Hiqen tarifat, policët nuk do paguajnë në banka për dokumentet

81
Ministria e Brendshme deklaroi se ka arritur një marrëveshje me bankat për të shmangur pagesat për punonjësit e policisë, të cilët do të kërkojnë dokumente për vërtetimin e të ardhurave që kanë marrë ndër vite. Sipas Sindikatës së Policisë, qindra policë po enden nëpër zyrat e institucioneve për të marrë dokumentet që nevojiten për plotësimin e formularëve të vetingut. Por sipas Ministrisë së Brendshme një pjesë e këtyre dokumenteve nuk janë të nevojshme. “Sindikata thotë se duhen 20 dokumente, unë ju them që nuk janë të nevojshme. Ligji lë si opsion që kush i ka, ose do i tërheqë për saktësi mund t’ia bashkëngjisë. E rëndësishme është formularët t’i plotësojnë të saktë dhe të vërtetë. E kuptoj që efektivët mund të jenë në stres edhe për shkak të këtyre keqkuptimeve”, deklaron Julian Hodaj, zv.ministër i Brendshëm. Ministria e Brendshme ka arritur marrëveshjen edhe me disa banka për të hequr tarifat për vërtetimet që kërkojnë policët. “Kemi pasur një problem me nje bankë, e cila mbante një tarifë të lartë sipas nesh, 2000 lekë të reja”, thotë Hodaj. 5 maji është afati i fundit për plotësimin e 3 formularëve që rreth 11 mijë punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të plotësojnë. Më pas, do të nisë verifikimi për 300 punonjës të policisë me gradë të lartë, të cilët do të jenë të parët që kalojnë në procesin e vetingut.