“Hijenat” e panaireve që mbron e financon shteti, po masakrojnë dhe zhdukin vlerat e panaireve kualitative

576
Një nga skandalet që dëshmon fiktivitetin dhe primitivizmin e aktivitetit të panaireve të këtyre shoqatave “hije”, janë standardet e ulëta, aq sa në panairet që kanë projektuar për të organizuar jashtë Shqipërisë, nuk janë pranuar as t’i hapin ato, ose i kanë hapur në ndonjë zonë rurale periferike në Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, Greqi etj. ku këto panaire janë konsideruar si “tezga tregtarësh” endacakë e jo si panaire të biznesit të një shteti, që aspiron futjen ne BE.
Epidemia e krijimit të “ushtrisë” së OJF-ve e shoqatave edhe brenda llojit me nga 10-20 emra e logo të ndryshme, ka “pushtuar” kohët e fundit edhe botën e promovimit të mallrave e shërbimeve, në emër të të cilit, individë e “çeta” të caktuara, të lidhur në interesa të dukshme e të padukshme deri ortakërore me shtetarë e politikanë të lartë, kanë nisur të krijojnë shoqata organizimi panairesh lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Me një kërkesë, me një program e me një statut shabllon, me disa firma nismëtarësh e themeluesish individ ose “ceta” me 2-3 vetë, shkojnë e regjistrohen në gjykatë dhe mandej në QKR, QKL e tatime me 1-2 persona të siguruar. Dhe… me nga një vulë, me nga një adresë garsoniere e me nga një copë karton në dorë, vërsulen për fonde shtetërore e donacione deri në institucionet e BE, me projekte fiktive për organizim panairesh të çdo lloji. Mjafton të shikosh listën e panaireve që organizohen në Shqipëri dhe konstaton faktin se, kohët e fundit, kanë dalë në skenë e janë futur në botën e (ç)promovimit të biznesit një “tufë” shoqatash të cilat me bekimin, sponsorizimin dhe mbrojtjen e disa shtetarëve kanë nisur të hapin panaire fiktive me produkt pa vlerë. Këto janë disa shoqata “lecka”, të dala në skenë sa për logo, shoqata që shtohen çdo vit, duke iu futur rrugës së biznesit të… përfitimit financiar personal, prezantuar me maskën e gjoja promovimit të mallrave e shërbimeve kombëtare dhe të huaja. 

Fakti dhe 10 pyetje apel, në adresë të shtetit
1. Çfarë po ndodh në aktivitetin e panaireve në Shqipëri? 
2. Çfarë situate shqetësuese e problematike, po krijon futja fiktive në këtë aktivitet e shoqatave “logo” e llogari bankare? 
3. Mbi çfarë interesash krijohen e hidhen në veprim këto shoqata dhe prej cilëve mbështetën si aktivitet? 
4. Cilët janë ato “burime” zyrtare, që i ushqejnë me fonde këto shoqata fiktive? 
5. Cila fuqi zyrtare e ligjore ua hap rrugën e biznes-pisnesit këtyre shoqatave të “panaireve të kotësive”, të cilat vitet e fundit kanë mësyrë dhe pushtuar me sekserizëm e me dhunë shtetërore botën e promocionit të biznesit vendas e të huaj?
6. Përse hesht autoriteti i konkurrencës dhe cila forcë ia ka ulur autoritetin përtokë këtij institucioni?
7. A janë reale, projektet që u financohen këtyre shoqatave “logo”, cilët janë ata që firmosin miratimin e tyre dhe cila është efiçenca e panaireve që organizojnë këto shoqata kukulla?
8. Përse nuk dëgjohet zëri i botës së biznesit shqiptar, kur denoncon këtë farsë e masakër, që po shkatërron promovimin e biznesit vendas e të huaj? 
9. Cila “dorë” i përkëdhel këto shoqata fantazmë?
10. Kur do të ndalet masakra që këto shoqata abuzive, po i bëjnë aktivitetit serioz e kualitativë të panaireve? 
Ja çfarë bëhet me panairet prej “hijenave” të panaireve 
Nisur prej traditës, praktikës, seriozitetit, vlerave promovuese dhe cilësisë së panaireve që organizohen dhe qëndrojnë mbi themele të një përvoje mbi 20 vjeçare me standarde panairesh europiane, konstatohet realiteti fatal dhe shqetësimi serioz, që këto panaire model të këtyre 20 e ca viteve aktivitet, kanë nisur të bëhen viktimë e panaireve të organizuara prej shoqatave mostra, të cilat kanë si synim dhe po e realizojnë me sukses, zhvatjen e fondeve nga taksat e shqiptarëve, nga donacionet vendase e të huaja, nga financimet ilegale të bëra prej bizneseve me “kulaç e me kërbaç” shtetëror dhe duke përfituar mijëra dollarë e euro nga grabitja e organizuar që u bëhet bizneseve shqiptare e madje edhe të huaja me pagesat e qirave që detyrohen të paguajnë duke marrë pjesë me urdhra në këto panaire “Gabi”, të cilat kanë si “tutorë e dado” individë e “çeta” zyrtarësh, qëndrimi i të cilëve po (ç)promovon vlerat e biznesit serioz e cilësor. Çfarë po ndodh në botën e panaireve shqiptare? Pa bërë komente, po përmendim disa qëndrime alarmante që “karrikohen” prej zyrtarëve të shtetit, që nisur nga interesat përfituese financiare me këto panaire “pacavure”, por nisur edhe prej demagogjisë për të mbushur evidenca me reklama të “sukseseve” të punëve të tyre, kanë lejuar dhe mbështetur edhe me fonde shteti, krijimin e disa shoqata “kërpudha”, të cilat po instalojnë modelin “skrap” të “panaireve të kotësive” në Shqipëri. Çfarë konstatohet? Në veprimtarinë e këtyre shoqatave që organizojnë panaire anti-vlerash deri edhe me tezga e stenda bosh, ose me shërbime e mallra “demode”, rezulton se ndërmjetës dhe mbështetës janë struktura dhe zyrtarë të shtetit. Konstatohet se aktivizimin, financimin, promovimin, mbrojtjen e abuzimeve dhe fiktivtetit të tyre e mbrojnë shtetarët të veçantë, të cilët ose janë pjesë pronësore, ose sekserë, ose përfitues reklamimesh fiktive e evidencore prej panaireve të organizuara prej këtyre shoqatave. Ka një fakt, që tashmë dihet edhe prej shtetarëve mbrojtës, promovues e financues të këtyre shoqatave, që prej disa kohësh kanë nisur të organizojnë panaire të tilla me vlerë “leckë gabi”: Bizneset e huaja i kanë abandonuar këto panaire, si një turp dhe fiktivitet që nuk i promovon, por i bastardon si emër dhe aktivitet prodhues. Realiteti tjetër shqetësues që prodhon aktiviteti i panaireve të këtyre shoqatave që ofrojnë panaire me “tutorë e dado“ njerëz të pushtetit është pjesëmarrja e madhe në numër biznesesh, (të detyruar me urdhër për pjesëmarrje si vlerë pagese qiraje), por me interes të vogël për mallrat dhe shërbimet e ofruara. Madje, ka edhe raste të tillë, që në panairet me “skenar” shtetarësh e institucionesh, ka… stenda bosh! Një nga skandalet që dëshmon fiktivitetin dhe primitivizmin e aktivitetit të panaireve të këtyre shoqatave “hije”, janë standardet e ulëta, aq sa në panairet që kanë projektuar për të organizuar jashtë Shqipërisë, nuk janë pranuar as t’i hapin ato, ose i kanë hapur në ndonjë zonë rurale periferike në Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, Greqi etj. ku këto panaire janë konsideruar si “tezga tregtarësh” endacakë e jo si panaire të biznesit të një shteti që aspiron futjen ne BE. Edhe pse ka nisur e po vazhdon të ndodh kështu, ministritë e linjës që mbulojnë dhe mbështesin, miratojnë dhe promovojnë edhe me reklama panairet “estradë” të këtyre shoqatave, nuk interesohen për përmbajtjen, audiencën, interesin dhe cilësinë e këtyre panaireve, por vetëm për numrin e tyre, për efekt evidencë zyrtare. Dhe ndalemi tek një shqetësim që ka lidhje me institucionin që duhet të kontrolloj aktivitetin e këtyre shoqatave “hije” e “hijena”. Ky institucion që detyrohet me ligj të kontrolloj dhe menaxhoj veprimtarinë e panaireve është Autoriteti i Konkurrencës. Ky institucion, nuk po vepron. Nuk e dimë, nëse do apo nuk do të veproj për zbatimin e ligjit, apo nëse është “ushqyer” edhe ku për të “mbyllur gojën”, por dimë faktin që shoqatat dhe panairet të cilët janë “pjellë” e strukturave dhe zyrtarëve të shtetit, nuk po e përfillin fare Autoritetin e Konkurrencës, duke ia ulur përtokë e duke ia “shkelur me këmbë” autoritetin ligjor e institucional shtetëror! 
Sigal