Hiqen nga shkollat emrat e dëshmorëve të atdheut

797
Sigal

BULQIZË/ Heqja e emrave është e qëllimshme, për të humbur meritat dhe sakrificat e partizanëve

Hiqen emrat e dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në rrethin e Bulqizës. Konkretisht, shkolla 9-vjeçare “Sopot” kishte emrin e dëshmorit të atdheut Jashar Kola. Shkolla 9-vjeçare dhe e mesme “Zerqan” mbante emrin e dëshmorit të atdheut të Luftës Nacional Çlirimtare Ramiz Hyseni. Shkolla 9-vjeçare “Fushë-Bulqizë”, mbante emrin e dëshmorit të atdheut Laif Perkola. Kjo heqje e emrave është e qëllimshme, për të humbur meritat dhe sakrificat e partizanëve, baballarëve dhe gjyshërve tanë që sakrifikuan dhe jetën e tyre për çlirimin e plotë të vendit nga okupatorët fashisto-nazistë. E gjithë kjo luftë u bë që ne, brezat pasardhës të jetonim të lirë e ta pavarur nga askush në vendin tonë që quhet Shqipëri.

Lapidarët

Mohimi i Luftës Nacional Çlirimtare nga pushtetarët e sotëm na bën më të fortë, na jep forca dhe energji për mbrojtjen e lavdisë së dikurshme, këtu dua të përmend dhe figurën e babait tim, Shefqet Disha i kundruar në fillim me çetën partizane të udhëhequr nga Haxhi Lleshi. Me formimin e brigadës së 18-të Sulmuese u rreshtuan në radhët e saj duke luftuar e çliruar edhe matanë kufijve të atdheut tonë. Duke sjell në këtë mënyrë çlirim të plotë kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë shkrim përveç heqjes së emrave që u është bërë shkollave nuk mund të lëmë pa përmendur një rast tjetër të dhimbshëm për të gjithë ne që jemi pasardhës veteranësh. Gjatë ndërtimit të “Rrugës së Arbrit” nga firma ndërtuese e këtij aksi rrugor u zhduk lapidari që i kushtohej Luftës Nacional Çlirimtare dhe askush nuk u kujdes për ndërtimin e tij me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Organizatës së Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare të Rrethit të Bulqizës që ai të rikthehej atje ku ishte. Sado që të zhduken lapidarët apo të hiqen emrat e dëshmorëve të atdheut nëpër shkollat e qytetit, nuk mund të zhduket sakrifica dhe gjaku i 28 mijë dëshmorëve që ranë për lirinë që ne gëzojmë sot.

Kadri Disha

Anëtar i organizatës së Luftës Nacional Çlirimtare të rrethit Bulqizë