Hipotekat, veting e kallëzime penale për punonjësit

758
Veting dhe kallëzime penale për punonjësit e hipotekave
Blerina Doracaj, drejtuese e ZRPP-së, njofton hapjen e garës për regjistruesit, me kritere ngushtësisht teknike
Drejtuesja e re e hipotekës, Blerina Doracaj, e cilësoi situatën në sistemin e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si dramatike dhe emergjente. “Duke qenë në krye të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme prej një jave, por edhe si qytetare që shpesh më është dashur të bashkëveproj, shpreh me keqardhje që situata në këtë institucion është dramatike dhe ka nevojë për përmirësime rrënjësore. Në të gjitha dëgjesat që Kryeministri ka bërë me komunitetin, në të gjithë Shqipërinë, refreni për shërbim jocilësor e sorrollatje është zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, theksohet në një deklaratë të Blerina Doracajt, drejtore e përgjithshme e ZRPP-ve. Sipas saj, për ecurinë e punës dhe situatën e çdo zyre vendore, është hartuar një informacion, i cili i është paraqitur Kryeministrit, pa i fshehur asgjë. “Kam kërkuar që të gjithë drejtuesit e zyrave vendore të futen në garë për të merituar nderin për t’i shërbyer qytetarëve. Regjistruesit do të zgjidhen kundrejt një procedure të hapur, e cila do të përmbyllet në fund të muajit gusht. Për këtë, do të ngrihet një grup pune për përcaktimin e kritereve të rrepta dhe ngushtësisht teknike për aplikuesit për regjistrues në të gjithë zyrat vendore”, theksoi Doracaj. Sipas saj, paralelisht me hapjen e konkursit për regjistruesit, do të nisë dhe një proces vetingu për të gjithë punonjësit në zyrat e hipotekave, nga i pari tek i fundit. “Për çdo rast që do të konstatohet shkelje e ligjit do të procedohet me kallëzime penale dhe për çdo rast shkeljeje të rënda administrative do të bëhet largimi nga puna i këtyre punonjësve”, nënvizoi Doracaj, duke shprehur angazhimin për të zbatuar me korrektesë të gjitha detyrat që i ngarkon ligji. “Për të ndëshkuar cilindo, pavarësisht nga pozicioni, mbështetja apo influenca e kujtdo, i cili nuk zbaton ligjin dhe vetëm ligjin”, u shpreh drejtuesja e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ai nënvizoi se do të jetë në lartësinë e detyrës, “jo vetëm si profesioniste, por edhe si një qytetare, e cila do t’u kthejë besimin të gjithë atyre, të cilëve ky institucion, i ka hapur plagë dhe ka ndezur konflikte”. Deklarata e drejtueses së hipotekave vjen vetëm pak ditë pas kërkesës për dorëheqje që kryeministri Rama u drejtoi të gjithë drejtorëve të hipotekave. Rama e kritikoi ashpër aktivitetin e ZRPP-së, ndërsa premtoi ndryshime të rëndësishme, më formimin e qeverisë së re. Kryeministri Rama e cilësoi situatën e hipotekave si shumë shqetësuese. Sipas tij, aspekti më i prekshëm dhe më konkret, për të parë sesi funksionojnë hipotekat, është mënyra sesi procedohet me lejet e legalizimit. “Ka një hendek të madh midis realitetit dhe asaj që është raportuar nga shumica dërrmuese prej jush. Ju keni bërë një raportim që në masën 99%, po themi, është fiktiv dhe në fund të raportimit tuaj, sipas jush, del që deri tani kemi vetëm 5126 leje ende të patrajtuara. Ndërkohë që shifra reale është pesëfish”, iu drejtua Rama krerëve vendorë të hipotekave. 

Bashkimi i agjencive
Me krijimin e qeverisë së re do të synohet ngritja e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë dhe synimi është që më herët se sa vonë, sipas drejtuesve të qeverisë, brenda këtij mandati, certifikata e pronës të mundësohet automatikisht nga regjistri kombëtar digjital i pronës – jo më për javë, muaj e vite, po në pak minuta. Në këtë agjenci pritet të bashkohen Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit e Integrimit të Zonave e Informale dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave. 

ZRPP teknike
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u bë pjesë e marrëveshjes politike Rama-Basha përpara zgjedhjeve parlamentare. Së bashku me institucione të tjera, për rreth 1 muaj, kjo zyrë u drejtua nga një përfaqësues i propozuar nga Partia Demokratike dhe më pas socialistët morën kontrollin, duke emëruar në krye të ZRPP-së një përfaqësuese të tyre. Blerina Doracaj ishte e zgjedhura e kryeministrit Rama për të udhëhequr hipotekat, një ndër institucionet më problematike dhe më numrin më të lartë të ankesave. 
Sigal