Hidhen në veprim 1000 policë të penduar

Hidhen në veprim 1000 “policë të penduar”, do raportojnë abuzimet e shefave dhe urdhrat e paligjshëm që u kanë dhënë

Drejtuesit e policisë në ministri, në drejtorinë qendrore, në drejtoritë rajonale dhe komisariate e posta policie, po gjenden këto ditë përballë një “sulmi” konkret, që po u bëjnë vartësit e tyre. Nuk është sulm me “letra të hapura”, por me “letra të mbyllura”, të cilat do dërgohen në “postën” e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe në “veshët” e anëtarëve të ekipit të besuar të ngritur prej tij, për të bërë spastrimet e drejtuesve të lidhur me krimin, që gjenden ende në strukturat e Policisë së Shtetit. Nisma e stafit të ri ministror, duket se ka nisur aktivisht dhe me platformë të qartë për të larguar në policia dhe drejtimi i saj, çdo person të kapur prej krimit e korrupsionit! Pasi ka arritur të skedojë pasuritë e drejtuesve të policisë, tashmë po punohet me mbledhjen e informacionit për shkeljet dhe abuzimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës, si pikënisje për të zbuluar lidhjet me krimin, qoftë edhe si heshtës përballë tij! Për të realizuar këtë pikë të platformës së saj spastruese, ministria ka aktivizuar krijimin e “policëve të penduar”, të cilët mund të denoncojnë çdo abuzim të shefave në marrëdhëniet e punës me ta, çdo urdhër të kundërligjshëm që u është dhënë për zbatim me ose pa imponim, si dhe çdo urdhër që u është dhënë për të mos kryer detyrën në aksione, në hetime e raportime ngjarjesh! Tashmë, rrjeti i “policëve të penduar është ngritur dhe ka nisur aktivitetin e denoncimeve. Cilëve u është dhënë garanci për sekret të dëshmive dhe për siguri vendi pune, nëse bashkëpunojnë me ekipin e procesit të “Vetting-ut” brenda policisë. Të “penduarit” po dorëzojnë denoncimet dhe dëshmitë e tyre, duke shfrytëzuar mesazhet telefonike, bisedat e regjistruara, urdhrat e dhëna në zyra e mjedise të tjera, po kështu edhe urdhrat e dhënë me shkrim e çdo lloj tjetër prove që ata e vlerësojnë si të vërtetë! Kjo veprimtari informative sekrete brenda policisë ka nisur të japë rezultatet e para në disa qarqe si Berat, Gjirokastër, Korçë, Fier, Elbasan, Shkodër, Durrës, Vlorë etj. Në rrethin e të penduarve ka edhe drejtues shërbimesh të çdo sektori e niveli, madje edhe brenda administratës së Ministrisë së Brendshme, prej nga po denoncohen abuzime të rënda me detyrën deri nga titullarë në kupolën e kësaj ministrie! Ekipi që mbledh denoncimet, po sistemon informacionin, po e skedon për çdo emër drejtuesi dhe po i verifikon ato, në raport me pasojat e dëmshme që kanë shkaktuar për veprimtarinë anti-krim të policisë!