Hipoteka e Elbasanit, çerdhe korrupsioni

908
Sigal

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) në Elbasan, ka qenë dhe mbetet çerdhja e korrupsionit. Kjo zyrë hipotekore, e cila ka detyrimin ligjor të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me ligj, të gjitha procedurat e regjistrimit të pronave, sot është kthyer në çerdhe, ku ligjin e bën sekseri, paraja dhe harbuti. Qytetarët e Elbasanit çdo ditë ankohen dhe torturohen, shahen dhe përbuzen nga zyrtarët e ZRPP, nxirren në rrugë dhe nuk sqarohen për problemet dhe hallet e tyre. Duke nisur nga muri rrethues e deri tek sportelet, syri të shikon sekserë, roje, dhe askënd të merret me pranimin dhe dokumentimin e ankesave dhe problemeve që kanë qytetarët. Prej afro 20 vitesh, ZRPP e Elbasanit, ka qenë bashkëfajtore dhe bashkëpunëtore në abuzimin me pronat e qytetarëve, me Kadastrën dhe ish-KKKP. Mbivendosjet e pronave, grabitja e tyre, vonesat 2-3 dhe 5 vjeçare për regjistrimin e mbi 1150 apartamenteve dhe pronave të tjera, janë disa prej skandaleve që ZRPP e Elbasanit mbart mbi vete. Pavarësisht se KLSH ka zbuluar dhe konstatuar shkelje flagrante në këtë zyrë hipotekore, pavarësisht se KLSH ka rekomanduar se “ndaj ish-drejtuesve dhe zyrtarëve të nisin masat ligjore”, duket se gjithçka ka mbetur në heshtje. Askush nuk po ndalet tek denoncimet e qindra e qindra qytetarëve të Elbasanit për regjistruesit, për mitmarrjen, për akuzat e tyre për grabitje dhe mbivendosje pronash etj. Qysh nga janari 2014, në zyrën e Kryeregjistruesit të Shqipërisë, gjenden qindra letra dhe denoncime të qytetarëve të Elbasanit, që kërkojnë nisjen e hetimeve dhe ndëshkimeve ligjore për ish-regjistruesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Abuzimi me pronat e qytetarëve në Elbasan, abuzimi me procesin e regjistrimit, vonesat dhe mitmarrja, mbeten probleme të cilat kanë sjellë mjaft situate kritike dhe kanë hapur mjaft plagë sociale në këtë qytet. Duke parë heshtjen e Tiranës, por edhe të organeve të drejtësisë, duke parë kapardisjen e atyre që shkaktuan këtë katrahurë me pronat, qytetarët e Elbasanit, pavarësisht se e kanë humbur besimin tek shteti, çdo ditë i drejtohen për ndihmë medias. Por duket se pavarësisht ndihmës së medias, kjo e fundit ka mbetur e vetme në betejën e madhe me korrupsionin dhe linjat e tjera të krimit ekonomik në Shqipëri. Në Prokurorinë dhe Gjykatën e Elbasanit prej 4-5 vitesh “flenë” në sirtarë dosjet e mbushura me akuza dhe denoncime për zyrtarë Kadastrash, KKKP, dhe ZRPP, lidhur me grabitjen dhe tjetërsimin e pronave të qytetarëve, dhe askush nuk përgjigjet për ecurinë e tyre. Në Elbasan, institucionet e shtetit duket sikur nuk ekzistojnë, kjo pasi asnjë prej tyre nuk është i gatshëm të zgjidhë hallet dhe problemet e qytetarëve. Korridoret dhe sportelet e ZRPP-së në Elbasan janë të mbushura plot me hallexhinj, ashtu sikurse edhe ato në Gjykata dhe kjo për faktin se, këto dy institucione janë të vetmet që kanë shkaktuar kaosin dhe kanë shkatërruar gjithë procesin e kthimit dhe regjistrimit të pronave. Në sportelet e ZRPP do të takosh nga administratorët e firmave që ndërtojnë pallatet, deri tek qytetari thjeshtë që ka muaj dhe vite që rropatet me dosjen në dorë, të regjistrojë tokën apo objektin që ka nën pronësi. Vonesa e ka një shkak, por më mirë se askush tjetër hallexhiun e sqaron veçmas sekseri. Situata e krijuar në ZRPP e Elbasanit, kërkon masa radikale dhe impenjim maksimal të strukturave të shtetit, për të krijuar tek qytetari besimin se shtetin e ka mburojë, dhe për të shpëtuar përfundimisht degradimin e institucioneve të shtetit.