Historia e “ëndërrimtarëve”

574
Ata quhen “ëndërrimtarë”. Janë të rinj, të cilët kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, kur ishin fëmijë. Që nga koha kur Presidenti Donald Trump filloi mandatin, ata jetojnë të harruar. Presidenti premtoi gjatë fushatës, se do ta anulonte programin e quajtur “DACA” që e mbron këtë kategori imigrantësh nga deportimi në vendin e origjinës. Por pasi filloi nga detyra, Presidenti Trump tha, se programi DACA është një çështje e vështirë për të dhe ai nuk e ka përfshirë në tre urdhrat ekzekutivë që ka lëshuar për imigracionin.

Një vajzë nga Karolina e Veriut, e cila ka përfituar nga programi, tani po reagon me një kurajë të veçantë ndaj pasigurisë së krijuar. Në protestë para burgut të qytetit Raleigh, ky grup njerëzish kërkon lirimin e Vicente Marcial Noyola-s. Babai i shtatë fëmijëve është arrestuar, ngaqë i kishte dhënë makinës pa licencë. Ai është imigrant pa dokumente nga Meksika dhe tani përballet me deportimin. Veç të tjerash, ai është prindi i vetëm për fëmijët e tij. “Më i vogli më pyet: ku ka shkuar babi dhe kur do kthehet? Mua më duhet t’i them se do kthehet shpejt dhe shtirem se gjithçka ka për të shkuar mirë”, thotë vajza e Vicentes.

Protesta e këtij grupi të vogël njerëzish ishte shumë emocionuese, ndoshta ngaqë shanset për t’i bindur autoritetet e imigracionit janë të vogla. Por kjo gjë nuk e ndali organizatoren e protestës, Edith Galvan. “Duam që ta ndryshojmë vendimin e marrë dhe që babai i këtyre fëmijëve të kthehet në shtëpi, tek fëmijët”, tha ajo.

Kjo ishte protesta e parë që udhëheq Edith Galvan, e cila e kupton mirë se ç’do të thotë të jesh pa dokumente. Vetë ajo është përfituese e programit DACA. Edith ka lindur në Meksikë dhe prindërit e sollën në Karolinën e Veriut kur ishte 6 vjeç. Ishte në klasë të tretë kur e ëma i tregoi se ajo ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë. Por kur mësoi për programin DACA kur ishte në shkollë të mesme, kjo e bëri të ndjente se më në fund edhe ajo mund të bëhej shtetase amerikane.

“Ishte pikërisht koha kur të gjithë moshatarët e mi po merrnin licencën për t’i dhënë makinës, ndërsa unë nuk mund të postoja një foto timen me licencën, diçka tepër normale për të tjerët”, thotë ajo. Edith Galvan nuk ka të drejtën ligjore të marrë grant nga qeveria për të studiuar, prandaj ajo ndjek Kolegjin privat Meredith, që i ofron ndihmë financiare; babai i paguan pjesën tjetër të kostos së studimeve. Ajo vetë punon 35 orë në javë për të paguar qiranë e banesës, ushqimet dhe librat. Edith është në vitin e parë të kolegjit, ajo studion në degën e punës sociale. “Kam një lloj prirjeje për të kërkuar drejtësi sociale, për të sjellë ndryshime dhe për t’i ndihmuar njerëzit, kjo është kryesisht arsyeja që vendosa të studioj në degën e punës sociale”, thotë ajo.

Ndërsa e ardhmja e programit DACA është e pasigurt, Edith nuk ka frikë ta tregojë në televizion historinë e jetës së saj. Ajo gjithashtu nuk ka frikë të rrezikojë veten për të mirën e të tjerëve.

Ky shkrim është marrë nga VOA
Sigal