Hipoteka regjistron 56 lloje pasurie, ligji lejon vetëm 30, në 22 vite janë pranuar 11 milion e 325 mijë aplikime…kot!

1564
Sigal

Skandali me pasuritë e paluajtshme/ Regjistrohen bunkeret si restorante, papafingot si universitete, kolibe druri majë pemëve si bar-kafe, WC-të publike si gjellëtore…

Prej 1 viti, pushteti “Rilindja” ka hapur disa “fronte “lufte” paralel, kundër rrumpallës totale që ka pllakosur e që prej 22 vjetësh po sundon e po vepron lirshëm edhe me “bekimin” politik e ligjor të shtetit në sektorët e drejtësisë, pushtetit lokal e qendror, arbitraritetit të shtetit, ekonomisë, arsimit, punësimit, doganave, tatimeve, kulturës, shëndetësisë, ndërtimit, diplomacisë, kontrollit të territorit, policisë, ushtrisë, tregut informal, tenderimeve, pyjeve, pastrimit, bregdetit, sigurisë ushqimore, shtretërve të lumenjve, korrupsionit në zyra, emërtimeve në administrate, çmimeve të tregut, energjisë elektrike, koncesioneve e monopoleve deri tek… kazanët e plehrave. Kryeministri Edi Rama, pothuajse çdo javë shpall nisjen e një “beteje” me “plagë” emergjente të kësaj rrumpalle të përgjithshme, që është prezente deri edhe me shërbim “Qebaptore” me “karrige” tulla, blloqe betoni, arka plastike e me zgara qymyri dhe zjarr shkarpash për ngrohje, ndezur në mes… të bulevardit të Tiranës e të qyteteve!

Hipoteka, “xhungël” korrupsioni e falsifikimesh me pasojë 1.9 milion gjyqe

Një nga këto rrumpalla, ku nuk po veprohet për ta “pastruar” nga jeta e shqiptarëve është “moçali” i zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, ose “gërmadhat” antiligjore e korruptive me emrin popullor: “Hipotekat”. Nuk e dimë se kur do të nis beteja “Rama” kundër “zgjebes” Hipotekë, por dimë faktin që aty vazhdon ende batërdia anti-ligjore me regjistrimin dhe çregjistrimin e pronave me motive klienteliste e klanore, me falsifikimin e titujve të pronësisë, të emrave të pronarëve, me zhdukjen e dosjeve të aplikimit e të pronësive të regjistruara. Në këto zyra “bunker-krim”, vazhdon masakra me korrigjimet dhe fshirjet e emrave të pronarëve nga regjistrat e pasurive, me tjetërsimin e hartave, me copëzimin dhe mbivendosjet e pronave, me aplikimet false kur nuk e lejon ligji, me regjistrimin e pasurive me letra false, me ndryshmin e emërtesave të llojeve të pasurive e lloj-lloj aventurash, që e kanë kthyer procesin e regjistrimit të pronave, në një kaos e “moçal” me konfliktualitet deri kriminal mes qytetarëve edhe brenda familjeve. Sipas një statistike të INSTAT, në këto 22 vjet vetëm 4% e shqiptarëve nuk kanë pasur kontakt me hipotekën, ndërsa 96% e shqiptarëve, minimalisht kanë hyrë nga 20 herë tek ajo “derë” nga brenda të cilës bëhet kasaphana dokumentare e pasurive. Çfarë kanë ndeshur atje? Zvarritje, falsifikime dokumentesh, dosje me letra të “zhdukura”, copëzim dhe ç’ regjistrim prone, mbivendosje prone, përsëritje dokumentesh, regjistrim pronash të zaptuar me forcë e me tapi false, mospranim vendimesh gjykate të formës së prerë e të AKPP, pagesa të përsëritura aplikimesh kthim përgjigjesh shabllone pa sqarim ligjor e pa zgjidhje problem kur ekziston e drejta ligjore. Po përmendim një fakt: Në 22 vjet, vetëm për shkak të abuzimeve të regjistrimeve me falsifikim e mbivendosje të titujve të pronësie prej zyrave të hipotekave në rrethe, qarqe e në qendër janë krijuar 456 mijë e 591 mijë konflikte individësh, familjesh, brenda familjesh, brenda e mes fisesh, me pasojë 287 të vrarë, 2309 të plagosur, 488 fëmijë të mbetur jetimë, 413 të gjymtuar të mbetur invalidë, 323 familje të ngujuara. Për shkak të padrejtësive, korrupsionit, falsifikimeve me titujt e pronësisë, sipërfaqet dhe kufijtë e pronësive, ndryshimet e emërtesave të llojeve të pasurive, zhdukjet e dosjeve dhe mospranimet e aplikimeve të ligjshme për regjistrim pronash, deri në 31 mars 2014 janë hapur 1 milion, 937 mijë e 467 procese gjyqësore në 12 Gjykatat e Faktit në rrethe e qarqe, prej të cilave janë zhvilluar 13 milion, 285 mijë e 137 seanca gjyqësore. Janë hapur 689 mijë e 457 procese gjyqësore në Gjykatat e Apelit të Qarqeve, me afro 900 mijë seanca gjyqësore. Janë bërë afro 314 mijë e 600 rekurse në Gjykatën e Lartë. Janë bërë 53 mijë ankimime për gjykim në Gjykatën e Strasburgut. Afro 80% e këtyre proceseve kanë rezultuar me shkelje ligjore prej zyrave të hipotekave, deri në zyrën qendrore. Por asnjë ndëshkim, asnjë analizë, asnjë frenim nuk është bërë në “pisllëkun” e veprimtarisë anti-ligjore të këtij shërbimi shtetëror.

Hipoteka regjistron 56 lloje pasurish, nga… 30 që lejon ligji!

Një informacion i ardhur për “Telegraf” nga burime brenda Drejtorisë së Përgjithshme  të Hipotekave, na njeh me një skandal të rëndë lidhur me regjistrimin e pronave. Pa bërë komente, po e publikojmë. Ja Skandali: Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave, ka nxjerrë një Urdhër, me Nr. 184 Prot., datë 06. 04. 1999, firmosur nga ish-drejtori Albert Dubali, i cili vazhdon të jetë akoma në fuqi e veprim, lidhur me kompetencat që kanë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrethe, për llojet e pasurive që kanë të drejtë të pranohen për regjistrim. Kjo rregullore e firmosur 15 vjet e 7 muaj më parë, përcakton me shkrim, me vulë e më firmë vetëm 39 lloje pasurie private e shtetërore që kanë të drejtën të regjistrohen e të pajisen me certifikatë pronësie. Por në listën e shpallur zyrtarisht, janë shtuar edhe dy lloje pasurie, pra janë shpallur 41 pasuri si “të lejuara për regjistrim”. Skandali vazhdon edhe më tej. Lista e shpallur me 41 llojet e pasurive që lejohen të regjistrohen është e paligjshme, mbasi sipas VKM nr. 301, datë 24.06. 2003 (zhdukur nga faqja zyrtare e publikimeve), janë përcaktuar vetëm 30 lloje pasurie që lejohet të regjistrohen. Skandali vazhdon me tej. Pas investigimit të bërë, konstatuam se jo vetëm nuk po zbatohet ligji për regjistrim vetëm të 30 llojeve të pasurive, por nuk zbatohet as Urdhri “Dubali” me 41 lloje pasurie, duke e çuar në 56 numrin e llojeve të pasurive që regjistrohen aktualisht nga zyrat hipotekore. Çfarë lloje pasurish janë shtuar, që regjistrohen në mënyrë të paligjshme? Fakti kalon absurdin e shkon deri në çmenduri. Ndalohet të hipotekohen kioskat, banesat, lokalet, ruletat, vilat, resortet me konstruksion druri, plastik, metalik e 80% konstrukt xhami. Ndalohet të hipotekohen ndërtime të çdo lloji mbi toka bujqësore që nuk kanë kaluar e nuk janë miratuar me studim si troje, mbi zhavorrishte, mbi rërë, mbi rrjedha lumenjsh, mbi syprinë uji në det, mbi kolektorë qendror, mbi tokë kënetore e deri objekte të ndërtuar me kolona profilesh hekur në ajër! Por këto janë regjistruar e po vazhdojnë të regjistrohen si “lloje pasurish ligjore”. Vetëm në 10 vitet e fundit, në të gjithë vendin janë regjistruar 158 mijë e 869 pasuri të tilla që nuk lejohet të regjistrohen. Madje janë regjistruar si njësi tregtimi edhe kioska me çadra, trarë e llamarina. Janë regjistruar edhe papafingo majë tarracave. Janë regjistruar si magazina edhe garazhe poshtë pallateve. Janë regjistruar edhe kabina elektrike, shtesa e kioska të ndërtuara e vendosura në anë zyrash komune e bashkie si shtëpi banimi e lokale. Janë regjistruar edhe lavazhe anës rrugëve. Në Memaliaj p.sh, është regjistruar si “Gjellëtore” edhe ish-ËC-ja publike e qytetit. Janë regjistruar edhe 42 bunkerë e 29 vend-strehime e çadra ushtrie, madje janë regjistruar edhe kabina autobusi e vagonë treni si “Bar-kafe”, si hotele, banesa, magazina e restorante! Nuk është për të qeshur, por në zonën e Jugut është regjistruar si pasuri e paluajtshme “Bar-kafe” edhe një kolibe ndërtuar me strukturë metalike, kashtë, veshje druri e plasmasi, me shkallë metalike nga ato të ish-puseve te minierave, montuar në 2 metër lartësi në trungjet e 4 rrepeve! Është regjistruar edhe korpusi ballor i Kalasë së Ali Pashës në Tepelenë, me këtë lloj pronësie: “Bar-Kafe-Restorant”!

Abuzimi hipotekave: Kanë pranuar 11 milion aplikime antiligjore …kot!

Një nga marifetet që ka përdorur hipoteka shqiptare në këto 22 vjet është edhe aplikimi fals. Kjo është bërë për të zhvatur lekë. Gjatë 22 viteve, në zyrat e hipotekave janë bërë 11 milion e 325 mijë aplikime antiligjore, të cilat nuk duheshin pranuar nga zyrat e hipotekave. Por janë lejuar qytetarët të aplikojnë e të paguajnë, kur nuk duheshin pranuar aplikimet e tyre, mbasi ishte përcaktuar se për cilat pasuri lejohet aplikimi. Arkat e  zyrave të hipotekës, mbusheshin përditë me pagesa aplikimesh false, ndërsa qytetarët merrnin këtë përgjigje: “Nuk plotëson kushtet për regjistrim”! Bëni llogarinë, se sa është vjedhja që zyrat e hipotekave u kanë bërë qytetarëve, me pagesat për 11 milion e 325 mijë aplikime … kot!

Edhe Varrezat e Dëshmorëve… pa hipotekë!

Sipas ligjit në fuqi, çdo lloj pasurie e patundshme pronë shtetërore, duhet të jetë me certifikatë pronësie. Por ka shumë objekte shtetërore, të cilat “me letra” nuk janë pasuri të shtetit, mbasi nuk kanë certifikatë pronësie. Një nga këto objekte janë edhe varrezat e dëshmorëve në Tiranë e në rrethe. Këto quhen pasuri shtetërore, por nuk figurojnë në regjistrat e pronave të paluajtshme.

Lista me 41 llojet e pasurive,

që lejohen të hipotekohen me

urdhrin abuziv të vitit 1999

1. Ullishte

2. Arë

3. Pemëtore

4. Vresht

5. Livadh

6. Kullotë (kullota, lëndina, musha)

7. Pyll (pyll, zabel, shkurre)

8. Kënetë (kënetë, moçal, deje)

9. Shkëmbore (shkëmbore, garrunja, gurishtore, të eroduara)

10. Ranishte (ranishte, zallishte)

11. Ledh (ledh, mezhde, meje)

12. Shesh (shesh, park, lulishte)

13. Terrene sportive (fushë futbolli, volejbolli, basketbolli, pishinë)

14. Truall (trualli si pasuri e veçantë, oborri me ndërtesën si pjesë përbërëse e 1 pasurie, trualli bashkë me ndërtesën si 1 pasuri, përcaktuar me nr. katesh dhe vend-ndodhje e kufizime)

15. Liqen (liqen natyral dhe liqene hidrocentralesh)

16. Lum

17. Përrua

18. Kanal (kanale vaditës, kullues së bashkë me skarpatet)

19. Rrugë (përfshihen trotuaret)

20. Trotuare (trotuaret e rrugëve kryesore të qyteteve)

21. Hekurudhë (përfshihet trupi hekurudhës dhe skarpatet)

22. Ndërtesë (kur pronësia e ndërtesës është e ndryshme nga e truallit ndër të)

23. Godinë

24. Njësi (për njësitë dyqane)

25. Pallat

26. Apartament

27. Bodrum

28. Garazh

29. Studio

30. Vendstrehim

31. Depo uji

32. Central elektrik

33. Nën/central elektrik

34. Kabinë elektrike

35. Pus nafte

36. Shesh miniere

37. Varreza

38. Rezervuar

39. Karrier (karrierat e dheut, gurit, argjilit etj)

40. Arë + truall

41.  Pemëtore + truall

Lista me 30 llojet e pasurive që lejohen ligjërisht të hipotekohen

1. Ullishte

2. Arë

3. Pemëtore

4. Vresht

5. Kullotë (kullota, lëndina, musha)

6. Shkëmbore (shkëmbore, garrunja, gurishtore, të eroduara)

7. Ranishte (ranishte, zallishte)

8. Ledh (ledh, mezhde, meje)

9. Terren sportive (fushë futbolli, volejbolli, basketbolli, pishinë)

10. Lumenj

11. Përrua

12. Pus nafte

13. Fushë futbolli, volejbolli, basketbolli, pishinë

14. Pallat

15. Apartament

16. Bodrum

17. Garazh

18. Studio

19. Central elektrik

20. Nën/central elektrik

21. Kabinë elektrike

22. Pus nafte

23. Shesh miniere

24. Varreza

25. Rezervuar

26. Arë + truall

27.  Pemëtore + truall

29. Njësi (njësitë dyqane)

30. Truall (trualli si pasuri e veçantë, oborri me ndërtesën si pjesë përbërëse e 1 pasurie, trualli bashkë me ndërtesën si 1 pasuri, përcaktuar me nr. katesh dhe vend-ndodhje e kufizime).

Përparim HALILI