“Hetimi për vrasjen e shqiptares në ‘97”

66
Ngjarja e dhimbshme, e cila ka tronditur prej disa ditësh të afërmit dhe banorët e Elbasanit, kur u njoftuan për vrasjen makabre të shtetases Zyra Hida në Holandë, qysh në vitin 1997, duket se ka vënë nën hetim disa ish-oficerë dhe oficerë të policisë së qarkut. Burimet nga Elbasani thanë se “Policia e Shtetit ka nisur dhe një hetim për veprimet dhe mos veprimet e Policisë së Elbasanit, në periudhën ‘95 – ‘97, për rastin e vrasjes së shtetases Zyra Hida në Amsterdam”. Nëna e tre fëmijëve rezulton se ishte vrarë në atë vit në kryeqytetin e Holandës, por nuk diheshin hollësira të tjera, ndërkohë që Policia e Elbasanit kishte qëndruar indiferente dhe nuk kishte hapur asnjë dosje hetimore, nuk kishte pyetur asnjë person apo dëshmitar. Familjarët e të ndjerës Zyra Hida e mësuan lajmin nga një grup gazetarësh të televizionit holandez “SBS 6”, që e gjetën familjen e saj, duke pyetur dhe hetuar. Ata kishin bërë denoncim për shtetasen Zyra Hida edhe në Drejtorinë e Policisë Elbasan, pas dyshimeve se ajo ishte trafikuar dhe po shfrytëzohej për prostitucion, por nga policia nuk kishin marrë asnjë përgjigje edhe pse i kishin dhënë emra konkretë të të dyshuarve, siç deklaruan djemtë e saj, pasi mësuan se nëna u ishte vrarë, në rrethana të paqarta, korrikun e vitit ‘97 në Amsterdam. 

Dy persona u denoncuan javën e kaluar, të dyshuar si autorët e trafikimit të Zyra Hidës. Ata janë shtetasit me inicialet SH.M dhe G.S, të cilët janë shpallur në kërkim. Por veç tyre, policia aktualisht po verifikon edhe rastet e denoncimeve në Policinë e Elbasanit, ndërkohë që familjarët dhe djemtë e të ndjerës Hida kërkojnë tashmë kthimin e eshtrave të nënës së tyre në atdhe. E gjithë kjo histori dhe ngjarje e dhimbshme do të kishte patjetër një përgjegjës, duhej të kishte patjetër të arrestuar dhe të dënuar si autorë, në qoftë se Policia e Elbasanit, prej vitesh do të kishte ngritur grupin e hetimit, do të kishte nisur mbledhjen e fakteve dhe të dhënat e nevojshme për krimin makabër, që i mori jetën në Amsterdam një nëne. Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar nisjen urgjente të hetimeve intensive dhe pritet të marrë në pyetje dhe si të pandehur ish-drejtues dhe shefa krimesh që janë treguar neglizhencë lidhur me zbardhjen e ngjarjes. Zbulimi i fatit të shtetases nga Elbasani, Zyra Hida nga gazetarët holandezë, mbetet një njollë turpi për Policinë e Elbasanit dhe Interpolin, dy struktura të shtetit, që duhej të kishin ngritur prej vitesh grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të tilla. Mësohet se si kjo ngjarje, ka me dhjetëra të tjera që janë denoncuar dhe kanë nisur të denoncohen në policinë e Elbasanit, për të mësuar fatin e të afërmve të tyre. 

Nga Gramshi, Cërriku, Beleshi, fshatrat e Elbasanit dhe zonat e tjera malore, kanë trokitur në zyrën e informacionit në polici dhe kanë dhënë informacione lidhur me kohën e gjatë të moskontakteve telefonike me të afërmit e tyre në mjaft shtete të ndryshme të Europës. Një burrë rrethe të 60-tave nga Gramshi tha dje se “prej 3 vitesh nuk kam fare kontakte me vajzën time, e cila fillimisht iku drejt Greqisë me burrin e saj dhe qysh asokohe nuk dimë fare ku ndodhet, kam trokitur mbi 100 herë në policinë e Gramshit dhe Elbasanit dhe më thonë “po mori njeri në telefon, regjistroji numrin e telefonit ti dhe ta gjurmojmë”. Policia duhet të ketë metodat e veta të zbulimit të informacioneve, unë i kam dhënë adresën e vajzës që ka pasur në Greqi, por kam frikë se do ta ketë pësuar edhe ajo si rasti Holandës”. Policia duhet të shfrytëzojë të gjitha lidhjet e saj me homologët në vendet fqinje dhe në Europë, (Interpolin- Europolin) për të mundësuar e zbuluar vendin e ndodhjes së shtetasve shqiptarë, fatin e tyre dhe të ngrejë grupe hetimore për të mos u katandisur deri atje, sa informacionet t’i marrë të sakta nga mediat e huaja.