Tashmë çështja është në dorë të Këshillit Europian nëse shqiptarët do të penalizohen vërtetë nga lëvizja e lirë.

Shkak për këtë vendim të Holandës është bërë kriminaliteti shqiptar në rritje. Rikthimi i regjimit të vizave shihet si mundësi për të frenuar kontigjentin kriminal nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Schengenit në drejtim të Holandës ku ushtrojnë veprimtari të paligjshme. Kujtojmë që Holanda ka qenë kundër liberalizimit të vizave për shqiptarët që në fillim.

Megjithatë, rikthimi i vizave në një moment kur Shqipëria pret çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, do të ishte një sinjal shumë i keq për rrugëtimin e vendit tonë drejt familjes së madhe europiane.