Historin e Kombit nuk mund ta përdhosin kolaboracionistët

549
Më 16 shtator u festua në Pezë 73 vjetori i Konferencës së Pezës. Edhe ky përvjetor, si çdo përvjetor i ngjarjeve të LANÇL ngjalli reagime dhe akuza politike, ngaqë në Pezë, në ceremoninë e përvjetorit, u shfaqën publikisht potretet e Enver Hoxhës nga veteranë që nostalgojnë Komandantin e tyre të LANÇL. Reagimi i parë erdhi nga PD, ku kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, akuzoi Kryeministrin Rama se provokon, meqë lejoi potretet e Enver Hoxhës në ceremoni, Ndërsa dje, ish të përndjekurit politikë, protestuan para Kuvendit, ndaj deputetëve socialistë, dhe më vonë, ata u mblodhën para ministrisë së Brendshme duke protestuar fuqishëm ndaj ndërtimit të bunkerit, duke e akuzuar qeverinë, sepse do të rilindë simbolet e diktaturës. Mirëpo, problemi është se në demokraci kushdo ka të drejtën të shprehë lirshëm lirinë e fjalës dhe bindjet e tij. Cilido ka të drejtën që të ketë nostalgji dhe të mbajë qoftë edhe publikisht potret të udhëheqësit dhe liderit të tij shpirtëror. Askujt nuk i jepet e drejta që të dënojë këtë liri të shprehjes, duke u bazuar tërësisht në kundërshti politike. Historia shkruhet nga populli dhe nuk mund të rishkruhet dhe të përdhoset nga revanshistët. Mohimi i rolit historik të kujdo personazhi historik, në periudha të caktuara historike, vetëm e vetëm mbi bazën ideologjike e politike, është revashizmi i forcave të errëta të vetë historisë. 

Protesta e ish të përndjekurve politikë
Përpara Ministrisë së Brendshme dje u krijua tension paradite kur një grup ish të përndjekurish të përkrahur nga PD tentuan të prishin rrethimin e një bunkeri në ndërtim. Sipas qeverisë, bunkeri është një zgjedhje simbolike për hyrjen në strehimin antibërthamor pranë Ministrisë së Brendshme, që do të jetë e hapur për publikun dhe turistët. Por, për ish të përndjekurit bunkeri është vetëm një përpjekje e qeverisë për të rilindur simbolin famëkeq të izolimit në diktaturën komuniste. Bunkeri është rrethuar brenda pak minutave nga forca të rendit dhe të policisë bashkiake, disa prej të cilëve për pak sa u përplasën edhe fizikisht me protestuesit që u përpoqën të shembin rrethimin e bunkerit. Në protestë u dëgjuan kërkesa për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, që u bë përgjegjës prej disa protestuesve përse lejon në Tiranë ndërtimin e simboleve komuniste, ndërsa në Pezë përfshiu në protokoll shtetëror një mini ekspozitë për diktatorin Enver Hoxha.

Paloka: Rama provokon sërish me Enverin, qytetarët do ti japin përgjigjen që meriton
Edi Rama nxiti sërish sot ndasi e konflikt social, duke provokuar shoqërinë me nderimin që i bëri diktatorit Hoxha dhe shpurës tjetër komuniste të regjimit kriminal, që vranë, internuan, dënuan pa gjyq, zhdukën të drejtat elementare të njeriut, dhe sollën krizën e urisë për 45 vite në Shqipëri”, tha numri dy i PD-së. Paloka u shpreh se kësaj radhe akti ishte edhe më agresiv pasi fotot u vendosën në vendin e nderit. “Përmes pinjollit të tij në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama organizoi një aktivitet shtetëror me fotot e Enverit e Nexhmies në Pezë, kësaj radhe me akt edhe më agresiv duke i vendosur ato në vendin e nderit. Edhe më e rëndë është kjo ngjarje, kur të tilla manifestime bëhen me paratë e taksave të qytetarëve”, tha ai. Nënkryetari i PD-së dënoi këtë akt që sipas tij por restauron diktatorin më të egër të lindjes. “Partia Demokratike e dënon këtë politikë të shëmtuar e kriminale të Edi Ramës që nga viti në vit po glorifikon dhe po restauron diktatorin më të egër të lindjes, duke e bërë tashmë pjesë zyrtare të protokollit. Ky është akti i një kryeministri të dështuar, i neveritur tashmë nga mbarë shoqëria që rreket në mënyrë të dëshpëruar të ruajë mbështetjen tek një grusht komunistësh”, deklaroi Paloka. Në përfundim ai i kërkoi kryeministrit Rama të heqë dorë nga provokimet pasi ndryshe qytetarët dhe PD do t’i japin përgjigjen që meriton. “Ne i kërkojmë Edi Ramës të heqë menjëherë dorë nga këto provokime, me diktatorin, regjimin e të cilit mijëra shqiptarë e kanë paguar me gjak e me jetën e tyre. Nëse ai vazhdon të glorifikojë me arrogancë e me forcë Enver Hoxhën, qytetarët e vendit dhe ne do ti japim përgjigjen që meriton, përgjigjen që ka marrë dhe idhulli i tij”, përfundoi Paloka.

Flasin për “Telegraf”
Muharrem Xhafa, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës: Të vërtetën historike e shtrembërojnë nazifashistët e sotëm
Reagimet e të përndjekurve për fotot e Enver Hoxhës dhe simbolet e komunizmit në mitingun e Pezës, ishin, siç ato janë gjithnjë, banale, shprehje e injorancës dhe e mllefit antikombëtar të tyre. Në veçanti ishte i turpshëm, me ngjyrat e një antishqiptari te shitur, reagimi në Kuvend i Palokës së PD-së! Paloka është jo intelektual, që nuk i njeh gjërat, ngjarjet, historinë! Se të shtrembërosh të vërtetën e Konferencës së Pezës, të mohosh rolin e PKSH dhe të Enver Hoxhës në LANÇ, pse ai e partia e tij është kundër Enverit e komunizmit, këtë e bëjnë e mund ta bëjnë vetëm nazifashistët e sotëm! Mund ta bëjë vetëm një parti politike, e cila synon e punon për vendosjen e një diktature naziste në vendin tonë! Ne komunistët e kemi thënë qartë së PS dhe Edi Rama nuk kanë asnjë lidhje me komunizmin, se PS-ja me kryetarin e saj është parti e borgjezisë dhe po aq antikomuniste sa PD-ja e Palokës, i cili çirrej e shtrembërohej dje në Kuvend, se mos Rama po rikthen Enver Hoxhën?! Paloka duhet ta dijë dhe e di me siguri se Enver Hoxhën do ta rikthejnë atje ku i takon si Kryeheroi i Kombit, populli shqiptar dhe komunistët! Në mitingun e Konferencës së Pezës, nuk i çoi komunistët PS-ja dhe Rama! Ata shkuan atje si cdo hëre tjetër këto 25 vjet për të festuar e kujtuar, bashkë me popullin, ngjarje e madhe të LANÇ-it, që krijoi bashkimin e popullit në luftën kundër pushtuesve fashistë italiane dhe hodhi bazat e pushtetit të ardhshëm popullor. Për saktësi, në mitingun e Pezës kishte shumë komunistë të ardhur nga Tirana e rrethet, por gjatë mitingut nuk kishte portrete të Enver Hoxhes dhe as parulla komuniste, mbasi kështu ishte parë e arsyeshme të veprohej, me qëllim që të mos jepej pamja e një antimitingu, përderisa po nderohej një ngjarje, ngjarja model, e pluralizmit shqiptar! Po, u hodhën në miting parulla e thirrje për Enver Hoxhën e PKSH në momentin kur folësit vlerësuan rolin e tyre për organizimin e Pezës dhe fitoren e LANÇ-it. Parullat e portretet e Enver Hoxhës, këngët për to, u shfaqën, siç e thashë, jo në miting, por te Monumenti i Myslim Pezës e pas mitingut, përgjatë rrugës në Varrezat e Dëshmorëve të Pezës! Kjo pamje ishte emocionuese, ky veprim ishte krejt i nevojshëm dhe për këtë merita u përket shokëve të PKSH. 

Dalan Buxheli Sekretari i Komitetit të Veteranëve të LANÇL: Balli Komëtar nuk e njihte Konferencën e Pezës, bashkëpunoi me nazifashistët
Balli Kombëtar për të sabotuar lëvizjen NÇ bëri gabimin fatal duke bashkëpunuar me pushtuesit fashistë. Ky bashkëpunim u kurorëzua me një marrëveshje që u nënshkrua me 15 mars 1943 nga Ali Këlcyra e Nuredin Vlora në emër të KQ të Ballit Kombëtar me Romeco Dalmaco. Me anë të këtij dokumenti ballistët merrnin përsipër: “1. Ne sigurojmë duke marrë çdo përgjegjësi se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë e Jugut. 2. Ne japim fjalën e nderit se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar sulmet dhe aktet e sabotimit që mund të kryhen eventualisht nga elementë armiq. 3. Ne e ndjejmë veten të detyruar të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet të ushtarakëve për të inkurajuar rekurtime të reja në ushtri dhe për të siguruar që dezertorët të kthehen sa më shpejt ndër repartet ushtarake”. Pra Balli Kombëtar nuk e njihte Konferencën e Pezës dhe platformën politike të LNÇ të pranuar nga ajo konferencë. Ata propagandonin së “nuk ka ardhur koha për luftë kundër italianëve, kur të vijë koha ne do të jemi në ballë, prandaj duhet të presim, ndryshe do të bëhemi shkrumb e hi, do të zhdukemi nga faqja e dheut si komb. Italia është një mbretëri e madhe. Nuk mund t`i bihet murit me kokë. Komunistët po na marrin në qafë duke luftuar italianët, prandaj duhet t`u ndalim dorën sa nuk është vonë”. Balli Kombëtar e kishte të pamundur të dilte maleve me armë në dorë dhe të zhvillonin një luftë të tillë të armatosur kundër pushtuesve dhe përpjekjet që u vunë re më vonë për kompromis me pushtuesin u bënë thembra e Akilit e Ballit Kombëtar.

 Kjo ishte dobësia që e çoi Ballin Kombëtar në prehrin e pushtuesve dhe në bashkëpunimin me ta, në fillim në forma të maskuara,ndërsa pas ardhjes së pushtuesve gjermanë, në bashkëpunim të hapur më nazistet për të shkatërruar LANÇ. Këto veprime të gabuara të Ballit e bënë të pamundur afrimin dhe aderimin e kësaj organizate në Aleancën Botërore Antifashiste të udhëhequr nga koalicioni i madh Anglo-Sovjeto Amerikan. Idetë dhe platforma e konferencës së Pezës janë shumë aktuale dhe frymëzuese për gjithë ata që e duan këtë vend të zhvilluar e të begatë në plotësimin e dëshirave të studentëve të dhjetorit me shprehjen lapidare “E duan Shqipërinë si gjithë Evropa”. U bënë mbi dy dekada që partitë politike shqiptare premtojnë integrimin në Evropë, por gjendja vazhdon e pandryshuar nga polemikat boshe me synim lufta për pushtet. Në shumë aspekte përjetojmë situata dramatike të luftës politike të viteve 1939-1944. Nuk njihet data 29 nëntori 1944 si dita e çlirimit të vendit sanksionuar me kushtetutë. Ish bashkëpunëtorët e fashizmit dhe pinjollët e tyre, të cilët përpiqen ditë e natë që të përmbysin historinë, të rrëzojnë dëshmorët nga piedestali i madh i epokës, të hiqen nga muzeumet pavijonet e partizanëve dhe t’i zëvendësojnë me pavianë ballistësh e zogistësh, të shkruajnë faqe të tëra për bëmat e kuislingëve dhe të botojnë libra me përrallën e Luftës Civile. Për asnjë nuk ka arsye që të mos thellohet më tej në shprehjen e të vërtetave të kësaj lufte, për të evituar gabimet dhe ndoshta faje që me kalimin e viteve është e vështirë të korrigjohen. Historia tashmë e ka mbyllur këtë luftë me kapak floriri në shkallë botërore. Të rënët e asaj lufte vigane që u ndez për liri në mbarë Evropën dhe Shqipërinë tonë u është dhënë me meritë banesa e pavdekësisë.
Sigal